OAK dhe RTK shprehen përkushtimin për bashkëpunim

Prishtinë, 05.06.2012Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Ibrahim Dobruna është pritur në takim nga drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), z. Sylejman Shaqiri.

Kryetari i OAK-së, Ibrahim Dobruna njoftoi drejtorin e RTK-së, Sylejman Shaqiri për angazhimin dhe aktivitetet e OAK-së në ruajtjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Në këtë pikë, kryetari z. Dobruna theksoi nevojën e krijimit të një bashkëpunimi me RTK-në në fushat e përkrahjes dhe të mbështetjes profesionale mes dy institucioneve. Duke u ndalur tek aktivitetet, kryetari z. Ibrahim Dobruna ftoi drejtorin e RTK-së, z. Sylejman Shaqirin që të jetë pjesë e manifestimit të “Ditës së
Avokatisë”, që do të mbahet me datë  9 – 10 qershor 2012.

Në anën tjetër, drejtori i Përgjithshëm i RTK-së z. Sylejman Shaqiri shprehu kënaqësinë për përkushtimin dhe angazhimin e OAK-së, në ngritjen e kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, drejtori Sylejman Shaqiri uroi kryetarin e OAK-së për manifestimin e “Ditës së Avokatisë” dhe njëherit shprehu gatishmërinë për krijimin e bashkëpunimit në avancimin e çështjeve të rëndësishme dhe sa më cilësore për qytetarët e Kosovës.

Gjatë takimit është diskutuar për krijimin e bashkëpunimit mes OAK-së dhe RTK-së në fushatë me interes të përbashkët si dhe përkushtimin dypalësh në intensifikimin e bashkëpunimit në të ardhmen përmes formave profesionale.

Si aspekte kyçe të bashkëpunimit mes OAK-së dhe RTK-së janë potencuar disa pika si; informimi i opinionit publik rreth temave që kanë të bëjnë me drejtësinë, realizimi i emisioneve me karakter promovues si dhe aspekte tjera sensibilizuese.