KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Për avokatët mbrojtës diskutohet në “Bench Bar-in” e Odës Avokatëve

21 November 2014

ekipi

Prishtinë - “Pozita dhe Roli i Mbrojtësit në Procedurën Penale” ishte tema e diskutimit në tryezën e Odës së Avokatëve në Prishtinë. Në tryezë pa dhënë arsyetim munguan përfaqësues të prokurorisë. Kjo gjë u kritikua nga gjyqtarët dhe avokatët.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës Hamdi Ibrahimi, duke folur për temën e shtruar për diskutim tha se përfaqësues të prokurorisë është dashur të vinin në takim.

“Unë shoh këtu një strukturë të mirë dhe me kompetencë për trajtimin e kësaj çështjeje, sepse këto fillojnë nga policia. Mungon segmenti tjetër shumë me rëndësi prokuroria, nuk e di pse nuk kanë ardhë dhe do të ishte shumë me rëndësi prezenca e tyre”, tha Ibrahimi.

Ibrahim Dobruna, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës temën e kësaj tryeze e vlerësoi praktike për punonjësit e sistemit të drejtësisë së vendit.

“Nuk ka pasur një analizë kaq të thukët të sistemit të drejtësisë dhe kjo është nga praktika direkte e zbatimit të ligjit, ka pasur edhe takime teorike të shumta edhe tryeza të ndryshme, por zbatimi praktik i ligjit dhe pengesat që dalin ato janë problematika që e ndihmojnë ose nuk e ndihmojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë”, tha Dobruna.

Hamdi Ibrahimi tregoi se Gjykata Themelore e Prishtinës ka pranuar vendimin e Odës së Avokatëve të Kosovës për përfaqësimin e të dyshuarve ose të akuzuarve me avokatë sipas detyrës zyrtare në polici, prokurori e gjykata.

Ky përfaqësim duhet të shkojë nëpërmjet degëve të odës, sipas listës së avokatëve që ka oda, me qëllim që t’i iket privilegjimit të disa avokatëve në raport me të tjerët gjatë përfaqësimit ex-officio.

Përfaqësimi sipas detyrës zyrtare (ex-officio) ndodh në rastet kur të akuzuarit, ose të dyshuarit për kryerjen e veprave penale deklarohen se nuk kanë para për të paguar avokatin e tyre mbrojtës.

Avokatët që kryejnë këtë punë paguhen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë përfaqësojnë palë të ndryshme edhe privatisht.

Gjyqtarja Shpresa Hasaj-Hyseni ngriti si shqetësim lodhjen e avokatëve nga përfaqësimi zyrtar dhe privat.

“Nëse avokati i angazhuar zyrtarisht e ka pasur një seancë përpara privatisht, vjen thotë se unë jam i lodhur nuk po muj me përfaqësu... zyrtarisht e sheh se nuk është kurrkund, nuk është në gjendje me i ofru mbrojtjen për të akuzuarin i cili është për një vepër serioze kështu që dashtë e pa dashtë duhet me e shty shqyrtimin”, tha gjyqtarja Hasaj-Hyseni.

Por një kolege e saj lavdëroi një avokat që përfaqësimin zyrtar nuk e dallon asnjëherë nga ai privat.

“Tani e tri vite ndoshta pak më tepër me vendim të kryetarit të gjykatës është caktuar një avokat për ta mbrojtë të akuzuarin për një vrasje dhe asnjëherë nuk është vërejtë as në shqyrtim gjyqësor, as në ushtrimin e parashtresave, as në mbrojtjen e tij se ai avokat është i caktuar sipas detyrës zyrtare, d.m.th aq denjësisht e ka mbrojtë sa që kisha dashtë më shumë raste të tilla”, tha gjyqtarja Hajrije Shala.

Përfaqësuesi i policisë, koloneli Reshat Maliqi, tha se forcat e rendit në përgjithësi janë të kënaqura me avokatët që përfaqësojnë të ndaluarit nga policia.

“Me sjelljet dhe me angazhimet e disa avokatëve jemi shumë të kënaqur, por s’mund të them se ndoshta me të gjithë, ne bëjmë përpjekje që prej momentit kur personin e arrestojmë ta njoftojmë me të drejtat e tij që ta angazhojnë një mbrojtës”, tha Maliqi.

Avokati Ramë Gashi në këtë tryezë e përmendi si problem mosmarrjen me kohë të aktvendimeve për caktimin e paraburgimit.

“Të gjithë ne e dimë se kur bëhet fjalë për aktvendimet për caktim të paraburgimit jo vetëm që nuk i marrim ato propozimet ose kërkesat me kohë që është detyrë e prokurorisë, po ne detyrohemi që brenda ditës nga 2-3 herë të vijmë në gjykatë për me pa a është bërë vendimi apo jo”, tha Gashi.

Tryeza të tilla të odës ku po diskutohen probleme të ndryshme të sistemit të drejtësisë, janë duke u mbajtur anekënd Kosovës.

Në fund të muajit dhjetor pritet të mbahet takimi i përbashkët përmbyllës i quajtur “Bench Bar” ku do të prezantohen rekomandimet që janë nxjerrë nga të gjitha regjionet e Kosovës.

Linku i publikimit në kallxo.com: http://live.kallxo.com/sq/MTL/Per-Avokatet-Mbrojtes-Diskutohet-ne-Bench-Bar-in-e-Odes-3358

NGA

SKENDER GOVORI - BIRN