KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Oda e Avokatëve të Kosovës, përmbylli manifestimin për nderë të Ditës së Avokatisë – 50 vjetori i Themelimit

11 December 2023

ekipi

Në një atmosferë madhështore dhe në prezencën e shumë pjesëmarrësve, Oda e Avokatëve të Kosovës shënoj 50-vjetorin e themelimit të saj, me një ceremoni të veçantë të mbajtur në Prishtinë më datat 8 dhe 9 dhjetor 2023.

Ceremonia qendrore e 50-vjetorit të themelimit të Odës së Avokatëve të Kosovës, ka filluar me fjalimin e Kryetarit Ejupi, i cili ka reflektuar mbi rrugën e gjatë dhe të pasur të Odës së Avokatëve të Kosovës, në shërbim të drejtësisë dhe lirisë. Ai ka përgëzuar kontributin e palodhur të avokatëve në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe zhvillimin dhe përparimin e profesionit të avokatit në Kosovë.

Fjalimet dhe prezantimet e zëvendës ministrit të drejtësisë z. Vigan Qorrolli, përfaqësuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Fahret Vellija, përfaqësuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës z. Arian Gashi, pastaj Ambasadorit të OSBE-së në Kosovë z. Michael Davenport dhe Kryetarit të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë z. Maksim Haxhia, të cilët kanë theksuar lidhur me rëndësinë e rolit të avokatit, në krijimin dhe funksionimin e një sistemi të fortë të drejtësisë.

Në këtë ngjarje të rrallë, morën pjesë shumë avokatë, përfaqësues të institucioneve më të larta vendore, por edhe ndërkombëtare, si dhe delegacione nga Odat e Avokatëve të vendeve të rajonit.

Në pjesën e dytë të ceremonisë, Kryetari Ejupi ka ndarë çmime të veçanta për ish-kryetarët e OAK-së, duke iu shprehur mirënjohje për kontributin e tyre të veçantë në zhvillimin e avokatisë në Kosovë dhe të OAK-së.

Çmimet i’u ndanë ish kryetarëve si: Mustafa Radoniqi, Teki Bokshi, Xhafer Maliqi, Lirie Osmani, Adem Vokshi, Ramë Gashi dhe Ibrahim Dobruna.

Kryetari Ejupi, ndau edhe një çmim post mortum, për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të ish kryetarit të degës regjionale në Prizren, Hajrip Krasniqi. Ai, u nderua për përkushtimin e tij ndaj drejtësisë dhe avancimin e profesionit të avokatit. Çmimin e morën dy fëmijët e tij, Albulena dhe Klodiani, në një moment emocional që theksoi ndarjen e një nderimi të veçantë në kujtim të Hajrip Krasniqit.

Po ashtu, në emër të kontributit të veçantë të dhënë për Odën e Avokatëve të Kosovës, ky çmim i’u dhurua edhe dy pjesëtarëve të administratës së Odës së Avokatëve të Kosovës, përkatësisht Lindita Fazliu (Asistente Administrative) dhe Besim Abdullahu (Zyrtar për Komunikim).

Laureatët u nderuan me këto çmime për kontributin e tyre të shquar dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm ndaj profesionit të avokatit dhe zhvillimit të Odës së Avokatëve të Kosovës. Ceremonia solli një moment të veçantë, për të shprehur mirënjohjen dhe krenarinë për historinë e ndritur të organizatës dhe njerëzve që kanë ndihmuar në formimin dhe avancimin e saj.

Në fund të ceremonisë qendrore, u shfaq një program kulturor-artistik shumë i pasur, pjesë e të cilit ishin disa këngë të interpretuara nga ansambli Zanat.

Dita e Avokatisë – 50 vjetori i themelimit të OAK-së, është përmbyllur me një mbrëmje festive me pjesëmarrjen e shumicës së avokatëve në nivel të Kosovës, e cila ka sjellë një moment të ngrohtë dhe festiv.

Kjo ngjarje e veçantë ka shënuar një ditë të rëndësishme në historinë e drejtësisë në Kosovë, duke theksuar rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të avokatëve në ruajtjen dhe avancimin e vlerave të drejtësisë dhe lirisë në shoqërinë kosovare.