KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

REAGIM ndaj lajmeve të publikuara në Gazetën Online Insajderi si dhe mediat tjera, me titull: “Kjo punë ka marrë fund”, përplasje në kuvendin e Odës së Avokatëve

16 May 2022

ekipi

16.05.2022, Prishtinë – Oda e Avokatëve të Kosovës, përmes këtij reagimi shprehë shqetësimin e saj, për publikimin e lajmit nga Gazeta Online Insajderi, me datë 14.05.2022 në ora 11:47AM, me titull: “Kjo punë ka marrë fund”, përplasje në kuvendin e Odës së Avokatëve.

Ky publikim është tendencioz në raport me Odën e Avokatëve të Kosovës nga Gazeta Online Insjaderi, sepse nga përmbajtja e raportimit rezulton sikur Kuvendi ka dështuar dhe ka qenë problematik dhe kjo tendencë  për OAK-në, paraqet dëmtim të imazhit të saj në raport me publikun.

Nëse kësaj i shtohen edhe shqetësimet e familjarëve të atyre që kanë qenë prezent, atëherë nuk është vështirë të konstatohet se përcjellja e Kuvendit dhe raportimi rreth saj, është bërë vetëm dhe ekskluzivisht për një moment të caktuar duke pasqyruar vetëm sjelljen e një delegati, por, pa raportuar edhe rrjedhën e mëtejme dhe diskutimet e delegatëve të tjerë.

Oda e Avokatëve të Kosovës, kërkon nga Insajderi dhe mediat tjera, që kur raportojnë lidhur me aktivitetet e OAK, raportimin ta bëjnë për rrjedhën e tërësishme të aktivitetit dhe jo vetëm raportimi i momenteve që e nxjerrin Kuvendin si problematik dhe jo të rregullt.

Sjellim në vëmendje se Gazeta Online Insajderi ka bërë një publikim po ashtu tendencioz me datë 13.05.2022, në ora 23:05 PM me titull: “Nesër mblidhen avokatët, kuvendi pritet të ketë tensione”.

OAK, ka mbajtur një Kuvend të rregullt, i cili fatkeqësisht nuk ka shkuar deri në fund për shkak të mungesës së kuorumit duke u shtyrë për një datë tjetër, tejkalimet e mundshme në sjellje të delegatëve do të trajtohen nga organet e OAK-së,  por asesi nuk mund të konkludohet se  për shkak të një veprimi puna e Kuvendit të Odës, nuk ka qenë e rregullt por me tensione.

Prandaj,

Oda e Avokatëve të Kosovës i kërkon Gazetës Online Insajderi që të kërkoj falje për këtë lajm të pjesshëm dhe jo real si dhe të fshij menjëherë lajmin tendencioz dhe të pa vërtetë, që dëmton imazhin e OAK-së dhe në publikimin e këtij reagimi, të kërkohet nga vet Insajderi që mediat tjera ta bëjnë të njëjtën gjë.

Oda e Avokatëve të Kosovës, është e hapur ndaj mediave, si dhe ndaj secilit qytetar të Republikës, për të dhënë informacionet që mund të kërkohen.

 

Me respekt,
Oda e Avokatëve të Kosovës
Prishtinë, 16.05.2022