27 November 2015
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Në emër të Odës së Avokatëve të Kosovës, me kënaqësi të veçantë, me rastin e festës së 28 Nëntorit – Dita e Flamurit dhe Mëvetësisë së Republikës së Shqipërisë, urojë Ju dhe të gjithë shqiptarëve këtë festë, me dëshirë që kjo ditë e shënuar të jetë ditë e gëzuar për popullin shqiptar.
Ne shqiptarët, para ngjarjes madhështore – 28 Nëntor 1912 - ishim një popull i vogël, i përçarë në shumë krahina, e pa mbështetje ndërkombëtare; por gjithsesi me një zemër të madhe e besnikëri ndaj idealizmit të bashkimit të trojeve shqiptare dhe pavarësisë. Në vjeshtën e vonë të muajit Nëntor 1912, fati jonë ndryshoi drastikisht me shpalljen e pavarësisë të shumëpritur të Shqipërisë – pavarësi e ëndërruar që nga vitet e Rilindjes shqiptare. Që nga atëherë, bashkëpunimi dhe kontributi i vëllezërve shqiptarë të ndarë në Kosovë, Maqedon, Mal të Zi e diasporë ishte i pamohueshëm dhe i pashmangshëm.
Tani, 103 vjet më vonë, jemi pjesë e gjeneratës që do ta përjetojë ngjarjen më madhështore për shqiptarët, andaj le të shërbejë kjo festë si mesazh i paqes, lirisë dhe përpjekjes së përbashkët në realizimin e synimeve tona.
Me respekt,
Ibrahim Dobruna, Kryetar
Prishtinë,
Nëntor 2015