21 November 2015
Mitrovicë, 21.11.2015 – Dega Regjionale e Odës së Avokatëve të Kosovës në Mitrovicë mbajti mbledhjen e Rregullt të Kuvendit Zgjedhor e thirrur për zgjedhjen e kryetarit të Degës, kryesisë dhe delegatëve të saj. Në procesin e votimit në të cilin kanë votuar rreth 20 avokatë sa kanë qenë pjesëmarrës në këtë Kuvend, nga 36 avokatë sa i ka gjithsej kjo Degë, më së shumti vota ka marrë avokati, z. Vehbi Beqiri.
Kadri Osaj, Shefqet Ibrahimi dhe Vehbi Beqiri ishin tre kandidatet për kryetar të Degës Regjionale në Mitrovicë të cilët janë propozuar nga anëtarët gjatë punimeve të Kuvendit. Në vazhdën e procesit të zgjedhjeve, avokatet e Regjionit në Mitrovicë kanë votuar me 9 vota për avokatin z. Vehbi Beqiri, për z. Shefqet Ibrahimin 6 vota dhe për kandidatin, z. Kadri Osaj 05 vota, ndërsa asnjë votë nuk ishte e pavlefshme.
Për zëvendëskryetar të kësaj dege u zgjedh me aklamacion z. Xhelal Hasani, ndërsa për sekretar të kësaj dege, avokatja, znj. Fatmire Braha. Në procesin tjetër për zgjedhjen e delegatëve, Kuvendi Zgjedhor në Mitrovicë nga 20 avokatë sa ishin të pranishëm në mënyrë unanime janë zgjedhur 5 përfaqësues: Safet Voca, Vehbi Beqiri, Izet Gërguri, Nexhat Beqiri, Ljubomir Pantovic.