17 November 2023
Prizren, 17.11.2023 – Dega Regjionale e Odës së Avokatëve të Kosovës në Prizren, mbajti Kuvendin zgjedhor në të cilin janë zgjedhur kryetari, nënkryetari, sekretari dhe delegatet e kësaj Dege. Në procesin e votimit kanë marrë pjesë 106 avokatë sa kanë qenë pjesëmarrës në këtë Kuvend, nga 128 avokatë sa i ka gjithsej kjo Degë.
Kuvendin e hapi me një fjalë rasti u.d. Kryetari i DR Prizren, z. Visar Ostrozubi, derisa Kryetari i OAK-së z. Behar Ejupi, përshëndeti punimet e këtij Kuvendi duke uruar që procesi zgjedhor të shkoj në mënyrë sa më demokratike, e duke theksuar se Oda e Avokatëve të Kosovës duhet të jetë në funksion të zbatimit të misionit të saj, e sa më afër anëtarësisë së saj, me qëllim të lehtësimit të ushtrimit të profesionit.
Kuvendi mbajti një minut heshtje për ish Kryetarin e ndjerë të Degës, avokatin Hajrip Krasniqi dhe avokatët tjerë të ndjerë në këtë degë.
Avokatët e Degës Regjionale në Prizren, vendosen përmes votimit se në mandatin e ardhshëm këtë Degë do ta udhëheq avokat Blerim Mazreku, i cili u zgjodh kryetar i Degës, me shumicë votash, ndërsa kundër kandidat ishin avokatët, Bahrie Besimi, Valon Kabashi dhe Visar Ostrozubi.
Po ashtu, avokatët gjatë Kuvendit kanë zgjedhur edhe anëtarët e kryesisë së Degës Regjionale në Prizren. Nënkryetar i Degës Regjionale në Prizren u zgjodh av. Gentian Krasniqi, ndërsa për sekretar është zgjedhur avokati Dardan Morina.
Avokatët e Regjionit në Prizren, zgjedhën 9 (nëntë) delegatët e saj, të cilët do të përfaqësojnë Degën, në Kuvendin e Përgjithshëm të Odës së Avokatëve të Kosovës.
Oda e Avokatëve të Kosovës në mënyrë transparente dhe demokratike është duke i mbajtur zgjedhjet edhe në Degët tjera Regjionale. Kryetarët e zgjedhur të Degëve Regjionale janë edhe anëtarë të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës.