19 September 2014
Prishtinë - Oda e Avokatëve të Kosovës organizoi një takim lamtumirës për nderë të z. Harold D. Dampier, Jr. për përfundimin e misionit të tij si menaxher i projektit për Programin për Juristet në Kosovë i cili implementohet në partneritet nga USAID dhe NCSC.
Në këtë takim lamtumirës ishin të pranishëm kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, delegatet e Kuvendit, anëtarët e Këshillit Drejtues, anëtaret e Komiteteve dhe të tjerë pjesëmarrës me të cilët ka bashkëpunuar gjatë këtyre viteve.
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Ibrahim Dobruna gjatë fjalimit të tij, falënderoi z. Dampier për bashkëpunimin, përkrahjen dhe angazhimin e tij gjatë këtyre viteve dhënë Odës së Avokatëve të Kosovës. Ai theksoi disa nga të arriturat të bëra nën përkrahjen e Programit për Juristet në Kosovës duke ndikuar që rezultatet e Odës së Avokatëve të Kosovës të jenë të arrira dhe reformuese.
Në anën tjetër, shefi i deri tashëm i Programit për Juristet në Kosovë, z. Harold D. Dampier, Jr. falënderoi të gjithë avokatet dhe bashkëpunëtoret që kanë qenë pjesë e projektit për tre vite. Dampier duke shprehur kënaqësinë për punën e tij me Odën e Avokatëve të Kosovës dhe ngrohtësinë që ka hasur theksoi se avokatet në Kosovë kanë një potencial të jashtëzakonshëm në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Kjo sipas tij, fal politikës udhëheqëse të Odës së Avokatëve të Kosovës.
Oda e Avokatëve të Kosovës me rastin e 41 vjetorit të Odës së Avokatëve të Kosovës në qershor 2014 ia ka ndarë çmimin “Justiniani”, për kontribut dhënë drejtësisë kosovare dhe përkrahjen e Odës së Avokatëve të Kosovës.
Në Janar të vitit 2012 USAID-i ka filluar iniciativën për fuqizimin e profesionit juridik në Kosovë. Duke ndërtuar mbi një dekadë të ndihmës së USAID-it për të institucionalizuar Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK), Programi për Juristët në Kosovë (PJK) ka pasqyruar një qasje të re të fokusuar në qëndrueshmërinë për të përmirësuar shërbimet për anëtarët, forcimin e llogaridhënies, dhe ofrimin e trajnimeve të vazhdueshme për të plotësuar nevojat e së ardhmes me jurist të specializuar. Programi PJK, gjithashtu ka promovuar barazinë gjinore dhe ka kultivuar lidershipin në mesin e femrave avokate dhe studentet e juridikut, duke inkorporuar politikat e USAID-it për Barazi Gjinore dhe Fuqizimi i Femrave në hartimin dhe zbatimin e projekteve.