KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Delegacioni i OAK-së mori pjesë në seancën plenare të CCBE-së dhe në mbledhjen e PECO Komitetit në Bruksel

28 November 2014

ekipi

Delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës në përbërje të kryetarit, z. Ibrahim Dobruna dhe avokat z. Arianit Nikqi, me ftesë të CCBE-së (The Council of Bars and Law Societies of Europe - CCBE), kanë marrë pjesë në mbledhjen vjetore të PECO Komitetit të CCBE-së dhe për herë të parë pjesëmarrës në Seancën Plenare të CCBE, e cila është mbajtur në Bruksel / Belgjikë, me datë 28 – 29 Nëntor 2014.

Delegacioni i OAK-së në mbrëmjen e datës 27.11.2013, ka marrë pjesë në ekspozitën dedikuar “Drejtave dhe Lirive të Njeriut” e cila është organizuar nga Ambasada e Spanjës në Belgjikë. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin të gjitha delegacionet e Odave të Avokatëve të Evropës dhe kryesia e CCBE-së. Në këtë ekspozitë, janë prezantuar piktura të ndryshme të realizuar nga piktorë të mirënjohur nga Spanja dhe porosia e këtyre punimeve e ishte angazhimi për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive në gjithë botën.

Delegacioni i OAK-së sipas agjendës është takuar me kryetarin e CCBEE-së, z. Aldo Bullgarelli dhe nënkryetaren e CCBE-së, znj. Maria Slazak. Gjatë takimit, të njëjtit kanë premtuar se Kosova do të ketë përkrahjen e tyre në drejtim të anëtarësimit në CCBE, vetëm se është shumë i nevojshëm përmbushja e kushtit kryesor, e që është anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Ata siguruan kryetarin Dobruna se OAK tani e tutje do të jetë e ftuar në të gjitha takimet e CCBE-së, pa përjashtime.

Pjesëmarrja në Seancën Plenare të CCBE-së

Delegacioni i OAK-së, për herë të parë mori pjesë në Seancën Plenare të CCBE-së, e cila është mbajtur në Palai’ s d’Egmont me datë 28 dhe 29 Nëntor 2014. Pjesëmarrja e delegacionit e OAK-së ka pasur karakterin e të ftuarve – mysafirëve, në të njëjtin rangë me Gjykatësin e Gjykatës Supreme të New Yourku – Jonathan Lippman dhe avokaten braziliane Valdenia Aparecida Paulino Lanfranchi, fituese e çmimit CCBE Human Rights Award për vitin 2014, që e ndanë CCBE.

Në këtë takim, kryetari i CCBE-së, Aldo Bullgarelli, ka prezantuar delegacionin e OAK-së dhe e ka pasqyruar aktivitetin e OAK-së, si shumë dinamik në drejtim të anëtarësimit të OAK-së në CCBE dhe organizatat tjera ndërkombëtare, e që është mirëpritur nga të gjithë pjesëmarrësit.

Në fillim të këtij sesion Gjykatësi i Gjykatës Supreme të New Yourk-ut – Jonathan Lippman, ka ligjëruar temën – angazhimi Pro Bono i avokatëve në SHBA. Po ashtu, avokates braziliane i është dorëzuar çmimi CCBE Human Rights Award për vitin 2014. E njëjta, këtë çmim e ka fituar në bazë të angazhimit të saj në mbrojtjen e femrave të keqtrajtuara në Amerikën Latine. Ajo gjatë fjalimit ka pohuar se avokatët mund të ndihmojnë shumë në Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në tërë botën.

Pjesëmarrja në mbledhjen e PECO Komitetit – CCBE, 28. Nëntor 2014

Në fillim të kësaj mbledhjeje, kryetari i kësaj organizate, z. Rupert D’Cruz, pas hapjes së mbledhjes, e ka prezantuar pjesëmarrjen e delegacionit të OAK-së si dhe ka kërkuar një prezantim të shkurtër të aktiviteteve të OAK-së dhe problemeve eventuale me të cilat ballafaqohet kjo Odë. Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Ibrahim Dobruna i ka njoftuar të pranishmit se edhe avokatët në Kosovë po ballafaqohen me problemin e noterëve. Po ashtu, ka njoftuar se në pjesën e dytë të Dhjetorit pritet formimi i Qeverisë dhe në këtë drejtim janë shpresat se do të ketë lëvizje pozitive lidhur me amandamentimin e neni 86 të Ligjit të Procedurës Kontestimore. Dobruna është shprehur se nëse nuk ka gatishmëri për ndryshime, atëherë do të paraqitet nevoja që edhe një herë t’u dërgohen letra autoriteteve kryesore të Republikës së Kosovës.

Në këtë takim është diskutuar ftesa e OAK-së, që mbledhja e radhës së CCBE-së, të mbahet në Kosovë. Të pranishmit kanë propozuar që kjo mbledhje të mbahet në pjesën e dytë të muajit Mars 2015 dhe lidhur me datën e saktë do të precizohet ndërkohë.

Temë kryesore e këtij takimi ka qenë “NOTERIA” dhe reflektimi i noterisë në profesionin e avokatëve në vendet e ish – Jugosllavisë, e posaçërisht situata në Serbi, ku avokatët e këtij shteti janë në greve për amandamentimin e Ligjit të Noterisë.

Kryetari i Odës së Serbisë, ka pohuar se deri me tani nuk ka ndonjë marrëveshje në mes të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë dhe Odës së Avokatëve të Serbisë, andaj edhe ka kërkuar që CCBE ta shfrytëzojë autoritetin e saj, me qëllim të përmirësimit të kësaj situate. Nga kryesia e CCBE, i është propozuar që Oda t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet juridike të cilat i ka në disponim dhe t’ia prezantojë CCBE një raport të detajuar, për veprimet e ndërmarra. Nga përfaqësuesi i Hungarisë, është propozuar që Serbia t’i drejtohet institucioneve të Unionit Evropian, duke pas parasysh që është kandidate për anëtarësim në Union Evropian, andaj edhe Qeveria e këtij shteti duhet t’i plotësojë të gjithë kushtet, e posaçërisht të mos ketë ngecje në sistemin gjyqësor. Pothuajse, avokatët e të gjitha shteteve të ish-Jugosllavisë janë duke u ballafaquar me problemin e noterëve.

Në fund të takimit, është formuar një grup punues, i cili do t’i prezantoj të gjitha problemet në një Draft Propozim, që do të përpunohet nga CCBE dhe t’i dërgohet autoriteteve kompetente të shtete përkatës, në mesin e të cilave është edhe Kosova.

Duhet potencuar që delegacioni i OAK-së, ka shfrytëzuar nga rasti që gjatë Seancës Plenare, t’i takojë dhe informoj delegacionet e të gjitha Odave të Avokatëve të Evropës lidhur me aktivitetet e OAK-së.