08 October 2014
Oda e Avokatëve të Kosovës ka humbur sot (08 tetor 2014) anëtarin e saj të shquar, avokatin Fazli Balaj. Varrimi i të ndjerit bëhet me datë 08 tetor 2014, në ora 16:00 në varrezat e Fshatit Dobërdelan të Komunës së Suharekës.
Me këtë rast, Oda e Avokatëve të Kosovës organizon mbledhjen komemorative sot në ora 13:00 në zyret e reja të OAK-së, Rr. Tirana, Nr. 19 , Prishtinë.
Fazli Balaj ka lindur më 01 janar 1945 në Fshatin Dobërdelan të Komunës së Suharekës. Studimet i përfundoi në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti Juridik-Ekonomik në vitin 1967, kurse provimin e jurisprudencës e ka dhënë me datë 05 mars 1969 në Prishtinë.
Avokati, Fazli Balaj është regjistruar në Odën e Avokatëve të Kosovës me 26 shtator 1984 me seli të zyrës në Prishtinë.
Largimi i tij i papritur është një humbje e madhe për tërë familjen dhe për të gjithë ata që e njihnin atë.
Oda e Avokatëve të Kosovës dhe Dega Regjionale në Prishtinë shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve dhe kolegëve të tij.
Veprimtaria e avokatit Fazli Balaj
Gjatë këtyre viteve nën rrethana të rënda që është gjetur ky popull, ai i ka përballur me shkathtësitë e tij profesionale, e para se gjithash me guximin patriotik sipas kërkesave të kohës.
Shumë avokatë kanë bart mbi supet angazhimin e qëndresës së avokatit në rrethana mjaftë të vështira, Ndër ta edhe, Fazli Balaj, që përmes angazhimit të pakursyer ka dhënë kontribut dhe për këtë, do të ketë respektin e plotë të secilit prej nesh.
Kontributi profesional në angazhimet e tij është shumë i vlerësuar dhe këtë vit Oda e Avokatëve të Kosovës i ndau mirënjohje z. Fazli Balaj për kontributin e dhënë në avokatinë kosovare dhe sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Avokati Fazli Balaj ishte njëri nga themeluesit e këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në vitin 1989 dhe anëtar i Bordit të tij deri në mbarimi e luftës në Kosovë. Avokat aktiv i këtij këshilli me avokatët e tjerë, në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve gjatë viteve të 90-ta që shkeleshin nga regjimi i Millosheviqit.
Gjatë asaj kohe ishte avokat i zëshëm në proceset gjyqësore politikë të konstruktuara nga regjimi, në mbrojtjen e të përndjekurve, aktivistëve të lëvizjes dhe të luftërave për pavarësinë e Kosovës deri në ditën fundit para bombardimeve të NATOS.
Fazli Balaj ishte bashkëhartues i Kallëzimit Penal kundër Millosheviqit e bashkëpunëtorëve të tij, të cilin kallëzim penal e deponuan në Tribunalin e Hagës në maj të vitit 1998, bashkë me të avokatin e ndjerë Bajram Kelmendin dhe avokatin Destan Rukiqi.