08 October 2014
E nderuara Familje Balaj,
Të nderuar kolegë avokatë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Lajmi për ndarjen e pa pritshme nga jeta e kolegut tonë Fazli Balaj na tronditi të gjithëve.
Të nderuar të pranishëm,
Sot ne kur po përcjellim kolegun tonë, ne përkujtojmë Fazli Balajn, juristin dhe avokatin e shquar, një zotëri më dinjitet, një prind dhe bashkëshort i devotshme, jurist me principe, aktivist i palodhshme i angazhuar në profesionin e avokatit.
Gjatë këtyre viteve nën rrethana të rënda që është gjetur populli shqiptar, ai së bashku me koleget e tij, i ka përballur me shkathtësitë e tij profesionale, e para se gjithash me guximin patriotik sfidat e kohës.
Shumë avokatë kanë bart mbi supet angazhimin e qëndresës së avokatit në rrethana mjaftë të vështira, Ndër ta edhe, Fazli Balaj, që përmes angazhimit të pakursyer ka dhënë kontribut dhe për këtë, do të ketë respektin e plotë të secilit prej nesh.
Kontributi profesional në angazhimet e tij është shumë i vlerësuar.
Këtë vit, në shenjë të mirënjohjes dhe respektit, Oda e Avokatëve të Kosovës i ndau mirënjohje z. Fazli Balaj për kontributin e dhënë në avokatinë kosovare dhe sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Avokati Fazli Balaj ishte njëri nga themeluesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në vitin 1989 dhe anëtar i Bordit të tij deri në mbarimi e luftës në Kosovë. Avokat aktiv i këtij këshilli me avokatët e tjerë, në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve gjatë viteve të 90-ta që shkeleshin nga regjimi i Millosheviqit.
Gjatë asaj kohe ishte avokat i zëshëm në proceset gjyqësore politike të konstruktuara nga regjimi, në mbrojtjen e të përndjekurve, aktivistëve të lëvizjes dhe të luftërave për pavarësinë e Kosovës deri në ditën fundit para bombardimeve të NATO-s.
Fazli Balaj ishte bashkëhartues i Kallëzimit Penal kundër Millosheviqit e bashkëpunëtorëve të tij, të cilin e deponuan në Tribunalin e Hagës në maj të vitit 1998, bashkë me avokatin e ndjerë Bajram Kelmendin dhe mikun e tij dhe avokatin Destan Rukiqi.
Kolegu jonë dallohej me ndershmërinë, etikën profesionale dhe besueshmërinë, duke vepruar kështu me petkun e përgjegjësisë etike dhe profesionale. Shquhej për sarkazmin dhe humorin e tij.
Punoi duke qenë i nderuar nga të gjithë kolegët dhe gjyqtarët, për të cilët përherë tregoi respektin e duhur, ashtu si e kërkon profesioni i avokatit.
Në emër të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe në emrin tim personal shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve dhe të gjithë dashamirëve të tij.
I përhershëm qoftë kujtimi ynë për të.
I Lartësuar dhe i përhershëm do të mbetët kujtimi për Fazli Balajn, mikun, kolegun, veprimtarin dhe aktivistin, juristin e avokatin shqiptar.
Të rroni e ta kujtoni !
Ju faleminderit !
Prishtinë, 08 tetor 2014
Av. Ibrahim Z. Dobruna – Kryetar
Oda e Avokatëve të Kosovës