OAK dhe USAID organizuan trajnimin dy ditor për trajnerë për zbatimin e Doracakut Trajnues të OAK-së

12 Mars 2017

Prevallë / Prizren, 11-12.03.2017 - Qendra Trajnuese për Avokatë në kuadër të Programit të Trajnimet për Trajnerë, në bashkëpunim me USAID-in, Programi për të drejtat pronësore, kanë organizuar trajnimin me temë “Trajnimin për Trajnerë, Zbatimi i Doracakut Trajnues të OAK-së”.

Pjesëmarrës në këtë trajnim kanë qenë avokatë, gjyqtarë, prokurorë, ekspertë nga shoqëria civile, profesorë nga Universiteti i Prishtinës, të cilët për dy ditë radhazi kanë qenë pjesë e këtij trajnimi, me ligjërues, Joseph Traficanti, ish-gjyqtar nga Shtete e Bashkuara të Amerikës, i cili ka ligjëruar mbi mundësitë e organizimit të trajnimeve në mënyrën më të mirë të mundshme, çasjen e trajnuesve në raport me pjesëmarrësit prezent në trajnim. Ky trajnim ka përfshirë edhe mënyra se si ligjëruesit mund të përgatiten për trajnim, siç janë mënyrat e të mësuarit dhe mësimdhënies, planifikimi dhe prezantimi i temave të përgatitura, gjithnjë duke i vlerësuar nevojat si dhe cilat tema janë më të nevojshme, e të cilat mund të nxisin kureshtjen e pjesëmarrësve të paraparë për të qenë prezent në trajnim.

Objektivë e këtij trajnimi ishte që të nxiten trajnerët e Qendrës Trajnuese të OAK-së që të zbatojnë Doracakun e Trajnimeve të QTA/OAK-së, të rifreskojnë njohuritë e trajnuesve rreth teknikave interaktive të trajnimit të të rriturve që do të zbatohen në trajnimet e OAK-së, metodologjinë e hartimit të agjendave dhe strukturës së përmbajtjes së trajnimeve, pastaj teknikat interaktive të trajnimit duke demonstruar shembuj praktik, hartimin e agjendave dhe planit të trajnimeve konkrete.

Të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë në gjendje që të mësojnë më shumë rreth bashkëveprimit me pjesëmarrësit potencial në trajnime, organizimin e stileve të paneleve, seminareve dhe punëtorive.

Pjesëmarrësit kanë punuar në sesione pune të ndarë në grupe të përbëra me nga 5 pjesëmarrës, për krijimin e një drafteve rreth zhvillimit të moduleve të trajnimit, drafte të cilat pastaj janë diskutuar dhe janë plotësuar me komente nga të gjithë pjesëmarrësit dhe janë krijuar draftet final të përbashkët të secilit grup për tema të caktuara.

Ky trajnim është mbajtur me përkrahjen e USAID-it – (Programi për të drejtat pronësore), kurse të gjithë pjesëmarrësit janë certifikuar nga Oda e Avokatëve dhe USAID-i. Numri i pjesëmarrësve në këtë trajnim ka qenë 23.

 

<< prapa

KËRKO AVOKAT

 
  • Intervista e kryetarit Havolli në emisionin Betimi për Drejtësi në RTK

    • Share
Shiko të gjitha