12 September 2014
Milano / Itali - Përfaqësuesit e Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Yll Zekaj, Drejtor Ekzekutiv dhe kryetari i Degës Regjionale në Pejë dhe njërit anëtar i Këshillit Drejtues, avokati z. Arianit Nikqi, kanë marrë pjesë në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm dhe të PECO Committee të CCBE-së në Milano të Italisë me datë 11 shtator 2014. Qëllimi i pjesëmarrjes së përfaqësueseve të PECO Committee të CCBE-së ishte lobimi dhe krijimi i kontakteve në drejtim të anëtarësimit të Odës së Avokatëve të Kosovës në asociacionet e ndryshme ndërkombëtare si dhe prezantim i të arriturave dhe sfidave të Odës së Avokatëve të Kosovës në mbledhjen e PECO Committee të CCBE-së, në të cilën mbledhje trajtohen problemet e shteteve të Evropës Juglindore.
Autoriteti i CCBE-së dhe angazhimi i saj në mbrojtjen e interesave të avokatëve të Evropës është i njohur në të gjitha institucionet e drejtësisë në Evropë dhe pjesëmarrja e Odës së Avokatëve të Kosovës në mbledhjen e PECO Committee është e rregullt.
Në fillim të kësaj mbledhje, nënkryetari i kësaj organizate, z. Ranko Peliqariq, u ka prezantuar pjesëmarrësve raportin e CCBE-së dhe njëherit ka kërkuar një prezantim të shkurtër të aktiviteteve të secilës Odë pjesëmarrëse në takim dhe prezantimin e problemeve eventuale me të cilat ballafaqohen. Në këtë mbledhje, kryesisht është trajtuar problemi i avokatëve të Ukrainës që kanë me shtetin e Rusisë gjatë konfliktit aktual.
Në këtë takim përfaqësuesit e Odës së Avokatëve të Kosovës prezantuan aktivitetet dhe problemet me të cilat ballafaqohet dhe në të njëjtën kohë, ata falënderuan CCBE për angazhimin e tyre për veprimet e tyre të ndërmarra sa i përket amandamentimit të nenit të nenit 86 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, e që kanë rezultuar me një letër dërguar Presidentes së Kosovës, Kryeministrit të Kosovës, Kryetarit të Parlamentit si dhe Ministrit të Drejtësisë. Z. Zekaj dhe z. Nikqi njoftuan të pranishmit lidhur me ngërçin politik që ekziston në Kosovë, shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe pamundësinë autoriteteve që të veprojnë në drejtim të amandamentimit të këtij neni.
Gjatë raportimit, përfaqësuesit e OAK-së njoftuan pjesëmarrësit lidhur me problemin e NOTERIS në Kosovë dhe Arkat fiskale për avokatë. Ata kërkuan ndihmë për mundësinë e zgjidhjes së këtyre probleme, pastaj nga të pranishmit tjerë u bë e ditur se me të njëjtin probleme ballafaqohen edhe disa shtete tjera si Serbia, Maqedonia, Bullgaria etj, meqenëse shumë shtete janë duke u sfiduar me këto probleme. Në këtë takim është vendosur që secila Odë t’i prezantoj problemet në formë të shkruar dhe atë me përshkrime detale, e pastaj, CCBE do ta përpiloj një letër ku do të prezantohet të gjitha problemet dhe do tu dërgohen autoriteteve përkatëse të secilit shtet me propozim për zgjedhjen e tyre.
Po ashtu, është diskutuar problemi i mungesës së hapësirës së Odës së Avokatëve të Kosovës për zhvillimin e aktiviteteve si dhe mundësinë e ndikimit të CCBE-së tek Institucionet e Kosovës për sigurimin e një hapësire në objektet shoqërore, për këtë çështje ka mbetur të bisedohen më detajisht në takimet e radhës me CCBE.
Në këtë mbledhje, delegacionet e ndryshme kanë prezantuar problemet e shumë Odave të Avokatëve që kanë me qeveritë e shteteve të tyre, si dhe janë trajtuar mundësitë për tejkalimin e këtyre problemeve.
Përfaqësuesit i OAK-së, kanë realizuar një takim të veçantë me nënkryetarin e PECO Committee, z. Ranko Peliqarqiq dhe sekretaren e CCBE, znj. Siglinde Gamsier dhe të njëjtëve u është prezantuar propozimi i i kryetarit të OAK-së z. Ibrahim Dobruna, që gjatë vitit 2014 apo 2015 të organizohet një mbledhje e CCBE-së edhe në Kosovë. Ftesa është mirëpritur pozitivisht, mirëpo për detajet tjera organizative ka mbetur diskutohet pas shqyrtimit të agjendave të të dy organizatave.
Oda e Avokatëve të Kosovës përmes politikës së jashtme në organizatat ndërkombëtare të avokatëve ka shtuar angazhimin me qëllim të përfaqësimit sa me të denjë dhe prezantimin e problemeve, sfidave dhe procese tjera relevante si dhe bashkërendimi i veprimeve me CCBE-në.