KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Avokatët në tryezën e Odës diskutojnë për rolin e tyre

19 November 2014

ekipi

Gjakovë - Në tryezën e organizuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës në Gjakovë, u diskutua për temën “Roli i avokatit mbrojtës në bazë të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës".

Në këtë takim, avokati Jusuf Jusufi tha se gjatë punës së tij ka konstatuar se klientët pasi që të bëhet arrestimi duhet të mbeten vetëm në dhomat e ndalimit.

“Gjatë punës kam konstatuar në profesionalizëm, sidomos në organet e policisë, klienti sidomos ata të qenurit recidivistë, sidomos të krimeve të rënda me urdhëresën e prokurorisë apo të gjyqtarit kur lokalizohen në zyrën e vet të pranimit, në momentin e arrestimit ai person duhet me mbetë vetëm”, tha Jusufi.

Këtë gjë e konsideroi problem edhe përfaqësuesi i policisë Kristë Gjoka, por u arsyetua me mungesë hapësirash.

“Sa u përket hapësirave është e vërtetë se kemi hapësirë të vogël për marrje në pyetje zakonisht palët i ndajmë veç e veç, por mundësia si kërkohet nuk është e tillë, me siguri se ju jeni në dijeni se jemi në përgatitje të Drejtorisë Rajonale të Gjakovës që do të fillojë të funksionuari nga 1 janari 2015”, tha Kristë Gjoka.

Ndërsa kapiteni Avdi Berisha shef I sektorit të hetimeve dha një lëvdatë për avokatët gjakovarë duke thënë se gjithmonë i përgjigjen thirrjes dhe vijnë me kohë.

“Nëse ka dikund rregull sa i përket përgjigjes në thirrje janë avokatët. Unë jam ai i cili kam punë më së shumti me ta dhe në cilëndo fazë të procedurës paraprake ata janë në polici dhe janë me kohë”, tha Berisha.

Gjyqtari Lulëzim Paçarizi nga Gjykata Themelore në Gjakovë-Dega në Malishevë, foli për praktikën e vendosur nga Gjykata Supreme që nëse një palë mbrohet me më shumë avokatë, të komunikohet përmes shkresave vetëm me avokatin kryesor.

“Qëndrimi i Gjykatës Supreme është se kur ka mbrojtësin kryesorë komunikimi me shkresa, komunikimi për tërë rrjedhën e procedurës bëhet vetëm me mbrojtësin kryesorë”, tha Paçarizi.

Në tryezë prokurori Ali Selmanaj shtroi nevojën për trajnimin e personelit të sistemit kosovar të drejtësisë për teknikat e shtrimit të pyetjeve.

“Ka nevojë prapë për trajnim shtesë edhe për avokatë, edhe për prokurorë edhe gjyqtarë kur janë në pyetje teknikat e marrjes së pyetje”, tha Selmanaj.

Komandanti i policisë në Gjakovë Kristë Gjoka tha për KALLXO.com se bashkëpunimi i forcave të rendit me avokatët zhvillohet pa probleme.

“Lidhur me temën e trajtuar sot në këtë takim ne si polici nuk kemi probleme të theksuara, mirëpo zakonisht shfrytëzojmë rastin të paraqesim ndonjë pyetje për sqarim për problemet e caktume që i kemi në kuadër të stacionit policor në Gjakovë”, tha Gjoka.

Gjyqtari Nikollë Komani tha se më shumti në tryezë u diskutua për avokatin kryesor të palës që ka më shumë avokatë.

“Nga të gjithë panelistët si dhe pjesëmarrësit e tjerë diskutuan për të drejtat dhe obligimet që kanë mbrojtësit e sidomos në rastet kurë I pandehuri ka më tepër se një mbrojtës atëherë këtu u elaburua edhe qëndrimi i Gjykatës Supreme lidhur me autorizimet e mbrojtësit kryesor”.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës Shpresa Bakija, tregoi edhe përfundimet e nxjerra nga tryeza.

“Si përfundim i përgjithshëm ishte që të veprohet në raport me përfundimet dhe me vendimet e marra më herët të Odës së Avokatisë së Kosovës lidhur me shpenzimet e avokatëve- pjesëmarrjes së avokatëve nëpër seanca”, tha Bakija.

Teki Bokshi, kryetari i Degës Regjionale të Avokatëve në Gjakovë tha se në takim u diskutua për përditshmërinë e avokatëve.

“U diskutuan edhe problemet e përditshmërisë që paraqiten me rastin e aplikimit të kodit të procedurës penale të cilat janë na paraqiten si probleme është ngritë komunikimi në mes të prokurorëve gjykatësve dhe avokatëve në mënyrë të avancimit sistemit penal në Kosovë”, tha Bokshi.

Takime të tilla të Odës së Avokatëve të Kosovës, me tema të ndryshme që lidhen me sistemin e drejtësisë si në Gjakovë po mbahen nëpër shumë qytete të Kosovës.

Linku i publikimit në kallxo.com: http://live.kallxo.com/sq/MTL/Avokatet-ne-Tryezen-e-Odes-Diskutojne-per-Rolin-e-Tyre-3271

NGA

SKENDER GOVORI - BIRN