KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Të Miturit delikuentë mbahen nga Policia në dhomat e njëjta me të rriturit

15 November 2014

ekipi

Pejë - Në kuadër të takimeve të organizuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës, në Pejë të premten bashkë me përfaqësues të UNICEF-it dhe institucioneve kosovare të drejtësisë u diskutua për të miturit delikuentë dhe të drejtat e tyre.

“I mituri dhe pozita e tij në Procedurën Penale, përkujdesi i institucioneve të cilat e zbatojnë këtë procedurë”, ishte tema që u trajtua në këtë takim.

Përfaqësusja nga organizata e UNICEF-it, Feride Dashi, tregoi arsyen e këtij takimi të perbashkët më palët e perfshira në procedurën për të mitur.

“Jemi mbledhur që të diskutojmë për problemet e kësaj natyre në regjionin e Pejës. UNICEF-i ka bërë një studim ku del së ligjshmëria në Kosovë është komplete, mirëpo mungon zbatueshmëria e saj sa u perket delikuentëve të rinj”, theksoi Dashi.

Ndërsa gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Pejës, Nushe Kuka, shprehu shqetësimin për mungesën e dhomave të veçanta të ndalimit për të miturit në polici.

“Të miturit ndalohen nga policia në vendin ku ndalohen edhe të rriturit dhe ka raste kur ata pësojnë trauma nga ai vend. Gjithashtu këta të mitur sillen në gjykatë me pranga në duar e që procedura ndaj të miturvë është konfidenciale”, tha Kuka.

Lirie Morina, prokurore nga Departamenti për të Mitur në Pejë, tha se lëndët për delikuencën e këtyre personave po zgjidhen ngadalë, për mungesë të prokurorëve të specializuar për të mitur.

“Ka lëndë të të miturve që presin ne sirtar që 3 vjet dhe delikuentët e mitur bëhen të rritur. Në vitin 2014 ka 179 kallëzime penale ndaj të miturve, e që janë 5 më shumë së në vitin 2013”, tha Morina.

Morina është e vetmja prokurore për të mitur në Pejë.

Ndërsa Arianit Nikqi, kryetari i Degës Regjionale të Odës së Avokatëve të Kosovës në Pejë, theksoi se rekomandimet e nxjerra nga ky takim do sherbejnë për përmirësimin e gjendjes.

Si rekomnadime të dala nga takimi, ai përmendi ardhjen më të shpejtë të kallëzimeve penale në prokurori, profilizimin e avokatëve për të mitur dhe shtimin e numrit të prokurorëve për këtë kategori delikuentësh.

Oda përzgjodhi temën e delikuencës së të miturve, 6 ditë përpara Ditës Botërorë për të Drejtat e Fëmijëve që shënohet globalisht çdo 20 nëntor.

Takime të tilla të Odës me përfaqësues nga institucionet kosovare për rend dhe ligj janë bërë praktikë të organizohen të premteve nëpër komuna të vendit.

NGA

BEHAR MUSTAFA - BIRN

Linku i publikimit në kallxo.com: http://live.kallxo.com/sq/MTL/Te-Miturit-Delikuente-Mbahen-nga-Policia-ne-Dhomat-e-Njejta-me-te-Rriturit-3186