KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

UDHËZIME për zbatimin e Rregullores për caktimin e avokatëve ex-officio dhe në Agjensionin e Ndihmës Juridike Falas

03 August 2016

ekipi

Caktimi sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Policia e Kosovës (PK) me datë 26 Prill 2016 në përkrahjen e OSBE-së nënshkruan Marrëveshjen e Mirëkuptimit.

Përmes kësaj Marrëveshje të Bashkëpunimit palët nënshkruese themeluan mekanizëm koordinues funksional për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në çështjet penale, për të siguruar dhe ofruar shërbime efektive dhe profesionale të mbrojtjes gjyqësore me shpenzime publike, në pajtim me obligimet që dalin nga ligji i aplikueshëm, praktikat dhe standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë.

Palët nënshkruese në mënyre pro-aktive do të promovojnë dhe mbrojnë të drejtat e të pandehurve duke siguruar mbrojtje gjyqësore efektive dhe profesionale me shpenzime publike, në interes te drejtësisë në të gjitha fazat e procedurës penale.

Në zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimi, Këshilli Drejtues në mbledhjen e datës 28 qershor 2016 aprovoi Rregulloren për caktimin e avokatëve ex-officio dhe në Agjensionin e ndihmës juridike falas. Rregullorja ka filluar zbatimin prej datës 01 gusht 2016.

Përmes Marrëveshjes dhe Rregullores OAK ka arritur të krijoj rregulla të qarta për caktimin e avokateve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas.

UDHËZIME

Për zbatimin e Rregullores për caktimin e avokatëve ex-officio dhe në Agjensionin e ndihmës juridike falas (metutje Rregullorja)

Rregullorja ka filluar të zbatohet nga data 01 gusht 2016.

Listën e avokatëve për përfaqësimin në Polici, Prokurori, Gjykatë dhe ANJF e përbëjnë të gjithë avokatët që janë deklaruar dhe shprehin interesim për të përfaqësuar sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas në ANJF.

Sipas rregullores të gjithë avokatët do të angazhohen pa kategorizim në Polici, ndërsa për angazhim ex-officio në Prokurori dhe Gjykatë do të angazhohen sipas kategorizimeve të parashikuara në këtë rregullore, në bazë të përvojës së tyre.

Obligimet e avokatëve të angazhuar ex-officio, sipas rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas, janë:

  • Avokatët e angazhuar në Polici janë të obliguar që të informojnë Zyrën Koordinuese lidhur me kualifikimin e veprave penale të përfaqësuara në Polici procedimin e rastit apo heqjes dorë nga përfaqësimi i mëtejmë.
  • Në Departamentin e përgjithshëm pranë Gjykatave dhe Prokurorive Themelore dhe Agjensionin e Ndihmës Juridike Falas do të angazhohen avokatët të cilët kanë nën 3 vite përvojë pune si avokatë, gjyqtarë apo prokurorë.
  • Në Departamentin e Krimeve të Rënda, dhe në Departamentin për të Mitur në Gjykata dhe Prokurori Themelore do të angazhohen avokatët të cilët kanë mbi 3 vite përvojë pune si avokatë, gjyqtarë apo prokurorë.
  • Në qytetet në të cilat nuk ka Departament të Krimeve të Rënda pranë Gjykatave dhe Prokurorive Themelore do të angazhohen të gjithë avokatët pa kategorizim.
  • Avokatët do të caktohen për përfaqësim vetëm në qytetin ku e kanë selinë e zyrës e përjashtimisht në mungesë të avokatëve edhe në qytetin më të afërt.
  • Avokatët të cilët angazhohen në Polici, nëse rasti vazhdon në Prokurori dhe në Gjykatë janë të detyruar që të njoftojnë Zyrën Koordinuese të OAK-së, nëse të njëjtit nuk mund të vazhdojnë rastin më tutje për shkak të kategorizimit të paraparë në rregullore.
  • Kur rasti është në vazhdim avokatët obligohen të njoftojnë zyrën koordinuese lidhur me seancat e mbajtura me qëllim të evidentimit të angazhimeve në bazën e shënimeve.
  • Avokatët obligohen që pas dorëzimit të faturave në Gjykata/Prokurori kopjen e faturës ta dorëzojnë në OAK/Zyra Koordinuese, përmes Degës Regjionale/Zyrës e Kryetarit të Degës Regjionale përmes dorëzimit fizik apo elektronike.
  • Zyra Koordinuese pas pranimit të kopjeve të faturave të avokatëve, do të përgatis dhe dërgoj vërtetimet përkatëse në Gjykata/Prokurori për konfirmimin e angazhimeve të avokatëve konform kësaj rregullore me qëllim të realizimit të pagesës.
  • Pa vërtetimet që OAK i lëshon, nuk do të procedohen pagesat.
  • Në të gjitha rastet kur ka konflikt interesi avokatët e angazhuar në momentin që kuptojnë se ekziston konflikt interesi menjëherë duhet ta informojnë Zyrën Koordinuese.
  • Avokatët të cilët angazhohen sipas detyrës zyrtare, janë të obliguar që brenda një viti kalendarik të ofrojnë ndihmë juridike falas (Pro Bono), në së paku një rast, caktimi i avokatit në rastet Pro Bono bëhet përmes Zyrës Koordinuese.
  • Avokatët të cilët angazhohen sipas detyrës zyrtare janë të obliguar që të mbështesin OAK-në dhe Zyrën Koordinuese me dy përqind (2%) të të ardhurave nga angazhimi sipas detyrës zyrtare e cila fillon të zbatohet prej datës 01/01/2017.
  • Lista e avokatëve të angazhuar do të publikohet çdo fillim të javës në web portalin e OAK-se www.oak-ks.org.
  • Zyrën Koordinuese mund ta kontaktoni në: Adresa Bedri Pejani nr.31 Prishtinë (zyra qendrore e OAK-së), në e-mail: zyrakoordinuese@oak-ks.org ose në numrat e telefonit: 044/876-686 dhe 044/518-642

Prishtinë,

01.09.2016