Programi trajnues për të Drejtën Ndërkombëtare Penale

08 Prill 2017

Prishtinë, 08.04.2017 - Qendra Trajnuese për Avokatë mbajti programin trajnues për të Drejtën Ndërkombëtare Penale ku të ftuar si ligjërues ishin;

  • David Hooper – anëtar i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Wales-it si dhe njëkohësisht Kryetar i ICCBA-së.
  • Peter Haynes – avokat britanik me përvojë pune në gjykatat penale vendore dhe ato ndërkombëtare.
  • Ian Edwards – avokat dhe Kryetar i Komitetit Trajnues dhe Këshillues për standarde profesionale në Odën Ndërkombëtare të Avokatëve.
  • Dr. Caroline Buisman – anëtare e Odës së Avokatëve në Amsterdam dhe New York.
  • David Young, avokat në Odën e Avokatëve në Angli.

Pjesëmarrës të tjerë në këtë program trajnues ishin Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës së bashku me anëtarët e Këshillit Drejtues si dhe avokatë nga Degët Regjionale të Odës së Avokatëve të Kosovës.

Njëri nga ligjëruesit David Hooper ofroi për të pranishmit një pasqyrë të përgjithshme të natyrës së Tribunalit Penal Ndërkombëtarë dhe Ndërkombëtarizmit të tij, kurse Peter Haynes diskutoi për çështjet paraprake që mbrojtësit duhet marrë në konsideratë ku në fokus ishin listat e mbrojtësve, ndihma juridike, të drejtat e të dyshuarit në arrest dhe gjatë intervistës, lirimi i përkohshëm dhe roli i kërkesave të shkruara në procedurën penale ndërkombëtare.

Ndërsa, Ian Edwards para të pranishmëve shkurtimisht dha disa sqarime për aktakuzën dhe çështjet para gjykimit, arritjen deri te demaskimi, si dhe për mbrojtjen e dëshmitarëve në fazën para fillimit të gjykimit.

Për hetimet e mbrojtjes dhe etikën, Dr. Caroline Buisman ofroi informacione për parimet e kryerjes së hetimeve efektive të mbrojtjes, përgjegjësitë e mbrojtësit gjatë hetimeve dhe trajtoj në përgjithësi standardet etike për mbrojtësin para Tribunalit Penal Ndërkombëtar.

Mbrojtja e dëshmitarëve në fazën e gjykimit, sesionet e mbyllura, mënyrat se si dëshmia e dëshmitarëve mund të merret në procedurën penale ndërkombëtare, provat materiale dhe parimet e marrjes në pyetje ishin çështjet të cilat David Young i diskutoi në prezantimin e tij para pjesëmarrësve.

Panelistët u shprehën të nderuar që ishin të ftuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës për të qenë pjesë e këtij programi trajnues për të Drejtën Ndërkombëtare Penale.

 

<< prapa