Avokati Vigan Rogova përfaqëson Odën e Avokatëve të Kosovës në Konferencën e CIB dhe OIF në Armeni

17 Shtator 2019

Avokati Vigan Rogova pas përfaqësimit të OAK-së në Armeni, është pritur në takim nga Kryetari i Odës, z. Osman Havolli dhe Drejtori Ekzekutiv z. Florim Shefqeti, në ndërkohë OAK ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me pamundësinë e pjesëmarrjes që i është bërë avokatit Florin Lata në këtë Konferencë.

Konferenca Ndërkombëtare e Odave të Avokatëve (CIB) dhe Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë (OIF), në Yerevan të Armenisë me datë 3 dhe 4 Shtator 2019 organizuan një punëtori ku u diskutuan për temat si në vijim:

  1. Integrimi i avokatëve të ri në kuadër të Odës së Avokatëve dhe zyrave ligjore,
  2. Specifikat e ushtrimit të profesionit të një avokati të ri,
  3. Avokati i ri, një qytetar: cilin vend duhet t’a mbaj në shoqëri? dhe
  4. Avokati i ri dhe teknologjitë e reja.

Odën e Avokatëve të Kosovës në këtë Konferencë arriti që ta përfaqësoj avokati Vigan Rogova, i cili gjatë punimeve të kësaj punëtorie, zhvilloj takime me Sekretarin e Përgjithshëm të Konferencës Ndërkombëtare të Odave të Avokatëve z. Bernard Vatier dhe Udhëheqësin e Klubit të Avokatëve Frankofon të Bullgarisë z. Silvi Gavrilov.

Z. Vatier, shprehu dëshirën dhe interesimin e tij që Oda e Avokatëve të Kosovës të aderoj si anëtare e plotë në Konferencën Ndërkombëtare të Odave të Avokatëve dhe njëkohësisht, u kërkua që të ndërmarrim hapa konkret në këtë drejtim.

Në anën tjetër, z. Gavrilov ofroj ndihmën dhe përvojën e tij që edhe në Kosovë, në kuadër të Odës së Avokatëve të formohet Klubi i Avokatëve Frankofon. Në këtë drejtim u kërkua që fillimisht të bëhet identifikimi i avokatëve frankofon-folës në Kosovë në mënyrë që të vazhdojmë tutje me këto procese.

Konferenca Ndërkombëtare e Odave të Avokatëve (CIB) është një strukturë bashkëpunimi në mes të Odave të Avokatëve me traditë juridike të përbashkët përkatësisht, të drejtës romake-kontinentale dhe frëngjishtfolëse. Në respektim të plotë të autonomisë së Odave të Avokatëve, CIB synon të zhvilloj pavarësinë e tyre si dhe solidaritetin i cili i bashkon, të mbrojë dhe promovoj të drejtat e mbrojtjes dhe një procesi të barabartë, të ndihmoj në harmonizimin dhe respektimin e rregullave të ushtrimit profesional dhe Kodit të Etikës si dhe të promovoj të Drejtat e Njeriut, Shtetin e së Drejtës, vlerat e drejtësisë dhe qeverisjes së mirë.

CIB sot bashkon më se 100 Oda të Avokatëve të 45 shteteve të ndryshme që afirmojnë një ideal të pavarësisë dhe organet udhëheqëse të të cilave janë të përcaktuara në mënyrë demokratike nga vet avokatët.

Duhet theksuar se në këtë Konferencë nuk ka arritur që të jetë prezent avokati Florin Lata për shkak se nuk u lejua që të udhëtoj për në Armeni me pasaportën Kosovare pasi që ky shtet nuk e ka njohur Republikën e Kosovës.

 

<< prapa

KËRKO AVOKAT

 
  • Kryetari Havolli në programin e mengjesit në RTK

    • Share
Shiko të gjitha