Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës kërkon forcim të bashkëpunimit në mes aktereve të drejtësisë në luftë kundër korrupsionit

09 Dhjetor 2016

Prishtinë, 09.12.2016 – Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) në bashkëpunim me Programin Kërko Drejtësi (D4J), i cili përkrahet nga Departamenti i Shtetit Amerikan/INL, organizuan Tryezën Qendrore Bench Bar për vitin 2016, e cila ngjarje është shënuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli, vlerësoi lartë bashkëpunimin në mes institucioneve të drejtësisë dhe theksoi se OAK është duke punuar vazhdimisht në arritjen e rezultateve konkrete, veçmas duke intensifikuar bashkëpunimin me institucionet e sistemit të drejtësisë në vend. Ai më tutje ka thënë se qëllimi kryesor është avancimi i sundimit të ligjit në Kosovë, duke mbështetur procesin e reformave ligjore ashtu që OAK-ja, vazhdimisht do të jetë në mision të përmirësimit të drejtësisë. Këto dhe të tjera, z. Havolli i sheh drejt horizontit me synimin e ofrimit të shërbimeve sa më të mira në ngritjen dhe ofrimin më cilësor të përfaqësimit të palëve në procedurë.

Kryetari Havolli foli edhe për instalimin e sistemit të ri të angazhimit të Avokatëve sipas detyrës zyrtare, të finalizuar më marrëveshje ndërinstitucionale, ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovë, Policisë së Kosovës dhe vetë OAK-së, e cila ka filluar të jetësohet me ndihmën dhe kontributin e miqve tanë ndërkombëtar, me theks të veçantë OSBE-së. Kështu, me vendosjen e këtij mekanizmi, me centralizimin e thirrjeve dhe individualizimin e përgjegjësisë vetëm tek OAK, me aprovimin e Rregullores për caktimin e Avokatëve sipas detyrës zyrtare, nga Këshilli Drejtues i OAK-së, ai beson fuqishëm se po i kontribuojnë sistemit të drejtësisë, duke u përkujdesur që mbrojtja të jetë sa më  efektive dhe kualitative kur kjo bëhet nga paratë e taksapaguesve. Sipas tij, ky mekanizëm do të minimizoj format e ndryshme të keqpërdorimeve që ishin të pranishme më herët, në veçanti dhe në uljen e rasteve korruptive në përgjithësi.

Ndërkaq, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Greg Delawie ka thënë se ambasada amerikane mbetet e përkushtuar që ta ndihmojë sistemin e drejtësisë në vend. “Është e vetëkuptueshme se Sundimi efektiv i Ligjit është thelbësor për çdo aspekt të jetës në një shoqëri demokratike dhe ekonomi të tregut të lirë.  Qasja e qytetarëve në drejtësi si dhe integriteti dhe llogaridhënia e institucioneve gjyqësore janë elemente kyçe për të realizuar premtimin për Sundimin e Ligjit këtu në Kosovë, sikurse edhe në çdo vend tjetër. Shtetet e Bashkuara janë krenare për të mbështetur organizatat e shoqërisë civile të Kosovës, Odën e Avokatëve dhe institucionet gjyqësore, në angazhimet e tyre të përbashkëta për të ndërtuar një Kosovë më demokratike”, ka thënë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Greg Delawie.

Në anën tjetër, Ambasadori i OSBE në Kosovë, z. Jan Braathu, vlerësoj angazhimin e Odës së Avokatëve të Kosovës dhënë në sistemin e drejtësisë dhe në procese tjera të rëndësishme të drejtësisë. Z. Braathu me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit ka thënë se “Korrupsioni është pengesë për ekonominë dhe sundimin e ligjit, por është edhe më keq se kaq. Ka të bëjë me besimin e institucioneve. Si mund të kemi një shtet demokratik me institucione që funksionojnë, e nuk kanë besim. Korrupsioni shkatërron shtetin, nuk mund ta them më fuqishëm se kaq. Nëse dëshironi të keni shtet, duhet ta çrrënjosni korrupsionin”.

Kurse, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi u shpreh optimist në luftimin e korrupsionit. “Kemi një trend pozitiv të lëndëve të zgjidhura për të cilat mund t’iu ofrojë edhe të dhëna konkrete dhe të sakta, por edhe me siguri të plotë se në secilin lëndë janë ndërmarr veprime drejtë përmbylljeve të tyre”, ka thënë kryesuesi Idrizi.

Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Blerim Isufaj, konsideroj të nevojshme për përmirësime në sistemin e drejtësisë në Kosovë. “Është e nevojshme një ndërhyrje urgjente në sistemin e drejtësisë për luftimin e korrupsionit. Është fakt i pranuar se hetimi efektiv, ndjekja penale dhe gjykimi i veprave penale të korrupsionit, mund të arrihet vetëm me një çasje shumë dimensionale”, ka deklaruar z. Isufaj.

Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, edhe Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha  është shprehur se Policia e Kosovës ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për të forcuar kapacitet në të gjitha sektorët për luftimin korrupsionin, dhe në këtë drejtim, sipas zëvendës Drejtorit të Policisë, po bëhen punët e mira.

Në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë Odës së Avokatëve të Kosovës, kryetari, z. Osman Havolli i ndau mirënjohje Ambasadorit të OSBE-së në Kosovë , z. Jan Braathu.

Tryeza Qendrore Bench Bar është vazhduar me panelist të tjerë, ku u diskutua tema “Ex Oficio Përfaqësimi dhe palët e pa përfaqësuara ndërgjyqëse” që kishte të bënte me qasje në Drejtësi në rastet Penale, Civile dhe Administrative. Në këtë panel moren pjesë z. Yll Zekaj, Drejtor Ekzekutiv në OAK, John Furnari, Drejtor i Projektit “Kërko Drejtësi”, avokat z. Teki Bokshi, i cili ka fol për përfaqësimin në Rastet Civile, z. Ehat Miftaraj, zëvendësdrejtor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, i cili u fokusua për përfaqësimin në Raste Penale, si dhe përfaqësimi Pro Bono, avokat, z. Artan Qerkini, kurse krejt në fund, znj. Jane Ellis, drejtoreshë e Njësisë për Politika dhe Hulumtime në kuadër të Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve në Amerikë (IBA) ka folur lidhur me rëndësinë e përfaqësimit.

Në pjesën e tretë të Tryezës Bench Bar 2016 është diskutua tema “Integriteti në Sistemin Gjyqësor”, që kishte të bënte me llogaridhënien dhe transparencen e Institucioneve të Sektorit të Drejtësisë. Paneli ishte në përbërje të z. Visar Sutaj nga KDI, Kujtim Kërveshi, avokat, pastaj Albert Zogaj nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës i cili ka folur për Integritetin e Gjyqësorit, gjithashtu përfaqësuesi nga Policia e Kosovës, organizata jo qeveritare FOL, si dhe përfaqësuesja, znj. Jane Ellis nga Oda Ndërkombëtare e Avokatëve.

Panelistët kryesisht janë fokusuar në mekanizmin e sapo krijuar të përfaqësimit ex-oficio/pro-bono të themeluar në bashkëpunim me KPK-në, KGJK-në dhe PK-në. Në kuadër të këtij paneli, përfaqësuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ka prezantuar projektin në kudër të D4J, duke përshkruar planet e saj për të monitoruar rastet e konfliktit administrativ si dhe trajtimin që sektori i drejtësisë u bën të pandehurve të pa përfaqësuar e cila në dukje përbën shkelje të nenit 6 (c) të GJEDNJ. Ky "boshllëk i përfaqësimit" do të ndërlidhet mirë me "klinikën juridike penale" (Pro bono) të udhëhequr nga OAK, që do të demonstrojë lidershipin e OAK për të ndihmuar në mbulimin e këtij boshllëku duke ekspozuar një "boshllëk të financimit", që ka nevojë për vëmendjen e qeverisë.

Znj. Jane Ellis nga Oda Ndërkombëtare të Avokatëve (ONA) ka përshkruar shkurtimisht suksesin e fundit të ONA me sondazhin global “Iniciativës së integritetit gjyqësor" – të projektuar për të ndihmuar akterët e drejtësisë që në mënyrë anonime të shprehin mendimet rreth mekanizmave specifik të korrupsionit që shqetësojnë sistemet gjyqësore në të gjithë botën. Për këtë, përfaqësuesi i OAK-së ka njoftuar të pranishmit se fondet e Departamentit të Shtetit Amerikan/INL, do t'i mundësojnë Kosovës që të jetë i pari vend anëtar i ONA, që do të përfshijë edhe policinë në sondazh në nivel vendi. Kjo do të përgatisë terrenin për partnerin tjetër të D4J, Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) për të përshkruar shkurtimisht procesin e studimit. Në fund, boshllëku i transparencës në Kosovë është mbuluar nga partneri i D4J Lëvizja FOL, i cili prezantojë platformën e saj të re për qeveri të hapur të fokusuar në sektorin e drejtësisë, dhe qëllimet e FOL-it për të punuar me KGJK, KPK, dhe të gjitha palët e tjera dhe qytetarët e interesuar për të populluar platformën me informacione publike siç janë: datat e seancave, aktgjykimet, vendimet dhe informacione të tjera që forcojnë besimin e publikut. Ky grup i prezantimeve do të çojë në një diskutim të udhëhequr nga OAK me gjyqtarët dhe prokurorët në lidhje me nevojën urgjente për më shumë transparencë në gjykata dhe se si kjo transparencë do të mundësoj integritet në sistemin e drejtësisë në tërësi.

<< prapa

KËRKO AVOKAT

 
  • Intervista e kryetarit Havolli në emisionin Betimi për Drejtësi në RTK

    • Share
Shiko të gjitha