OAK dhe NCSC organizuan Konferencën qendrore ne rastin e përmbylljes së programit “Kërko drejtësi”

21 Shtator 2017

Programi Kërko Drejtësi (D4J) i financuar nga Departameti i SHBA-së/INL në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK), organizuan Konferencën qendrore “Nga faktet në vepra”. Eventi përfundimtar i programit Demand for Justice – Kërko Drejtësi u përcoll me pjesëmarrjen e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Greg Delwie, Kryetari i OAK-së z. Osman Havolli, Kryesuesi i KGJK-së z. Nehat Idrizi, Kryesuesi i KPK-së z. Blerim Isufaj, Përfaqësuesi nga Policia e Kosovës z. Rashit Qalaj, Udhëheqësi i Programit Kërko Drejtësi (D4J-NCSC) z. John Furnari, poashtu prezent ishin avokat, gjyqtarë, prokurorë, zyrtar policorë, nga shoqëria civile dhe pjesëmarrës nga sfera e drejtësisë.

Në fjalën përshëndetëse të tij ambasadori Delawie tha se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e përkushtuar për sundimin e ligjit në Kosovë. Partneriteti me palët e interesit nga Kosova, shoqëria civile dhe donatorët janë duke punuar për të promovuar një sistem të drejtësisë, i cili është i drejtë, legjitim dhe llogaridhënës ndaj qytetarëve. Programi Kërko Drejtësi (D4J) i mbështetur nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes dhe zbatimit të Ligjit ka shtuar këto përpjekje duke krijuar hapësirë ​​për shoqërinë civile dhe institucionet  e sektorit të drejtësisë për të punuar bashkarisht në adresimin e pengesave konkrete për llogaridhënie, qasje dhe  përfshirje  në sektorin e drejtësisë. Ndër të tjera theksoj që, sistemi i drejtësisë në Kosovë vuan nga mungesa e efikasitetit  në sigurimin e ndihmës juridike falas ndaj të pandehurve në procedurën penale, përkundër detyrimit që rrjedh nga Kushtetuta e Kosovës, andaj koalicioni i krijuar për themelimin e klinikave të para të ndihmës ligjore falas ka arritur që të ngushtoj këtë mungesë të efikasitetit, dhe lidhur me këtë fton që Oda e Avokatëve të Kosovës në bashkëpunim me avokatët e saj, Agjencionin për ndihmë juridike falas dhe Qeverinë e Kosovës t’i bashkojnë përpjekjet e tyre, për të ofruar shërbime të pandehurëve në rastet penale pa përfaqësim ligjor, e të cilët  nuk kualifikohen për përfaqësim sipas detyrës zyrtare.

Delawie theksoj besimin e tij në suksesin e Kosovës, duke thënë se një shtet do të gjykohet nga zhvillimi i ardhshëm i sektorit të së drejtës përkatësisht forcimit të sundimit të ligjit.

Kryetari Havolli në fjalën e tij theksoj se Oda e Avokatëve të Kosovës, është e përkushtuar në arritjen e rezultateve konkrete, duke intensifikuar bashkëpunimin me institucionet e sistemit të drejtësisë brenda dhe jasht vendit, me synim kryesor avansimin e sundimit të ligjit ne Kosovë.

Të gjeturat nga hulumtimi “Iniciativa për Integritet Gjyqësor” që është pjesë e programit “Kërko Drejtësi” (D4J) në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës, janë shqetësuese ndërsa një hulumtim i tillë është i mirëpritur për çështjet e monitorimit të seancave gjyqësore mbi ndihmën juridike falas në çështjet penale.

Z. Havolli tha se, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka paraparë që të zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare, e ndër to edhe Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe protokollet e saj, sipas të cilës “...çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale, ndër to edhe e drejta për tu mbrojtur vet apo të ndihmohet nga një avokat i zgjedhur prej tij, ose nëse ai nuk ka mjete të mjaftueshme, t'i mundësohet ndihma ligjore falas.” Shumë raporte dhe misione të ndryshme në Kosovë ashtu siq është edhe raporti i publikuar nga IKD, kanë shprehur brengën dhe kanë vënë në pah mungesën e përfaqësimit ligjor të të pandehurve në Departamentet e Përgjithshme të Gjykatave Themelore në Kosovë.

Kryetari Havolli ndër të tjera pohoj se Oda e Avokatëve të Kosovës duke vepruar konform Ligjit për Avokatinë lidhur me ofrimin e shërbimeve juridike falas, personave që janë në gjendje të vështirë sociale, ka themeluar Zyrën Koordinuese të saj, për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare, për të cilën ka miratuar Rregulloren për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas. Kjo Rregullore fatkeqësisht është pezulluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, vendim ky i cili ka ndikuar në prishjen e një rendi dhe funksioni të tillë. Njëherit ky vendim i Qeverisë paraqet ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Në këtë ceremoni Kryetari Havolli ndau mirënjohje ambasadorit Delawie në shenjë falenderimi për kontributin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan, dhënë OAK-së dhe profesionit të avokatisë në Kosovë përmes projekteve të ndryshme.

Partnerët e programit shpalosën të gjeturat në përmirësim të integritetit, qasjes, transparencës dhe gjithëpërfshirjes në sektorin e drejtësisë. Nga faktet në vepra, shoqëria civile është duke punuar me institucionet e sektorit të drejtësisë dhe të rinjtë, në zgjidhjen e problemeve konkrete që ndikojnë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

<< prapa

KËRKO AVOKAT

 
  • Intervista e kryetarit Havolli në emisionin Betimi për Drejtësi në RTK

    • Share
Shiko të gjitha