10 July 2015
Prishtinë, 10.07.2015 – Është mbajtur mbledhja e grupit punues të Odës së Avokatëve të Kosovës për diskutim mbi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Noterinë dhe janë dhënë propozime të cilat do i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë për inkurporim dhe procedim të mëtutjeshëm.
Grupi gjatë mbledhjes diskutuan rreth interferimit të Noterisë në profesionin e avokatisë në Kosovë duke u fokusuar në nenet dhe dispozitat përkatëse. Sipas tyre ka pasur paqartësi lidhur me kompetencat dhe fushë veprimtarinë e profesioneve të reja të sistemit të drejtësisë, ku ka të bëjë me atë se çka ofron profesioni i avokatisë i përcaktuar me ligj, konkretisht lidhur me pronësinë, hipotekat, themelimin e organeve të përbashkëta etj, pra sipas tyre, këto paraqesin pjesë ekskluzive të avokatisë.
Grupi vlerësoj se profesioni Noterial në Kosovë nuk është një profesion ligjor, por ka autoritet publike dhe nuk paraqet një profesion të pavarur ligjor. Ndër të tjera, grupi theksoi se përveç përfaqësimit të palëve, avokati përpilon edhe parashtresat dhe dokumentet tjera dhe se Noteri bënë vetëm vërtetimin e autenticitetit të dokumenteve.
Grupi është përqendruar në pikën 6 të nenit 43 që ndërlidhet me përpilimin e akteve juridike. Kjo pikë nga grupi është formuluar me plotësime, ndërsa pika 7 e po këtij neni është propozuar të hiqet tërësisht.