18 September 2014
Delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës nën udhëheqjen e kryetarit, z. Ibrahim Dobruna kanë marrë pjesë në Konferencën Turko-Gjermane të avokatëve e cila është mbajtur në Ankara, me 9 – 12 shtator 2014.
Delegacioni ishte ftuar nga Unioni i Odave të Avokatëve të Turqisë (UOAT), gjegjësisht nga kryetari, z. Metin Feyzioglu, që kishte për qëllim krijimin e raportet e afërta mes të vendeve mike dhe forcimit edhe më tepër përmes diskutimeve rreth mundësive të bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët.
Nën organizimin e përbashkët të Shoqatës Turke të Avokatëve dhe Shoqatës Gjermane të Avokatëve me datë 10.09.2014 është mbajtur Konferenca Turko-Gjermane e avokatëve me temën “Avokat i fortë, sundim i fortë i ligjit - Roli i avokatit në shtetin që udhëhiqet nga sundimi i ligjit”.
Gjatë këtyre ditëve, përfaqësuesit e OAK-së, z. Ibrahim Dobruna, avokati z. Fatmir Jelliqi dhe Merita Kida, janë takuar me Kryetarin e Unionit të Odave të Avokatëve të Turqisë, Prof. Dr. Avokat Metin FEYZIOGLU dhe Dr. Michael Kranz, Nënkryetar i Shoqatës së Avokatëve të Gjermanisë, me avokatin, z. Kursat KARACABEY, anëtar i Kryesisë së Unionit dhe me shumë anëtarë tjerë të Unionit. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të vendeve tjera, si Odat e Avokatëve të Shqipërisë, Azerbejxhanit, Uzbekistanit, Turkmenistanit, Bosnje e Hercegovinës, Republikës Turke të Qipros Veriore, Gjeorgjisë, Kirgistanit, Maqedonisë dhe Kazakistanit.
Konferencën e hapi Kryetari i Unionit të Odave të Avokatëve të Turqisë, Prof. Dr. avokat Metin FEYZIOGLU, i cili theksoi rëndësinë e rolit të avokatit në sundimin e ligjit në një shtet. Sipas tij, në thelb roli i çdo avokati në sundimin e ligjit në një vend demokratik, duhet të jetë shumë aktiv, dhe nëse një shtet nuk është demokratik, atëherë vjen në shprehje arbitrariteti i degëve ekzekutive dhe legjislative, i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Prandaj, për të arritur një sundim ligji të mirëfilltë, duhet të funksionojë në mënyrë përfekte treshja e pavarur: gjyqtar, prokuror, avokat, pa ndikimin e pushtetit.
“Misioni ynë është të luftojmë arbitraritetin, të diskutojmë zgjidhje të problemeve që ndihmojnë sundimin e ligjit dhe prandaj ky takim është shumë i rëndësishëm. Ne besojmë se të gjithë miqtë tanë, mysafirët në këtë takim, do ta ndihmojnë Turqinë në këtë drejtim. Procesi i nisur nga Turqia për të përmbushur kriteret e Kopenhagës në përputhje me sundimin e ligjit dhe të gjyqësorit, nuk është vetëm problem i Turqisë por edhe çështje me rëndësi për shqyrtim e Evropës. Në këtë drejtim, bllokimi i anëtarësimit të plotë të Turqisë ne BE është jo i arsyeshëm. Prandaj në këtë pikë presim mbështetjen e Shoqatës Federale Gjermane të Avokatëve” , ka thënë gjatë konferencës kryetari i Unionit të Odave të Avokatëve të Turqisë, Prof. Dr. avokat Metin FEYZIOGLU.
Në vazhdim diskutuan edhe Dr. Michael Krenz, Nënkryetar i Shoqatës së Avokatëve të Gjermanisë, Dr Hans Ulrich Wessels, pastaj profesorët e Universiteteve Yeditepe dhe atij të Stambollit, Dr. Koksal Bayraktar dhe Dr. Haluk Burcuoglu, të cilët diskutuan mbi “Rolin e avokatit në sistemin e drejtësisë”, avokatja Sema Aksoy, Kryetare e Shoqatës së Avokatëve të Ankarasë, e cila foli mbi temën “Avokimi i fortë dhe i pavarur si një element thelbësor në demokracinë bashkëkohore”.
Në ditën e dytë, me datë 11.09.2014, është organizuar tryezë e rrumbullakët me vendet turkofolëse dhe me lidhje vëllazërore, lidhur me mbështetjen e idesë së bashkimit nën një union të përbashkët të këtyre vendeve, ku u firmos dokumenti i pëlqimit të formimit të Unionit, u diskutua Draft/Statuti i Unionit, ashtu që të pranishmit u dakorduan që brenda 30 ditëve të sjellin rekomandimet, propozimet për ndryshime të këtij Draft/Statuti, në mënyrë që të vazhdohet me procesin.
Delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës gjatë vizitës ka paraqitur kërkesat për mbështetje të Odës së Avokatëve të Kosovës që ka të bëjë me ndihmën financiare për zgjedhjen e problemit të hapësirës për zyrën qendrore të OAK-së, çështjen e implementimit të Pullës postare e cila është e paraparë sipas Ligjit për Avokatinë si dhe bashkëpunimin me një prej Odave të Avokatëve në Turqi.
Ndërsa, kjo vizite, arriti objektivat duke vendos baza të fuqishme të bashkëpunimit, dhe të mbështetjes së OAK-së, nga Unioni i Odave të Avokateve të Turqisë, u nënshkrua dokumenti për themelimin e Unionit të Odave, ku bashkëthemeluese do të jetë edhe Oda e Avokatëve të Kosovës.
Gjithashtu, u pranua ftesa nga kryetari z. Feyzioglu për të vizituar Odën e Avokatëve të Kosovës në nëntor të këtij viti, si shprehje e vullnetit të mirë për bashkëpunim të ndërsjellë.
Gjatë vizitës në Turqi, delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës u prit në takim edhe nga atasheu ushtarak i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Ankara, z. Bekim Osmani, i cili u zotua se idenë për bashkëpunim dhe ndihmë për ndërtimin e objektit të Odës së Avokatëve të Kosovës, do ta përcjellin në Qeverinë e Republikës së Turqisë.