Misioni & Historiku

MISIONI

  • Oda e Avokatëve të Kosovës ka qëllim kryesor avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë, duke mbështetur procesin e reformave ligjore. Ajo vazhdimisht do të jetë në mision të përmirësimit të drejtësisë.
  • OAK do të nxitë një qasje sa më të plotë dhe të barabartë të përfaqësimit ligjor për të gjithë personat pa marrë parasysh kushtet ekonomike dhe sociale. Këto përpjekje do të përfshijnë veçanërisht pakicat, gratë dhe personat me të meta. Komuniteti do të përfitojë nga përpjekjet e Odës për përforcimin e administrimit të drejtësisë, zgjerimin e kuptimit dhe respektimin e ligjit dhe të institucioneve ligjore.
  • Oda do ta angazhohet për rritjen e njohjes publike dhe respektit për ligjin, procedurat ligjore dhe rolin e profesionit ligjor në mbrojtjen e standardeve ligjore. Ajo do të shtojë përpjekjet për të ruajtur, promovuar dhe avancuar idealet e drejtësisë dhe dedikimin e profesionit ligjor shërbimit publik.
  • Oda do të vendosë standarde të larta të profesionalizmit, kompetencës, besimit dhe sjelljes etike për avokatët në Kosovë. Ajo vazhdimisht angazhohet që ta përmirësojë përgatitjen profesionale të anëtarëve; të kujdeset për pajisjen e tyre me informacione të rëndësishme për ushtrimin e profesionit.
  • Oda do të sigurojë përfitime, programe dhe shërbime të cilat ndihmojnë ngritjen profesionale dhe rritjen e cilësisë së jetës profesionale të anëtarëve të vet. Ajo do t’i ndihmojë anëtarët në komunikimin me gjykatat dhe organet e administratës si dhe autoritetet e tjera të vendosura në Kosovë; të vihet në mbrojtjen e anëtarëve të vet në rastet e trajtimit jo të drejtë nga autoritetet.
  • Oda i konsideron synime të përhershme angazhimet për ruajtjen e pavarësisë së profesionit ligjor dhe pushtetit gjyqësor si themele të shoqërisë së lirë e demokratike.

Historia e shkurtër

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) është një organizatë vetëqeverisëse, demokratike e avokatëve kosovar e cila vepron si e pavarur nga organet shtetërore. Parlamenti i Kosovës themeloi Odën e Avokatëve të Kosovës (më tutje “OAK”) pas miratimit të Ligjit mbi Avokaturën dhe Ndihmën Tjetër Juridike (i shpallur në Gazetën zyrtare të Kosovës nr. 43/73, ndryshimet Gz. 46/77, teksti spastruar 19.12.1979 Gz. 48/79). Avokati i parë ishte regjistruar në vitin 1974. Mirëpo, fillet e para të avokaturës dhe ndihmës juridike në Kosovë i hasim pak para fillimit të luftës së II Botërore. Atë herë me shërbimet e avokaturës është marrë edhe tani i ndjeri, Hivzi Sylejmani. Gjatë Luftës II, në pjesën e territorit të Kosovës e cila ishte nën qeverisjen shqiptare të instaluar nga Italia, e në të cilën bënte pjesë edhe Prishtina, ishte e mbuluar me sistemin e gjykatave, të vendosura nga po ajo qeveri. Gjatë kësaj kohe avokaturën e ushtronin disa avokatë nga Shqipëria e tashme dhe një avokat tjetër nga Tetova, i cili ka punuar në Ferizaj (Tasjani i atëhershëm) dhe ka pasur për praktikantë të vetin profesorin Sokol Dobroshi. Avokati i parë shqiptar i regjistruar pas Luftës II ishte Zeqë Arni, një doajen i avokatisë kosovare. Ai është regjistruar në O. A. Jugosllavisë, pasi Kosova, nuk kishte organizatë të veten të avokatëve. Më pas, pas tij, regjistrohen edhe fillojnë ushtrimin e profesionit të avokatit të licencuar edhe të tjerë, si Hasan Kryeziu, Mehmet Dushku, Bajram Kelmendi, Latif Krasniqi, të gjithë nga Prishtina, Adem Bajri, Mikel Marku dhe Mustafë Radoniqi, nga Peja, etj. Pas vendosjes së administratës ndërkombëtare të UNMIK-ut në qershor 1999, institucionet gjyqësore ishin ri themeluar në Kosovë (në pajtim me Rregulloren 1999/24 Mbi Ligjin në Fuqi në Kosovë). Organizatat ndërkombëtare që kanë qenë duke punuar në Kosovë (OSBE, ABA/CEELI, AER dhe Këshilli i Evropës) ri themeluan OAK-në pas luftës dhe kuvendi i parë i saj ishte mbajtur menjëherë në vitin 1999. Në mënyrë që një person të ushtrojë profesionin e avokatit ai/ajo duhet të jetë anëtar i OAK-së.

Korniza Ligjore

Kornizën ligjore për veprimin e OAK e përben Ligji për Avokatinë Nr. 04/L-193 i datës 31 Maj 2013, i cili shfuqizon Ligjin mbi Avokaturën dhe Ndihmën tjetër Juridike, Gazeta Zyrtare e KSAK, Nr. 011-69/79. Ky ligj në Kuvendin Vjetor të OAK të mbajtur në prill 2004, është aprovuar Projektligji i ri për Avokaturën. Në gusht 2004 edhe Parlamenti i Kosovës e kishte aprovuar në parim Ligjin e propozuar për Avokaturën, ndërsa në vjeshtë të të njëjtit vit, i është dërguar PSSP për nënshkrim. Kurse, me 31 maj 2013 ka hyrë në fuqi Ligji për avokatinë me Nr. 04/L-193.

Detyrat me rëndësi / Misioni

Një mision bazik i Odës është i përcaktuar në mënyrë të veçantë dhe i nënshtruar kërkesave të ligjvënësit e që lidhet me rolin e saj në sistemin juridik dhe me anëtarësimin e detyrueshëm ligjor të avokatëve. Vet Oda ka qëllim kryesor avancimin e sundimit të së drejtës duke mbështetur procesin e reformave ligjore. Misioni i saj i drejtë do ta bëjë Odën zëdhënësin kryesor të drejtësisë ligjore, profesionit ligjor dhe sundimit të ligjit. Ajo vazhdimisht do të jetë në mision të përmirësimit të drejtësisë. Roli themelor të cilin OAK e ka në funksionimin e profesionit të drejtësisë ia parashtron asaj një nga qëllimet kryesore të misionit-të nxitë një qasje sa më të plotë dhe të barabartë të përfaqësimit ligjor për të gjithë personat pa marrë parasysh kushtet ekonomike dhe sociale. Këto përpjekje do të përfshijnë veçanërisht pakicat, gratë dhe personat me të meta. Komuniteti do të përfitojë nga përpjekjet e Odës për përforcimin e administrimit të drejtësisë, zgjerimin e kuptimit dhe respektimin e ligjit dhe të institucioneve ligjore. Oda do ta ketë për qëllim të vetin të përhershëm rritjen e njohjes publike dhe respektit për ligjin, procedurat ligjore dhe rolin e profesionit ligjor në mbrojtjen e standardeve ligjore. Ajo ka mision të përhershëm dhe standard të konsoliduar përpjekjet për të ruajtur, promovuar dhe avancuar idealet e drejtësisë dhe dedikimin e profesionit ligjor shërbimit publik.

Oda duhet të vendosë standarde të larta të profesionalizmit, kompetencës, besimit dhe sjelljes etike. Vet pozita e Odës si organizatë e obliguar profesionale e avokatëve e vë atë në raporte organizimit të detyrueshëm të anëtarëve të vet. Megjithëkëtë, një qasje tjetër lidhur me këtë është e domosdoshme, sepse vendosja e shërbimeve të përhershme për anëtarësinë Odën do ta kthente përfundimisht kah anëtarët e vet. Ajo duhet ta përmirësojë përgatitjen profesionale të avokatëve anëtarë; të kujdeset për pajisjen e tyre me informacione të rëndësishme për ushtrimin e profesionit. Oda do të sigurojë përfitime, programe dhe shërbime të cilat ndihmojnë ngritjen profesionale dhe rritjen e cilësisë së jetesës së anëtarëve të vet. Ajo duhet t’i ndihmojë anëtarët në komunikimin me gjykatat dhe organet e administratës si dhe autoritetet e tjera të vendosura në Kosovë; të vihet në mbrojtjen e anëtarëve të vet në rastet e trajtimit jo të drejtë nga autoritetet. Oda i konsideron synime të përhershme angazhimet për ruajtjen e pavarësisë së profesionit ligjor dhe pushtetit gjyqësor si themele të shoqërisë së lirë e demokratike.

Organizimi i OAK

Statuti i OAK-së (me ndryshimet e Kuvendit të datës 19/09/2009) që është akti me i larte normativ, siguron një vetorganizim të plotë të brendshëm për Oden. Sipas Statutit Oda është organizatë e pavarur e avokatëve e themeluar me ligj. Oda përfaqëson avokaturën e Kosovës. OAK është e përbërë organet  dhe zyrtarët si: Kuvendi i cili është i përberë nga të gjithë avokatët e regjistruar dhe të licencuar; Kryetari, me një mandat dyvjeçar; Këshilli Drejtues, i cili përbehet nga 11 anëtarë që shërbejnë për mandat dyvjeçar; Këshilli Mbikëqyrës; Komiteti për Ankesa i Kuvendit të OAK-së. Statuti ndërton një sistem tërësisht të mëvetësishëm të disiplinimit për avokatet, i cili përbehet nga organet qe vlerësojnë përgjegjësinë për shkeljet e rregullave të etikes. Kuvendin e përbëjnë të gjithë avokatët e regjistruar në regjistrin e avokatëve të OAK. Mbledhja e Rregullt e Kuvendit të Odës mbahet një herë në vit dhe e thërret Kryetari i OAK. Mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit e thërret Këshillin Drejtues, me nismën e vet, në bazë të kërkesës së 1/3 të anëtarëve të tij ose kërkesës së paku tri Degëve Regjionale të avokatëve. Kuvendi i Odës, përveç tjerash, miraton Statutin e Odës dhe Kodin e Etikës Profesionale të avokatëve, zgjedh dhe shkarkon Kryetarin e zv/kryetarin; shqyrton të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me kryerjen e veprimtarisë së avokatisë dhe pozitën e avokatisë; aprovon tarifën për shpërblimet dhe kompensimin e shpenzimeve për punën e avokatëve, debaton, merr qëndrime dhe vendime lidhur me përparimin e punës së Odës, bashkëpunimin dhe anëtarësinë me institucione dhe asociacione tjera vendore dhe ndërkombëtare.

Kryetari i Odës nënshkruan vendimet dhe aktet e tjera të cilat i miraton Kuvendi. Oda ka zv/kryetar mandati i të cilëve zgjatë katër vjet. Këshilli Drejtues i Odës përbëhet nga Kryetari i Odës, zv/kryetari, kryetari i mëparshëm, një anëtar i jashtëm dhe 7 anëtarë që janë edhe përfaqësues të Degëve Regjionale. Këshilli Drejtues: zbaton vendimet e Kuvendit, vendos lidhur me regjistrimin në regjistrin e avokatëve të Odës, vendos mbi regjistrimin e avokatëve praktikant dhe shlyerjen e tyre nga regjistri, vendos dhe jep rekomandime dhe propozime të interesit të përgjithshëm për ushtrimin e avokaturës, udhëheq afarizmin financiar të Odës kujdeset për përparimin e bashkëpunimit të Odës në vendet e tjera dhe me asociacione të tjera profesionale; publikon buletinin e Odës. Këshilli e udhëheq Kryetari i Odës, i cili thërret mbledhjet e tij. Këshilli Drejtues vendos me shumicën e votave të anëtarëve. Kryetari i Odës: përfaqëson dhe prezanton Odën, thërret dhe i udhëheq mbledhjet e Kuvendit dhe të Këshilli Drejtues. Për punën e vet përgjigjet para Kuvendit. Mandati i Kryetarit të Odës zgjatë dy vite, me të drejtë të rizgjedhjes edhe për një mandat.

Organizimi territorial / Degët Regjionale të OAK

Degët Regjionale të avokatëve janë forma të organizimit territorial dhe aktivitetit të Odës së Avokatëve të Kosovës, të cilat nën kushtet e përcaktuara me ligj janë të themeluara sipas Statutit të OAK-së, Tubimet Regjionale janë organizuar sipas regjioneve të cilat i përgjigjen shtrirjes territoriale të Gjykatave Themelore, sipas organizmit të sistemit gjyqësor të Kosovës, përkatësisht Dega Regjionale në: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj. Degët Regjionale  për avokatët me seli në regjione të veta mbrojnë të drejtat dhe interesat e avokatëve dhe avokatëve praktikantë në regjionin e vet, shqyrtojnë problematiken lidhur me ushtrimin e profesionit të avokatisë në regjionin e vet, kujdesen për mirëqenien e anëtarëve, ndihmën e nevojshme të tyre dhe anëtareve të familjes si dhe të punësuarve në zyrat e avokateve, kur këta kanë rënë në vështirësi materiale dhe jetësore, debatojnë, marrin qëndrimin e iniciativa dhe bëjnë propozimet për të gjitha çështjet nga fushëveprimi i OAK-së dhe organet e saj, anëtarë të Degëve Regjionale janë të gjithë avokatet të cilët selinë e zyrave e kanë në rajonin për të cilin është formuar Dega.

Anëtarësimi / Licencimi

OAK është autoritet i vetëm  për licencimin e avokateve në Kosovë si pjesë integrale e sistemit të drejtësisë. Licencimin mund ta pretendoje çdo qytetar i Kosovës, pa dallim i cili i ka siguruar paraprakisht kualifikimet e nevojshëm profesionale. Megjithëqë, nuk ka kufizime ligjore në ushtrimin e profesioni, regjistrimi në të kaluarën konsistonte në një verifikimi burokratik se kandidati i plotëson kushtet për regjistrim. Kjo procedure nuk përfshin ndonjë verifikim paraprak të njohjes së rregullave të etikës dhe të përgatitjes profesionale. Tani procesi i regjistrimit ne regjistrin e avokateve te OAK është shndërruar ne proces të Licencimit, i cili përveç kushteve formale kandidati që nuk ka 3 vite përvoje pune si avokat, gjyqtar apo prokuror i nënshtrohet Testit hyrës, me të cilin verifikohen njohurit e tij për rregullat etike dhe njohurit profesionale.

Para konfliktit të armatosur gjatë vitit 1998-1999, Oda multietnike numëronte rreth 600 anëtarë. Pas ardhjes së administratës së përkohshme të KB (qershor 1999), me një përkrahje të fuqishme ndërkombëtare, OAK më 27 prill 2001 e ka mbajtur Kuvendin rithemelimit. Në atë kohë OAK ka numëruar rreth 106 anëtarë. Mirëpo, prej  riorganizimi i provimit të jurisprudencës, që ishte kusht për hyrje në profesion, në dhjetor të vitit 2001, anëtarësia e OAK-së ka shënuar rritje. Në janar 2004 ishin të regjistruar 300 avokatë në OAK. Në mars të vitit 2007 Oda e Avokateve të Kosovës ka numëruar gjithsej 453 avokatë të licencuar në regjistrin e saj, prej tyre vetëm 44 avokatë janë femra (10%)  37 (ose 8%) janë nga radha e komuniteteve pakice (prej tyre: 24 avokate nga komuniteti serb, 7 avokatë nga komuniteti boshnjak dhe 6 avokatë nga komuniteti turk). Kurse, në shtator të vitit 2011 Oda e Avokateve të Kosovës ka numëruar gjithsej 603 avokatë të licencuar në regjistrin e saj, prej tyre vetëm 65 avokatë janë femra (11%)  40 (ose 7%) janë nga radha e komuniteteve tjera (prej tyre: 28 avokat nga komuniteti serb, 2 avokatë nga komuniteti boshnjak, 4 avokatë nga komuniteti turk dhe 6 avokatë te huaj). Nën ndikimet nga jashtë Oda ka qenë e detyruar që të ndërtojë lehtësira të caktuara për te nxitur hyrjen në profesion nga grupet e caktuara: pjesëtaret e minoriteve dhe grave.

Sistemi i disiplinës

Që prej themelimit të Odës së Avokatëve të Kosovës ekzistonte një kornizë etike dhe një sistem i disiplinës i bazuar në principet e vetë disiplinimit. Pas luftës sistemi i etikes profesionale u përmirësuar dhe u ndryshua rrënjësisht në përputhje me rrethanat dhe ambientin juridik të ndryshuar në Kosovë. Kodi i ri i Etikes Profesionale vendosi një sistem të tërësishëm të rregullave të etikës të cilat sanksionojnë raportet reciproke të avokatëve, raportet e avokatëve me klientin, raportet me organizatën - Oden dhe me gjykatat. Sistemi i disiplinës tani përbëhet nga Zyra Disiplinore e Odës, e cila përbëhet nga Zyra e Prokurorit Disiplinore, Komisioni Disiplinor dhe Komisioni për Ankesa.

Sistemi zgjeron numrin e subjekteve të cilat mund ta iniciojnë procedurën disiplinore ndaj avokatit, kurse zbatimi i hetimit dhe ndjekja disiplinore realizohet nga ana e Prokurorit Disiplinorë duke vendosur edhe garanci të mjaftueshme për procedura të drejta, të paanshme dhe të efektshme disiplinore. Ashtu siç është i dizajnuar, duket se sistemi i ri, të  jetë një ambientim i mirë i zgjedhjeve dhe përvojave kooperative në rrethanat kosovare. Praktika e re dëshmon  aftësinë e këtij sistemi që të jetë efektiv dhe etikë. Me jetësimin e sistemit të ri disiplinor avokatia promovohet si një shërbim profesional, kompetent, i besueshëm dhe etik.

Aktivitetet

Në çdo sistem juridik shoqatat e avokatëve luajnë rol themelor në funksionimin e sistemit juridik duke ofruar përfitime të rëndësishme për anëtarësinë, profesionin dhe për komunitetin. Rol të veçantë këto shoqata luajnë në mbrojtjen dhe përforcimin e administrimit të drejtësisë, duke shtrirë kuptimin dhe zbatimin e ligjit dhe të institucioneve si dhe duke identifikuar përpjekjet për ndryshimet e nevojshme ligjore. Organizatat e detyrueshme të avokatëve kudo vendosin dhe zbatojnë standarde profesionale dhe etike. Anëtarësia, profesioni ligjor dhe komuniteti janë rrethi kryesor i OAK-së, i cili paraqet edhe rrethin e veprimit dhe të aktiviteteve të saj. Kështu, Oda ofrohet me komunitetin, degët e tjera të zbatimit të ligjit dhe anëtarësinë e vet. Duke i përmbushur nevojat dhe kërkesat e përfituesve nga rrethi, Oda zhvillon pjesën më të madhe të veprimtarisë, përmbushë misionin, siguron zhvillimin dhe afirmon veten.

Shërbimet për anëtarësinë

Anëtarësia është në qendër të aktivitetit të Odës. Oda i mbron interesat jetike të anëtarëve, zhvillon kushtet për ushtrimin e pavarur të veprimtarisë, përkujdeset për trajtimin e drejtë të tyre në procedurat ligjore duke u angazhuar për një ambient i cili do t’u mundësojë anëtarëve një të denjë. Vet avokatët janë të organizuar dhe të bashkuar në OAK për këtë qëllim - të shprehin dhe të mbrojnë interesat e veta profesionale. Oda ka zbatuar programe të veçanta mentorimi dhe aftësimi të gjeneratave.

  • Projekti për Praktikantët -  Ka filluar të realizohet me 1 shkurt 2002 me qëllimi aftësimi i juristëve të rinj për ushtrimin e profesionit ligjor dhe krijimin e kushteve për të iu nënshtruar provimit të jurisprudencës në mënyrë që të përcaktohen për ushtrimin e profesionit të tyre të ardhshëm.
  • Projekti për Ndihmë Juridike - Agjencia Evropiane për Rindërtim dhe Oda e Avokatëve të Kosovës më 15 prill  2001, kanë  bashkëpunuar për  realizimin e  programit për ndihmën juridike falas. Kjo kontratë ka vazhduar deri në qershor të vitit 2004. Qëllimi i realizimit të këtij projekti është që në mënyrë të organizuar të mbulohet një zbrazëtirë ekzistuese në sistemin juridik ekzistues, lidhur me ofrimin e Ndihmës Juridike Falas edhe në lëmin Civile dhe Administrative dhe kështu, tu mundësohet qytetarëve në gjendje të veçantë ekonomike, të përfitojnë nga shërbimet profesionale të avokatëve në  kontestet civile pranë gjykatave dhe në çështjet administrative pranë organeve të  administratës në Kosovë.
  • Programi i Arsimimit të vazhdueshëm Ligjor (AVL) - Është ndërtuar në bashkëpunim me Partnerët për ngritjen e nivelit të kompetencës profesionale dhe të shkathtësive praktike të anëtarëve të vet. Programi ka për qëllim zgjerimin e njohurive profesionale, zhvillimin e shkathtësive praktike dhe forcimin e etikës profesionale. Në themelet e këtij Projekti është synimi për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve ligjore. Ne vitin 2009 me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për avokatinë përkatësisht me aprovimin e Rregullores për Arsimimin e vazhdueshëm Ligjor, AVL bëhet e obligueshme për avokatët në Kosovë. Për ruajtjen e licencës avokatët obligohen të përmbushin kreditë e caktuara brenda vitit të parapara me këtë rregullore.
  • Programet për Etikë dhe Disiplinë – Oda në fillim të vitit 2003, ka themeluar Komitetin për Etike dhe Disiplinë, me qëllimin e reformimit të Kodit të  Etikës dhe Disiplinës së avokatëve dhe Sistemi Disiplinor  në tërësi. Komiteti në bashkëpunim me ABA CEEL-in duke  rishqyrtuar në vazhdimësi Kodin e Etikës dhe sistemin disiplinor e kane arritur  reformimin e plote  të kornize së etikes dhe ndërtimit të një sistemi tërësisht të ri të për disiplinimin e avokateve. Krahas këtyre, një seri e tërë programesh, tjerash nga të cilat përfitojnë anëtarët e odës zbatohet nga Komitetet e veçanta. Nevojat dhe kërkesat e anëtarëve   paraqesin udhërrëfyesin kryesor të aktivitetit dhe programeve  të Odës. Tani etika profesionale zë 30% të programit vjetor të Arsimimin e vazhdueshëm Ligjor të Obliguar si dhe Testit hyrës për avokat.

Shërbimet për profesionin ligjor

Duke qenë pjesë e sistemit të drejtësisë Oda e ka pothuajse të imponuar dhe të domosdoshëm komunikimin me degët e tjera të këtij sistemi. Për më tepër, nga organizimi dhe aktivitetet e Odës përfitojnë organet tjera të profesionit ligjor dhe organet e administratës shtetërore, Oda ka thelluar bashkëpunimin sidomos bashkëpunimin me SHGJK dhe SHPK me qellim të promovimit të idealeve të drejtësisë, transparencës gjyqësore dhe procedurat e drejta. Një aktivitet te ngjeshur disamujor OAK e ka zhvilluar në bashkëpunim me këto shoqata ne luftimin e korrupsionit dhe të dukurive korruptive në sistemin e drejtësisë kosovare.

Për Komunitetin

Duke qenë veprimtari me interes të veçantë shoqëror, nga aktiviteti i Odës përfitojnë edhe segmentet më të gjëra të shoqërisë, e jo vetëm anëtarët e saj. Komuniteti i gjerë përfiton nga organizata e këtillë e pavarur profesionale e avokatëve, çfarë është OAK. Oda është përfshirë në Programe të Ndihmës Juridike falas, pastaj programe të vetëdijesimit ligjor të komunitetit, programe të mësimit klinik për studentet e drejtësisë etj.

Aktivitetet e bashkëpunimit

OAK ka zbatuar programet e bashkëpunimit me organizatat dhe shoqatat e tjera joqeveritare nga profesioni ligjor, si: ABA/ROLI (me parë e njohur si ABA-CEELI), UNDP, Këshilli i Evropës, NCSC, Komisionin Evropian, OSBE - Misioni në Kosovë, Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, Qendra për të Drejtat e Njeriut të UP-së, UNICEF, USAID, Twinning Project, Qendra Juridike e Kosovës, Komisioni i Ndihmës Juridike etj.

 

KËRKO AVOKAT

 
  • Intervista e kryetarit Havolli në emisionin Betimi për Drejtësi në RTK

    • Share
Shiko të gjitha