29 April 2015
Prishtinë - Kryetarja e Komitetit për Çështje Gjinore, znj. Merita Stublla Emini dhe Dekanja e Fakultetit Juridik, znj. Gjyljeta Mushkolaj, u takuan dhe diskutuan lidhur me mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit Juridik të UP-së dhe Komitetit për Çështje Gjinore të OAK-së, me qëllim të përkrahjes që duhet ofruar studentëve në përgjithësi dhe studenteve femra në veçanti, në drejtim të aftësimit dhe avancimit e të tyre në fushën drejtësisë, si dhe të përgatitjes së tyre për profesion në të ardhmen.
Gjatë këtij takimi një hapësirë e madhe iu kushtua çështjeve si: Programi i Mentorimit të gjeneratave për studentet femra, ku tashmë OAK, respektivisht Komiteti për Çështje Gjinore e ka filluar këtë program ndërmjet Avokateve si Mentore dhe studenteve të fakultetit juridik si të mentoruara, pastaj çasja e tyre në praktika reale të drejtësisë, pjesëmarrja e tyre në seanca gjyqësore dhe përgatitja e seancave simuluese.
Në këtë takim u diskua edhe pjesëmarrja e studenteve të përzgjedhur në ekipe mbrojtëse me Avokatet, e cila në një mënyrë, do t’i përgatisë ato që në një të ardhme të jenë në nivel që të marrin detyra dhe përgjegjësi në ushtrimin e funksionit të tyre.
Ndër të tjera, është shfaqur interesim nga Fakulteti Juridik për organizimin e ligjëratave të hapura me studentë, ku si ligjëruese të paraqiten avokatet, duke bërë në këtë mënyrë ligjërimet më atraktive dhe interesante, dhe duke ndihmuar kështu studentët që më lehtë të zgjedhin modulin e tyre. Lidhur me këtë veçmas u kërkua të bëhen me studentët e vitit të tretë.
Një theks i veçantë është vënë mbi gjetjen e mënyrave dhe formave më të përshtatshme për nxitjen e studenteve femra që të kyçen në profesionet e drejtësisë, nëpërmes vënies në pah të karakteristikave dhe përparësive të profesioneve si avokatia, gjyqësia e prokuroria, (kjo për shkak të numrit të shumë të vogël të femrave sidomos në profesionin e avokatisë).