KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Agjencia Turke TIKA e gatshme të mbështet Odën e Avokatëve

16 September 2014

ekipi

Prishtinë – Krijimi i bashkëpunimit në mes Odës së Avokatëve të Kosovës dhe Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar me zyre në Republikën e Kosovës (TIKA), ishte temë e takimit të Kryetares së Komitetit për Çështje Gjinore, Merita Stublla Emini dhe Zëvendëskryetarit të TIKA, Eyup Umutlu.

Kryetarja e Komitetit për Çështje Gjinore, Merita Stublla Emini shprehu falënderim ndaj shtetit të Turqisë lidhur me mbështetjen e dhënë Republikës së Kosovës gjatë këtyre viteve.

Znj. Stublla Emini gjatë takimit shtroi për diskutim shumë çështje që kanë të bëjnë me nevojat Odës së Avokatëve të Kosovës në shërbim të avokatisë në Kosovë si një profesion i pavarur dhe i rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Ligjin për avokatinë dhe aktet tjera normative. Ajo ndër të tjera vuri theksin tek nevoja për një vizitë studimore në Turqi për ngritjen e kapaciteteve si dhe për tu njohur me metodologjinë e avancimit të juristëve të kyçura në profesion.

Sipas kryetares se komitetit, Oda e Avokatëve të Kosovës është duke u ballafaquar me problemin e hapësirës (objektit), pasi sipas saj, OAK është duke funksionuar brenda një hapësire të zyrës prej 60 m2, e cila është e pa mjaftueshme për të funksionuar administrata e Odës dhe aktivitetet në rritje të këtij institucioni. Lidhur me këtë çështje, ajo kërkoj nga zëvendëskryetari i TIKA-së, Eyup Umutlu që të përkrahet OAK për ndërtimin e një objekti i cili do të shërbente për funksionalizim dhe ofrim të shërbimeve sa më të mira për avokatet në Republikën e Kosovës.

Në anën tjetër, Zëvendëskryetari i Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar me zyre në Republikën e Kosovës, Eyup Umutlu shprehur mirënjohjen e tij për të arriturat e Odës së Avokatëve të Kosovës si një institucion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Zëvendëskryetari i TIKA-së shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës duke vënë theksin në pikat e paraqitura nga kryetarja Merita Stublla Emini gjatë takimit.

Sipas tij, Agjencia Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar do të angazhohet për të përkrahur Odën e Avokatëve të Kosovës dhe për të fuqizuar Komitetit për Çështje Gjinore të OAK-së në bazë të nevojave që do të paraqiten përmes shkresave zyrtare.

Zyra për Komunikim