Tryeza Bench Bar Prishtinë - Faza dytë 2015

24 Prill 2015

Prishtinë, 24.04.2015 - Në tryezën Bench Bar në Prishtinë është diskutuar tema: “I mituri, pozita e tij në procedurë penale dhe përkujdesi i institucioneve të cilat e zbatojnë këtë procedurë”. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Gjykata Themelore, të Degës Regjionale në Prishtinë (OAK) dhe Avokatë, Shërbimi Korrektues, Policia dhe nga UNICEF.

Marrë parasysh se çështja e të miturve dhe të rinjve pjesëmarrës në veprimet devijante dhe kundërligjore është e përcjellë me një ndërlikueshmëri dhe ndjeshmëri të madhe, në këtë takim u diskutua thellësisht mbarëvajtja e procedurave penale për të mitur, masave që duhet ndërmarrë si ato represive dhe preventive, çështja e qasjes së pjesëmarrësve në procedurë ndaj të miturve dhe trajtimi që duhet t’u bëhet atyre para, gjatë dhe pas procedurës me qëllim të riedukimit dhe riintegrimit të tyre.

Në këtë tryezë u përmend nevoja e caktimit  të  avokatëve sipas detyrës zyrtare ex-officio në mënyrë më specifike dhe për domosdoshmërinë që këta të caktohen nga radhët e atyre që janë më shumë përvojë në fushën përkatëse. Pastaj, trajtimi dhe qasja ndaj lëndëve që kanë të bëjnë me të miturit të bëhet me më tepër ndjeshmëri dhe sinqeritet. Problematika e evidencës penale të të miturve (ndjeshmëria e këtyre të dhënave, ruajtja dhe konfidencialiteti i tyre), diferencimi i procedurave penale të të miturve nga ajo e të rriturve, mungesa e institucioneve përkatëse për aplikimin e masave të diversitetit kishin vendin kryesorë në tryezën e debatimit.

Të gjitha çështjet e problemet e lartcekura u  diskutuan me një ndërthurje  me raste reale nga praktika e përditshme.

REKOMANDIMET E TRYEZËS NË PRISHTINË

  • Shfrytëzimi i të gjitha mjeteve juridike në favor të të miturit;
  • Çdo i mitur ka të drejtë që menjëherë të ketë ndihmën ligjore;
  • Kur është fjala për hapjen e një procedure për të mitur, duhet të shtrohet pyetja: Cili është interesi i të miturit në procedurë? Në këtë mënyrë gjithmonë duhet të shikohet në veçanti interesi i të miturit;
  • Prania e psikologut, prindit, kujdestarit, institucionit kujdestar, është e obligueshme në procedurë. Gjykatësi duhet t’i përdorë të gjitha mjetet juridike të lejuara, që të shqiptoj masat adekuate me qëllim parandalimi kur është e mundur, vetëdijesimi dhe riedukimi për të miturin. Vendimi duhet të jetë në mbrojtjen e të drejtave dhe mirëqenien e tij/saj.
  • Shfrytëzimi i konventave ndërkombëtare, kur ka dilema në ligjet tona.

Gjyqtaret, prokurorët, avokatët, inkurajohen për propozime konkrete:

  • Palët në procedurë gjatë marrjes në pyetje të të  miturit duhet të sillen në mënyrë të butë, familjare, të ndjeshëm që i mituri të jetë psikologjikisht i qetë, pa frikë, presion, dhe në gjendje të sqaroj rastin e tij/saj. Procedura duhet të jetë e kuptueshme për të miturin.
  • Pas dëgjimit të të miturit nga avokati, prokurori këta të fundit duhet t’i japin propozime konkrete gjykatës se cilat janë masat adekuate në këtë rast, masat alternative në shqyrtim të masave të diversitetit. Kërkohet kulturë juridike në procedurë.

Rekomandimi për privatësinë e të miturit:

  • Marrja në pyetje, procedura, masat dhe dënimet e shqiptuara për të miturin janë të dhëna të fshehta. Kërkohet respektim i privatësisë që të mos dëmtohet imazhi I të miturit.

Rekomandimet për zgjidhjen e problemeve aktuale në procedurë:

  • Veçimi i procedurës penale nga procedura për të mitur.
  • Rekomandimi që çdo palë në procedurë të jetë i informuar për çdo shkresë dhe zhvillim të lëndës.

Krijimi i institucioneve korrektuese/edukuese:

  • Pas shqiptimit të dënimit, zbatimi i tij duhet të bëhet në përpikëri, të hapen institucione edukuese që të mund të vëzhgohet gjatë gjithë kohës nëse dënimi po zbatohet apo jo. Institucioni disiplinorë të jetë më efikas që i mituri të mos e përsëris veprën penale.

Denoncimi i avokatëve:

  • Propozohet që gjyqtarët dhe prokurorët  kur vërejnë që i mituri nuk është i përfaqësuar në mënyrën e duhur nga avokati këtë ata ta denoncojnë duke iu drejtuar kryetarit të regjionit dhe të sillet në komision disiplinor. Në këtë mënyrë bëhen më të përgjegjshëm avokatët.

 

<< prapa

KËRKO AVOKAT

 
  • Intervista e kryetarit Havolli në emisionin Betimi për Drejtësi në RTK

    • Share
Shiko të gjitha