KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Delegacioni i OAK-së takoi krerët e Odës së Avokatëve të Parisit në Francë

06 September 2015

ekipi

Në mbështetje të Odës së Avokatëve të Kosovës, me ftesë të Odës së Avokatëve të Parisit është realizuar vizita studimore e delegacionit të OAK-së e përkrahur nga Ambasada e Francës në Kosovë, në mënyrë që Avokatëve dhe stafit të OAK-së tu vihen në dispozicion informacione në lidhje me standardet dhe praktikat më të mira, të institucioneve dhe organizimit të Odave të Avokatëve në vendet tjera të Evropës, konkretisht në Paris të Francës.

Qëllimi i kësaj vizite ishte të shihet për së afërmi se si është e organizuar Oda e Avokatëve të Parisit respektivisht e Francës, si në një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe praktikat dhe përvojat e fituara të mund të aplikohen në zhvillimin e strukturave të Odës së Avokatëve në Kosovë.

Vizita studimore është realizuar me datë 06 Korrik deri më datë 09 Korrik 2015 me pjesëmarrje nga Oda e Avokatëve të Kosovës, Av. Ibrahim Z. Dobruna, Kryetar i OAK-së, Yll Zekaj, Drejtor Ekzekutiv dhe Albulena Ukimeraj, Koordinatore e Qendrës Trajnuese për Avokatë.

Përfaqësuesit e OAK-së kanë realizuar takim në Odën e Avokatëve së Parisit me znj. Delphine Pujos, sekretare e Komitetit të Deontologjisë, Z. Dominique Piau, ish-sekretar i Komitetit të Deontologjisë si dhe z. Samir Ouiraghli, Drejtor i Departamentit ndërkombëtar në Odën e Avokatëve të Parisit. Në këtë takim është diskutuar për Kodin e Etikës për Avokatë, në mënyrë komparative me Kodin e Etikës për Avokatët e Kosovës, për sanksionet që parashikohen për ata që bëjnë shkelje etike, mënyrën e funksionimit të Komitetit të Deontologjisë atje dhe mundësinë për të bashkëpunuar më Odën e Avokatëve të Kosovës, në mënyrë që edhe OAK, të ketë një Komentar të Kodit të Etikës, pasi që në praktikë është shumë e vështirë të zbërthehen shumë dispozita të Kodit, të cilat janë të ngurta.

Një ndër kërkesat e delegacionit nga Kosova ishte që në seancat disiplinore që mbahen në Francë, të ketë ndonjë alternativë që në to të marrin pjesë edhe Stafi dhe Anëtarët e komisioneve disiplinore të Odës së Avokatëve si dhe Prokurori Disiplinor i OAK-së, si institucion i ri i krijimit, në mënyrë që kjo të ju shërbejë në ngritjen e kapaciteteve të tyre për vazhdimin e punës dhe performacës më të mirë të Zyrës Disiplinore dhe Odës së Avokatëve në përgjithësi.

Gjithashtu, u mbajt takimi me Z. Xavier Chiloux, anëtar i Këshillit Nacional të Dhomës së Avokatisë së Parisit. Në këtë takim u diskutua për specializimet për Avokatë, programet dhe lëmit e veçanta që Oda e Avokatëve të Parisit i ofron në këtë drejtim, për mundësinë e rritjes së numrit të lëmive të specializimit për shkak të kërkesave të Avokateve në sfera shumë specifike.

Po ashtu, një çështje tjetër e rëndësishme ishte edhe çështja e lobimit, të cilës oda e avokateve të Parisit i kushton rëndësi të veçantë, për të cilën gjë ka krijuar një komitet për lobim dhe nga buxheti i odës ka ndarë një linjë më se të mjaftueshme në këtë drejtim. Pas takimit dhe pushimit të drekës, ekipi i OAK-së vizitoi kampusin e Shkollës së Avokatisë.

Ekipi i OAK-së po ashtu u prit në takim nga Z.Michael Blanc dhe Z. Jean-Christophe Barjon, avokat, drejtor i Mekanizmit të CARPA-s. Në këtë takim është diskutuar për mekanizmin CARPA, i cili në Francë është një sistem i obliguar, i detyruar për sistemin francez, që gjason pak a shumë në një bankë e cila i kontrollon lëvizjet financiare të Avokatëve. Ky mekanizëm krijon siguri tek klienti ngase nuk është Avokati ai që menaxhon me mjetet e tij. Përparësitë e vendosjes së këtij mekanizmi janë se ai ka paraparë edhe mbrojtjen e Avokatëve si në rastet: kur një avokat është i sëmurë, kur një avokat ka një rast vdekjeje në familje, kur nja avokat prej një fëmijë e në raste te tjera.

Nëpërmjet CARPA-s kontrollohet prejardhja e fondeve/parave; Carpa është e mbështetur në një Bankë dhe ky mekanizëm është një urë lidhëse ndërmjet bankës, klientit dhe Avokatit.

Deri më tani janë mbi 10 shtete që kanë marrë shembullin e Francës. Më tutje prijësi i delegacionit nga Oda e Avokatëve të Kosovës, ka theksuar se jemi më se të interesuar që ky instrument të instalohet edhe në shtetin, respektivisht Odën tonë dhe jemi shumë të kënaqur që të fillojmë këtë bashkëpunim, për të cilën gjë ka falënderuar Ambasadoren dhe ambasadën e Francës në Kosove për këtë mundësi për fillimin e bashkëpunimit.

Me tutje udhëheqësit e këtij mekanizmi kanë shprehur gatishmërinë që Odës së avokatëve të Kosovës t’i ndihmojnë në këtë drejtim, për të instaluar këtë mekanizëm si dhe me tekstet ligjore për mekanizmin Carpa, si dhe në shumë çështje si është: Stafi, procesi i informatikës; marrëdhëniet me bankën, duke na ndihmuar në detaje se si Franca e ka themeluar institut, për të cilën gjë duhet patjetër investimi. Duke parë mundësinë që edhe BE të investon në Këtë drejtim në Kosovë, sepse kjo do t’i kontribuojë sistemit të drejtësisë dhe luftimit të korrupsionit.

Po ashtu, të shihet mundësia që në këtë drejtim të ndihmojë edhe ambasada e Francës për instalimin e këtij sistemi.

Në vazhdën e takimeve u realizua edhe takimi me znj. Sandrine Burbure, drejtore për arsimimin e Vazhdueshëm për Avokatët e cila ka sqaruar për delegacionin disa kushte dhe kritere të caktuara në lidhje me arsimimin e vazhdueshëm, numrin orëve që avokatët duhet të fitojnë, mënyrën e organizmit të trajnimeve, ligjëruesve, mënyrën e njoftimit të avokatëve dhe regjistrimin e tyre për të qenë pjesë e një trajnimi për të vazhduar më tej me vizitën e radhës në kampusin e Shkollës së Avokatisë dhe marrjen pjesë në konferencat e organizuara më datë 08 Korrik 2015.

Delegacioni i OAK-së vizitoi Pallatin e Drejtësisë në Paris, vizitë kjo që vazhdoi me një drekë të përbashkët me Z. Laurence Boyer, Z. Xavier Autain dhe Z. Denis Chemla, anëtarë të Këshillit të Dhomës së Avokatisë së Parisit ku përgjatë drekës me kërkesën e delegacionit nga Kosova, OAK dhe Oda e Avokatëve të Parisit, u dakorduan që të kenë një memorandum mirëkuptimi, për të parë mundësinë që të instalohen shumë instrumente dhe praktika në mënyrë të ndërsjellët.

Gjatë kësaj vizite, Delegacioni i OAK-së kishte mundësi të njihej për së afërmi me praktikat më të mira të organizimit të Arsimimit të Vazhdueshëm ligjor të Obliguar, Komitetit të Deontologjisë, Komisionit për specializime, marrje pjesë në Kampusin e trajnimeve 2015, në lëndë të përgjithshme në auditoriume dhe në konferenca specifike.

Konkretisht, pas kësaj vizite, Oda e Avokatëve të Kosovës, nga përvoja e institucioneve që janë vizituar gjatë kësaj vizite studimore, ka në plan të hartoj rregulloren për instalimin e mekanizmit të CARPAS, të shikojë mundësinë e bërjes së komentarit për Kodin e Etikës profesionale, për të cilën ka krijuar kontakte të drejtpërdrejta gjatë kësaj vizite me persona përgjegjës nga Parisi që do të jepnin kontributin e tyre në këtë drejtim, të krijojë një komitet për Lobim si dhe të bëjë ngritje të vazhdueshme të Këshillave, komisioneve, komiteteve dhe stafit të OAK, bazuar në praktikat më të mira të marra në Francë.

Krejt në fund, OAK dhe Oda e Avokatëve të Parisit, u dakorduan që të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimi për këto sfera në mënyrë që të një bashkëpunimi të ndërsjellë dhe produktiv në të ardhmen.