Tryeza Bench Bar në Pejë - Faza parë 2016

Pejë, 23.02.2016 - Kryetari i Degës Regjionale të Odës së Avokatëve të Kosovës në Pejë, z. Arianit Nikqi në koordinim me kryetarin e Gjykatës Themelore në Pejë, znj. Elmaze Syka kanë caktuar temat “Nevoja e përfaqësimit sa më profesionale i të miturve në procedurë penale” dhe “Njoftimi me kohë i avokatit nga gjyqtari apo procesmbajtësi për mos mbajtjen e seancës”, për të cilat tema është vlerësuar e rëndësishme gjetja e një zgjidhje të përbashkët, me qëllim të përmirësimit të sistemit në këtë regjion. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin të pranishëm gjyqtar, prokuror, avokatë dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës në regjionin e Pejës.
Gjatë tryezës u paraqiten problemet në fazën e hetimeve duke theksuar se hetimet nuk janë duke u zhvilluar saktë nga policia dhe prokuroria bazuar në dispozitat ligjore. Por, edhe avokatet nuk angazhohen sa duhet në mbledhjen e provave në shqyrtimin fillestar. Nga pjesëmarrësit u rekomandua që avokatët në rastet e mos thirrjes së tyre ne vendin e ngjarjes, ta shfrytëzojnë si provë të papranueshme. U konstatua se në vendin e ngjarjes nuk thirret mbrojtësi (avokati). Për këto dhe të tjera u pa e nevojës sensibilizimi i avokatëve që të jenë më të vëmendshëm dhe më të angazhuar në me mbledhjen e provave, ngase po reflekton negativisht në pozitën e klientit dhe procedurën e tij të mëtutjeshme.
Mos angazhimi i prokurorit në vendin e ngjarjes mund të krijojë mundësinë e manipulimit të provave dhe efektet tjera serioze të rastit. Për këtë kërkohet nga udhëheqësit e institucioneve përkatëse, t’i mbikëqyrin prokurorët që të mos mungojnë në vendin e ngjarjes dhe të kenë kontroll të vazhdueshme. Policia Regjionale në Pejë të fton avokatet në vendin e ngjarjes sepse është detyrim ligjor prezenca e avokatit në vendin e ngjarjes. Të paraqitën rastet kur nuk veprohet konform dispozitave ligjore dhe të merren masat përkatëse ndëshkimore nga drejtuesit e institucioneve përkatëse.
REKOMANDIMET E TRYEZËS NË PEJË
Temat për diskutim: “Nevoja e përfaqësimit sa më profesionale i të miturve në procedurë penale” dhe “Njoftimi me kohë i avokatit nga gjyqtari apo procesmbajtësi për mos mbajtjen e seancës”
Përfaqësimi i avokatëve:
- Përfaqësimi i avokatëve në procedurën penale për të mitur të jetë sa më profesionalë.
- Të specializohen avokatët në lëmin për të mitur dhe të mbahen seminare më te shpeshta në ketë lëmi nga OAK, ngase përfaqësimi profesional avokateve mungon;
- Ankesat nga ana e avokatëve të jenë të përgatitura në mënyrë sa më profesionale dhe të jenë të kompletuara;
Të miturit:
- Të ketë një institucion edukuese që të miturit pas shqiptimit të dënimit të dërgohen në institucione përkatëse, ku këto institucione të jenë më efikase që i mituri të mos e përsëris të njëjtat vepra penale po të edukohet;
- Kujdestaria e prokurorëve të jetë e rregulluar nga kryeprokurori. Të jetë kujdestar edhe prokurori për çështjen e të miturve. Në fakt të rregullohet çështja e prokurorit për të mitur dhe të kërkohet një takim në mes të OAK-së dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Respektimi i caktimit të seancave:
- Përgjegjësi e çdo gjyqtari për informim më kohë për mos mbajtje të seancës gjyqësore të caktuar më parë, dhe për datën e seancës tjetër që është caktuar të mbahet.
- Për çdo gabim dhe mos informim me kohë, Dega Regjionale e OAK- në Pejë, vendos t’i drejtohet me shkrim Kryetares së Gjykatës Themelore në Pejë, që përmes procesmbajtëses të njoftohen avokatet për mos mbajtje të seancës dhe çdo ndryshim eventual.
<< prapa