18 November 2014
Prizren - Në serinë e takimeve të organizuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës, institucionet kosovare të drejtësisë u bënë bashkë në Prizren për të diskutuar rreth shqyrtimit fillestar dhe të dytë në procedurën penale’. Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe përfaqësues nga policia, prokuroria, gjykata dhe shoqëria civile
Gjykatësi Xheladin Osmani tha se sa i përket fazës së shqyrtimit fillestar, problemi më i madh qëndron në marrjen e të dhënave rreth personalitetit dhe të kaluarës kriminale të të pandehurit.
Ndërsa përfaqësuesit e Prokurorisë Themelore të Przrenit thanë se qysh në start duhet ftuar edhe i dëmtuari që të jetë pjesëmarrës, ndërsa kërkuan që prezenca e të dëmtuarit të jetë e obliguar me ligj në cdo fazë të procedurës penale.
Në këtë takim, avokatët ngritën shqetësime rreth caktimit të avokatëve të caktuar sipas detyrës zyrtare. Ata thanë se edhe përkundër memorandumeve bashkëpunuese që kanë më KGjK-në dhe KPK-në, kjo marrëveshje nuk po realizohet në plotëni dhe se caktimi i avokatëve sipas detyrës zyrtare po vazhdon të bëhet pa u njoftuar Oda e Avokatëve.
Prokurori i krimeve të rënda, Genc Nixha, i cili kishte realizuar mbi 30 raste ku të pandehurit kishin hyrë në marrëveshje për pranimin e fajësisë, tha se Kosova prin në rajon për negocimin e pranimit të fajësisë me marrëveshje.
“Insistoj që sa më shumë t’i kryejmë lëndët në bazë të marrëveshjes, se vetëm në këtë mënyrë ne do të mundemi t’i zvogëlojmë numrin e lëndëve të cilat i kemi në shqyrtim”, tha Nixha.
Avokati Ruzhdi Gashi e quajti të nevojshëm takimin e sotëm mes katër institucioneve të drejtësisë.
“Ka nevojw për shumë gjëra që të diskutohen, të shqyrtohen dhe të qartësohen, që punët të shkojnë më mirë si për gjyqtarin si për prokurorin njashtu edhe për avokatin dhe për gjithë procesin gjyqësor në përgjithësi”, tha avokati Gashi.
Ndërsa Flamur Ramadani nga Oda e Avokatëve të Kosovës, takimet e quajtura “Bench Bar” kanë qenë shumë produktive për shkak të rekomandimeve që janë nxjerrë nga to.
“Gjatë këtyre tri viteve kemi gjetur shumë rekomandime që faktikisht do të adresohen në konferencën e përgjithshme që do të mbahet në fund të dhjetorit”, tha Ramadani.
Oda e Avokatëve organizon takime të tilla që nga viti 2012.
NGA
PETRIT KRYEZIU - BIRN
Linku i publikimit në kallxo.com: http://live.kallxo.com/sq/MTL/Prizreni-i-Marreveshjeve-Per-Pranim-Te-Fajesise-3225
________________________________________________________________________________
NË PRIZREN U MBAJT TRYEZË E PËRBASHKËT E ZYRTARËVE TË INSTITUCIONEVE TË DREJTËSISË
Prizren, 18.11.2014 - Dega Regjionale në Prizren e Odës së Avokatëve të Kosovës ka organizuar sot tryezën e përbashkët me Gjyqtar, Prokuror, Avokatë dhe me përfaqësues të Policisë në Regjionin e Prizrenit me temën: “Shqyrtimi fillestar dhe i dytë në procedurën penale”.
Pas takimit, pjesëmarrësit e kësaj tryeze e vlerësuan të rëndësishëm këtë aktivitet që u mbajt sot. Prokurori Genc Nixha, tha se sot patëm një takim të frytshëm ku janë diskutuar shumë çështje të cilat i preokupojnë zyrtarët e institucioneve që merren me shqyrtime gjyqësore për të koordinuar veprimet. Avokati Ruzhdi Gashi, tha se gjatë diskutimeve në këtë tryezë, kanë dal në pah shumë tema për të cilat kanë nevojë të trajtohen e që kanë të bëjnë me procest gjyqësore në tërësi. Ai tha se edhe në të ardhmen pritet të mbahen takime të ngjashme.
Kësilloj tryeza janë duke u mbajtur edhe në qendra tjera të vendit, ku sipas zyrtarit për marrëdhënie me publikun pranë Odës së Avokatëve të Kosovës, Flamur Ramadani,kanë dal disa kërkesa që kanë të bëjnë me amendamentimin e kodeve si rrjedhojë e mosperputhjes së disa dispozitave ligjore.
Këto kërkesa tha ai, do të adresohen tek akterët kryesor për procesim. Në këto takime adresohen sfidat e përbashkëta rreth sistemit juridik dhe zbatimit të saj dhe shërben si një mjet efektiv për identifikimin e problemeve në terren dhe ballafaqimin e krerëve të institucioneve të drejtësisë për të gjetur zgjedhjen më të mirë të mundshme përmes zbatimit të rekomandimeve të dala nga takimet që zhvillohen.
Qëllimi i këtyre takimeve të përbashkëta është themelimi i bashkëpunimit më të mirë në mes të akterëve të gjyqësorit, prokurorisë, avokatisë dhe policisë në mënyrë që të fuqizohet drejtësia në Kosovë. TV Prizren