KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

OAK, mbajti mbledhjen e Rregullt të Kuvendit Vjetor, vazhdimi i së cilës do të bëhet së shpejti

14 May 2022

ekipi

Prishtinë, 14.05.2022 – Oda e Avokatëve të Kosovës në bazë të nenit 42 par. 3 dhe 4 të Ligjit për Avokatinë (Nr. 04/L-193), mbajti mbledhjen e Rregullt të Kuvendit Vjetor.

Në këtë Kuvend për pjesëmarrje u regjistruan 50 delegatë, nga 81 sa janë aktualisht me mandat të delegatit.

Delegatët e Kuvendit fillimisht  zgjodhën për kryesi të punës avokatët: Bardh Maksuti, Fatmire Braha, Avni Leci, Fatbardha Elezkurtaj dhe Kryetari i Odës (ex-officio), derisa Kuvendin e kryesoi delegati Bardh Maksuti, e më pastaj u aprovua rendi i ditës së Kuvendit dhe më tutje delegatët aprovuan edhe Procesverbalin e punës së Kuvendit të kaluar, i datës 29.05.2021.

Në piken e katërt të rendit të ditës Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi, para delegatëve prezantojë raportin e aktiviteteve të OAK-së, gjatë periudhës Janar – Dhjetor 2021 duke theksuar se përgjatë periudhës raportuese, Oda e Avokatëve të Kosovës, (përkundër vështirësive të mëdha) ka arritur suksese të jashtëzakonshme drejtë avancimit dhe krijimit të politikave për lehtësimin e ushtrimit të profesionit të avokatit.

Me tutje, Kryetari Ejupi, njoftoj delegatet me faktin se Oda e Avokatëve të Kosovës, ka shtrirë bashkëpunimin me institucione tjera për rritjen e efikasitetit dhe bashkërendimit të politikave të përbashkëta për ofrim të shërbimeve sa më të mira për qytetarë dhe në vazhdimësi janë shtuar përpjekjet për përmirësimin e pozitës së avokatëve në raport me institucionet e drejtësisë dhe institucionet tjera.

Kryetari potencoi se gjatë vitit 2021, Oda, ka shënuar progres por edhe ka marrë vendime të vështira dhe se OAK-ja, është ballafaquar me institucionet tjera me qëllim të respektimit të dinjitetit të avokatëve, derisa ka përmendur:

  • Bojkotin në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe realizimi i kërkesave të OAK-së;
  • Takimet me krerët e institucioneve të drejtësisë por edhe thellimi i bashkëpunimit me akterët tjerë, me qëllim të avancimit të mëtejmë të avokatisë;
  • Paraqitja e kërkesave të OAK-ë, për rritjen e tarifave për angazhimet sipas detyrës zyrtare dhe lehtësimin e procedurave, pranë KGJK-së dhe KPK-së;
  • Ndryshimet ligjore, veçanërisht Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Avokatinë, derisa OAK do të jetë prezente edhe në nismat për ndryshim plotësimet ligjore ku OAK ka interes;
  • Menaxhimin e financave në mënyrën më të mirë të mundshme, ku kursimet janë në shumë drejtime, pavarësisht se për vitin 2021, anëtarësia ishte zbritur;
  • Transparenca e plotë në OAK, me theks të veçantë publikimi në kohë reale të angazhimeve të avokatëve në rastet sipas detyrës zyrtare, sipas projektit të mbështetur nga OSBE të cilën e falënderoj për përkrahjen;
  • Hapja e zyrës së OAK-së, në Pallatin e Drejtësisë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për ofrimin e shërbimeve për avokatët, etj;

Z. Ejupi, duke paraqitur të arriturat e OAK-së, delegatëve të pranishëm, ua paraqiti planin për analizën që është bërë për blerjen e objektit, respektivisht modalitetet e pagesës së kredisë bankare, përmes planit të menaxhimit financiar. Sipas këtij plani, OAK, përmes pagesës nga kursimet e deritanishme, do të përfitoj në shumë aspekte ndërsa më kryesoret, ceku afatin e kredisë i cili në rast të aprovimit të buxhetit dhe masave të propozuara, shkurtohet për 5 vite dhe kjo i mundëson Odës, të paguaj më pak, për rreth 89.000 euro.

Pas përfundimit të pauzës së drekës është bërë verifikimi i kuorumit nga ku ka rezultuar se delegat të pranishëm kanë qenë 41 nga 43 sa duhet te jetë kuorumi, andaj në mungesë të kuorumit bazuar edhe në normativën e OAK-së, Kuvendi është shtyrë për të vazhduar në një datë tjetër.