Dega Regjionale e OAK-së në Pejë dhe OSBE organizuan tryezën e përbashkët Bench Bar

29 Shtator 2017

Pejë, 29.09.2017 – Dega Regjionale e OAK-së në Pejë, e kryesuar nga Kryetari i Degës z. Arianit Nikçi, në bashkëpunim me OSBE-në, mbajti tryezën e përbashkët Bench Bar, në të cilën ishin prezent përfaqësues nga OAK, Avokatë, përfaqësues të Gjykatës dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës. Përkundër ftesës, munguan përfaqësuesit nga Prokuroria Themelore në Pejë. Qëllimi i këtij takimi të përbashkët ishte thellimi i bashkëpunimit më të mirë në mes të akterëve të sistemit të drejtësisë në mënyrë që të fuqizohet drejtësia në Kosovë.

Pjesëmarrësit në këtë takim diskutuan lidhur me temën “Mekanizmi mbrojtës sipas detyrës zyrtare; zbatimi dhe sfidat pas pezullimit të Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas”.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga OAK të prirë nga Drejtori Ekzekutiv z. Yll Zekaj, Kryetari i Degës Regjionale të OAK-së në Pejë z. Arianit Nikçi, përfaqësues nga Gjykata Themelore në Pejë, pjesëmarrës nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, Avokat si dhe përfaqësues nga OSBE-ja. Ata theksuan rëndësinë e këtyre takimeve të përbashkëta dhe në pika të shkurta dhanë mendimin e tyre rreth temës duke lënë hapësirë më tutje për diskutim.

Drejtori Ekzekutiv i OAK- së z. Yll Zekaj  përmblodhi kronologjinë e ngjarjeve dhe vendimeve që sollën deri te arritja e Marrëveshjes mes akterëve të drejtësisë, për të pasuar më tutje me miratimin e Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas, nga Këshilli Drejtues i OAK-së.

Përfaqësuesja e Gjykatës Themelore në Pejë, deklaroj se do të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin me Odën e Avokatëve të Kosovës, në caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare konform obligimit që rrjedhë nga vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me këtë çështje.

Poashtu u theksua bashkëpunimi i mirë me Odën përkatësisht me Degën Regjionale në Pejë, nga përfqësuesi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, në caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare si dhe nevoja e vazhdimit të këtij bashkëpunimi.

U diskutua për shfuqimin e Rregullores në fjalë, e cila u miratua pas arritjes së marrëveshjes së mirëkuptimit në mes të Odës së Avokatëve të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe Policisë së Kosovës .

Si përfundim u deklarua se do të vazhdohet me thirrjen e avokatëve ex-officio nga OAK njejt si para miratimit të Rregullores, konform vendimeve të nxjerra nga KGJK, KPK dhe OAK lidhur me këtë çështje.

<< prapa

KËRKO AVOKAT

 
  • Intervista e kryetarit Havolli në emisionin Betimi për Drejtësi në RTK

    • Share
Shiko të gjitha