KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

OAK vlerësohet për transparencë në sistemin disiplinor

14 January 2014

ekipi

Kampanja Drejtësia dhe Qytetarët uron Odën e Avokatëve të Kosovës në përmirësimin e transparencës në Sistemin e Drejtësisë përmes Statutit të Ri dhe përmes Rregullores së Re të Procedurës Disiplinore

Kampanja Drejtësia dhe Qytetarët uron Odën e Avokatëve të Kosovës për miratimin e Statutit të Ri dhe të Rregullores së re të Procedurës Disiplinore të kësaj Ode. Duke lejuar publikimin e emrave të avokatëve të gjetur fajtor për sjellje të pahijshme dhe duke promovuar qasjen e qytetarëve në të dhënat disiplinore, statuti promovon transparencë dhe llogaridhënie në sistemin e drejtësisë. Zbulimi i emrave të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shpallur fajtor për sjellje të pahijshme është rekomandimi kryesor i kampanjës Drejtësia dhe Qytetarët për të promovuar llogaridhënie brenda sektorit të drejtësisë në Kosovë. OAK e ka njohur këtë propozim duke e miratuar këtë rregullore.

Statuti dhe rregullorja disiplinore, te cilat janë aprovuar më 16 nëntor në takimin e Kuvendit të Përgjithshëm të Odës, parashikojnë që vendimet disiplinore të Odës të publikohen, duke përfshirë emrin e avokatit të disiplinuar dhe sanksionin që është shqiptuar. Përveç kësaj, statuti u garanton qytetarëve të interesuar për ndihmë të avokatëve të drejtën e qasjes në të dhënat disiplinore të avokatit. Statuti gjithashtu parashikon emërimin e një Prokurori Disiplinor në kuadër të Odës së Avokatëve, i cili do të iniciojë hetimet e shkeljeve të pretenduara disiplinore.

Kampanja Drejtësia dhe Qytetarët e sheh publikimin e emrave të gjyqtarëve dhe prokurorëve si një reformë të nevojshme për të promovuar transparencën dhe llogaridhënien në sektorin e drejtësisë. Kampanja ka avokuar për publikimin e vendimeve disiplinore, përfshirë emrat e zyrtarëve të disiplinuar, në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Mbi 2,400 qytetarë nënshkruan një peticion për të kërkuar nga Këshilli Gjyqësor të bëjë të ditur emrat e gjyqtarëve të disiplinuar. Në partneritet me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), nisma strategjike e Kampanjës për çështje gjyqësore, nëpërmjet padisë për konflikt administrativ, kërkoj nga Gjykata Supreme lëshimin e një urdhri që i kërkon Këshillit Prokurorial të bëjë të ditur emrat e prokurorëve të disiplinuar. As KGJK e as KP-ja nuk i janë përgjigjur rekomandimeve të Kampanjës.

“Vendimi i marrë nga Kuvendi i Odës së Avokatëve është një hap inkurajues për transparencë dhe llogaridhënie, dhe do të rrisë besimin në mesin e qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë," tha Agon Gashi, Zyrtar Ligjor i Programit në Kampanjën Drejtësia dhe Qytetarët.

Statuti dhe Rregullorja e Brendshme Disiplinore të Odës do të hyjnë në fuqi duke filluar nga janari, 2014.

Për më shumë informacione lidhur me Odën e Avokatëve të Kosovës, si dhe për të parë tekstin e plotë të statutit të ri, vizitoni ueb faqen e Odës së Avokatëve: www.oak-ks.org

Për t’u përfshirë në Kampanjën Drejtësia dhe Qytetarët dhe për të mësuar më shumë për këtë çështje, vizitoni faqen e internetit të kampanjës: www.drejtesiadheqytetaret.org.

Rreth Kampanjës:

Kampanja Drejtësia dhe Qytetarët është një lëvizje që sjell së bashku qytetarët dhe grupet e shoqërisë civile në Kosovë që të punojnë për reformën në sistemin e drejtësisë dhe për të promovuar ndryshim përmes avokimit publik. Qëllimi ynë është që të promovojmë një sistem juridik më të drejtë dhe llogaridhënës dhe për të rritur përgjegjshmërinë e tij për nevojat e qytetarëve. Kampanja përfshinë tri shtylla kryesore, të cilat së bashku mbështesin misionin e saj:

1. Edukimi Publik Kombëtar dhe Kampanja për Avokim

2. Klinikat e ndihmës juridike pa pagesë

3. Iniciativa e Çështjeve Gjyqësore Strategjike.