OAK mbajti akademi përkujtimore për avokatin Bajram Kelmendi

28 Mars 2019

28.03.2019, Prishtinë – Oda e Avokatëve të Kosovës mbajti akademi përkujtimore në 20 vjetorin e vrasjes së avokatit Bajram Kelmendi dhe dy djemëve të tij Kastriot e Kushtrim Kelmendi.

Në këtë ceremoni përkujtimore Kryetari i Odës z. Osman Havolli për shembëlltyrën dhe veprën e Bajram Kelmendit, tha se me një fjalim sado që të jetë i gjatë, është e pamundur që të përfshihet jeta dhe vepra e tij.

Avokati Bajram Kelmendi është krenari për Odën e Avokatëve të Kosovës dhe se vrasja e tij nuk ishte rastësi në atë kohë për shkak të angazhimeve të tij në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës, dhe kundërshtimin e hapur që ai kishte bërë kundër regjimit të Millosheviqit.

Kryetari Havolli tha se: “Lideri, i cili shkëlqente në mbrojtje, të cilit ia patën zili edhe armiqtë tanë, ishte Bajram Kelmendi që doli i pari nga të gjithë avokatët në Jugosllavi. Vrasja e tij nuk është rastësi, ai qysh prej atëherë ishte i shënjestruar si kokë profesionale dhe intelektuale nga shërbimet sekrete dhe ushtarake, të cilët e vunë në përcjellje kudo që ishte, duke e ditur edhe ai vet, por i vendosur dhe i pa frikësuar dhe i pa tërhequr. Dosja e tij personale dhe familjare, qysh prej atëherë ka qenë e hapur. Bajram Kelmendi me qëndrimin e vet, vendosmërinë e tij, panënshtrueshmëria me një krenari fisnike, dhe intelektuale e kombëtare, atë e bëri fuqi në veti, me energji të fuqishme për t’i dalë zot vendit, me qëndrimet e tij u bë i pakalueshëm për armiqtë e kombit shqiptarë, të cilët nuk gjetën mundësi tjetër për t’ia mbyllur gojën, mposhtur apo nënshtruar, përveç se duke e eliminuar fizikisht. Në takimet profesionale, zyrtare, politike në Kosovë dhe jashtë saj, çdoherë ishte i përgatitur maksimalisht, ai ishte brilliant, të cilin kemi mundur ta vërejmë se gjatë diskutimeve,shprehjeve gojore, me sjelljet, grimasat dhe gjestikulacionet me lëvizje trupore, mendimeve dhe ideve të tija i’u jepte shpirtë. Institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat janë në negociata për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Republikën e Serbisë, përveç detyrimeve të cilat i ka Serbia në raport me Kosovën, lidhur me personat e pagjetur, ekipi negociator i shtetit të Kosovës duhet t’a vë në kushtëzim, respektivisht në detyrim Serbinë, se pa sjelljen para organeve të drejtësisë, të vrasësve të Bajram Kelmendit me dy bijtë e tij, e për të cilët dihet se kush janë, nuk do të ketë finalizim të marrëveshjes paqësore.”

Për figurën dhe veprën e Bajram Kelmendit folën edhe avokatët Hamit Gashi, Bekë Lajçi, Shpresa Berisha Rexhepi dhe Bahtir Troshupa, të cilët secili në mënyrën e vet paraqitën jetën dhe veprën e Bajram Kelmendit, ndër të tjera duke thënë se ai është avokati më profesional, çdoherë i përgatitur për gjykime, dhe krenari për të gjithë ne avokatët.

E bija e avokatit Bajram Kelmendi, Kosovarja tha se “Ky është marsi i 20-të, dhe është koinçidencë që pikërisht sot 20 vjet, janë varrosur babai me dy vëllezërit e mi, gjersa para tri ditësh e shënuam 20-vjetorin e vrasjes së tij, sepse ata janë varrosur pas tri ditësh pasi janë gjetur dhe jam e nderuar që këtë ditë po e shënojmë me familjen time, me familjen e avokatëve”.

<< prapa

KËRKO AVOKAT

 
  • Kryetari Havolli në programin e mengjesit në RTK

    • Share
Shiko të gjitha