04 February 2015
Prishtinë - Në një ceremoni solemne dhanë betimin katërmbëdhjetë (14) avokatë dhe shtatëdhjetepesë (75) praktikantë në Odën e Avokatëve të Kosovës.
Avokatet dhe avokatet praktikantë të rinj kanë dhanë betimin para kryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Ibrahim Dobruna dhe Drejtorit Ekzekutiv, z. Yll Zekaj.
Kryetari Dobruna i uroj suksese avokatëve dhe praktikantëve në misionin shumë të rëndësishëm të cilët kanë para vetës. Momente të tilla solemne nxisin te secili nga ne faktin se drejtësia është obligim përkundrejt qytetarit dhe përgjegjësi në përmbushjen e detyrës sonë.
Sipas kryetarit qëllimi i Odës së Avokatëve të Kosovës dhe të gjithë neve është dhënia e një drejtësie cilësore dhe brenda një kohë të arsyeshme, gjë e cila këto vite ka qenë e vështirë për tu arritur për shkak të barrierave reformuese dhe infrastrukturore. Megjithatë, avokati si profesionist asnjëherë nuk është ndalur në përpjekjet e vazhdueshme ndonjëherë edhe përtej mundësive njerëzore me qëllimin e vetëm, ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët dhe ruajtjen e besimit të publikut.
“Kjo ditë sot shënon një moment të veçantë për të gjithë ne. Betimi i një avokati dhe praktikanti, përbën njëkohësisht përpjekjet drejt sfidave të reja dhe pse jo drejt një drejtësie të re”, tha kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Ibrahim Dobruna.
Oda e Avokatëve të Kosovës vazhdimisht pranon avokatë dhe avokatë praktikant në regjistrin për regjistrim, ndërsa aktualisht numëron mbi 587 avokatë dhe 256 avokatë praktikantë.
Përmes Odës së Avokatëve të Kosovës që nga viti 1999 e deri më tash, kanë përfunduar stazhin e praktikës 1350 praktikantë të avokatisë, të cilët tani ushtrojnë profesionit të avokatit, gjyqtarit, prokurorit dhe të profesionistëve ligjor në institucione tjera.