Tryeza e përbashkët Bench Bar në Prishtinë: “Angazhimi ex officio i avokatëve në procedurë penale dhe caktimi i përfaqësuesve të përkohshëm në procedurë civile”

18 Tetor 2018

18.10.2018, Prishtinë - Në vazhdën e tryezave të përbashkëta “Bench Bar”, ndërmjet avokatëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve, Dega Regjionale e OAK-së në Prishtinë, organizoi sot debat me temën “Angazhimi ex officio i avokatëve në procedurë penale dhe caktimi i përfaqësuesve të përkohshëm në procedurë civile”.

Diskutimi u hap nga Kryetari i Degës Regjionale të OAK-së në Prishtinë z. Nasuf Hasani, i cili vuri në pah dy probleme që lidhen me këtë çështje: Problemin e angazhimit ex officio të avokatëve pa miratimin e OAK-së, si dhe moszbatimit në përpikmëri në praktikë të udhëzimeve administrative të Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor për procedurat për kompensim të mbrojtësve me shpenzime publike.

Ndërsa, Administratori i zyrës për caktimin e avokatëve ex-officio nga OAK, z. Besim Abdullahu, vlerësoi se tryeza të tilla diskutimi ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve që lidhen me këtë çështje. Në diskutimin e tij ai ngriti një sërë çështjesh lidhur me sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen avokatët gjatë angazhimit sipas detyrës zyrtare. Problem kryesor sipas tij, është se policia kërkon nga OAK të angazhohen avokatët pa konsultimin paraprak të prokurorit, në rastet kur mbrojtja nuk është e detyrueshme, si dhe kërkoj që të thjeshësohen procedurat e kompenzimit të avokatëve që kanë të bëjnë me nënshkrimin e formularëve nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve, e kështu duke respektuar udhëzimet administrative të Këshillave.

Ndërsa, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Imer Beka, theksoi problemin e vazhdueshëm sa i përket pagesave për Angazhimin ex officio të avokatëve.

Takimi u përshëndet edhe nga përfaqësuesi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, gjyqtari z. Lekë Prenaj i cili theksoj se bashkëpunimi me OAK-së është në nivel të duhur dhe se takime të tilla shërbejnë që të eleminohen problemet eventuale.

Po ashtu, edhe përfaqësuesit nga Policia e Kosovës përkatësisht nga Regjioni i Prishtinës, u shprehën se në angazhimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare janë të kënaqur me bashkëpunimin me OAK-në, duke kërkuar që rastet e caktuara për mosrespektim të procedurave nga ana e zyrtarëve policor duhet raportuar me qëllim që të eleminohen dukuritë dhe shqetësimet e paraqitura në këtë debat.

Prokurori disiplinor i OAK-së, z. Florim Shefqeti, njoftoi se të gjithë avokatët që janë angazhuar ex officio pa respektuar vendimin e Këshillit Drejtues të OAK-së nr. 1190/14 të datës 03.10.2014, janë zhvilluar procedura disiplinore ndaj tyre ose janë në procedura disiplinore.

Në këtë tryezë u shtrua çështja e emërimit të avokatëve në cilësi të përfaqësuesëve të përkohshëm për nevoja të Gjykatës Themelore në Prishtinë si dhe nevoja që avokatët të caktohen me propozim të OAK-së duke respektuar radhën e avokatëve edhe në çështjet civile.

Nga ky takim, u propozua dhe u vendos që këto lloj takimesh Bench Bar të jenë të rregullta, në mënyrë që të ketë mundësi diskutimi në mënyrë të detajizuar lidhur me çështjen e angazhimit të avokatëve sipas detyrës zyrtare, në mënyrë që të eleminohen problemet dhe të fuqizohet sistemi i drejtësisë, e në këtë mënyrë edhe duke thelluar bashkëpunimin mes akterëve të sistemit të drejtësisë.

<< prapa

KËRKO AVOKAT

 
  • Intervista e kryetarit Havolli në emisionin Betimi për Drejtësi në RTK

    • Share
Shiko të gjitha