
Delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës i kryesuar nga kryetari, z. Ibrahim Dobruna, ka përfunduar vizitën zyrtare një ditore në Tiranë. Delegacioni në takimet e realizuara me përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë së Shqipërisë, ka marrë garanci të plota për krijimin e bashkëpunimeve reciproke për ngritjen e cilësisë së avokatisë mbarëshqiptare.
Në vizitën në Tiranë, delegacioni i OAK-së ka zhvilluar takime me Zëvendësministren e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, znj. Brikena Kasmi, krerët e Dhomës Kombëtare të Avokatisë së Republikës së Shqipërisë, zv/ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri, z. Gani Veselaj, kryetarin e Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Republikës së Shqipërisë, z. Saimir Vishaj, kryetarin e Gjykatës së Parë për Krime të Rënda, z. Sandër Simon si dhe me kryetarin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda,z. Gjovalin Përnoca.
Është për të theksuar se vizita e delegacionit të Odës së Avokatëve të Kosovës në Tiranë, konsiston edhe me përafrimin e koncepteve të përbashkëta për organizimin e një konference mbarëshqiptare në fushën e drejtësisë.
Gjatë takimit të zhvilluar me zëvendësministren e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, znj. Brikena Kasmi, u theksua dëshira dhe vullneti i përbashkët që marrëdhëniet dypalëshe të intensifikohen akoma më shumë në të ardhmen për realizimin e synimeve të përbashkëta.
Në këtë kuadër z. Dobruna, inicoi idenë dhe ofroi përkrahjen dhe mbështetjen e plotë institucionale lidhur me organizimin e një konference për 100 vjetorin e shtetit shqiptar, e që në thelb të kësaj konference të jetë avokatia shqiptare. Sipas tij, përkrahja e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë do të ishte mjaft e rëndësishme në këtë drejtim, pasi një përkrahje e tillë, OAK-së i është ofruar edhe nga ana e zëvendëskryeministrit dhe njëherit ministër i Drejtësisë së Republikës së Kosovës, z. Hajredin Kuqi.
Duke vlerësuar idenë për organizimin e një konference të përbashkët për 100 vjetorin e shtetit shqiptar, zv/ministrja z. Kasmi theksoi se idetë dhe organizime të tilla janë të mirëpritura e sidomos për manifestimin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, pasi sipas saj kjo festë është e përbashkët e gjithë shqiptarëve.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, delegacioni i OAK-së u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë, z. Virxhil Karaj.
Delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës pasi shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për pritjen vëllazërore, shprehu kërkesën dhe nevojën për të intensifikuar dhe koordinuar akoma më tej kontaktet dhe marrëdhëniet e përbashkëta mes dy institucioneve si në fushat e legjislacionit, ashtu edhe çështjet tjera me rëndësi të përbashkët.
Në këtë takim janë diskutuar çështjet me të cilat po ballafaqohen dy Odat e Avokatisë dhe tejkalimi i këtyre barrierave përmes intensifikimit të bashkëpunimit në të ardhmen.
Z. Dobruna gjatë bisedës potencoi se avokatia shqiptare duhet t’i tregoj vlerat e veta si një profesion që e mbron çështjen e së drejtës së qytetarit dhe vlerat e veta si pjesë e rëndësishme e drejtësisë.
Gjithashtu, gjatë takimi u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të konferencës të përbashkët për 100 vjetorin e shtetit shqiptar, gjë që u mirëprit nga sekretari z. Karaj.
Me z. Karaj u diskutua mundësia e shkëmbimit të vizitave studimore si dhe pjesëmarrja e avokateve nga Shqipëria në seminaret e organizuara nga OAK dhe anasjelltas.
Në një takim të ngrohtë, delegacioni i OAK-së është pritur edhe nga zëvendës ambasadori i Kosovës në Tiranë, z. Gani Veselaj.
Delegacioni u prit në takim edhe nga kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Republikës së Shqipërisë, z. Saimir Vishaj, kryetari i Gjykatës së Parë për Krime të Rënda, z. Sandër Simon si dhe nga kryetari i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, z. Gjovalin Përnoca.