KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Delegacioni i Odës së Avokatëve mori pjesë në punimet e takimit vjetor 2015 të Odës Amerikane të Avokatëve

30 September 2015

ekipi

Oda Amerikane e Avokatëve mbajti takimin e vet vjetor 2015 në Chicago, Illinois të Shteteve të Bashkuara dhe me ftesë të Presidentit të Odës së Avokatëve Amerikane, Willam C. Hubbard, në cilësinë e mysafirit të shquar i ndoqi kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Ibrahim Dobruna i shoqëruar nga avokati, z. Dastid Pallaska. Përfaqësuesit e Odës së Avokatëve të Kosovës përcollën sesionet e punës së takimit vjetor 2015 të Odës Amerikane të Avokatëve, duke përfituar nga ky rast, pjesëmarrjen në aktivitete përmbajtjesore dhe rrjetezuese, përfshirë këtu aktivitetet ceremoniale të takimit vjetor ku mbajtën fjalime figura të shquara të sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara, siç është Loretta Lynch, kryeprokurorja e Shteteve të Bashkuara, Punimet dhe aktivitetet e organizuara nga Seksioni për të Drejtën Ndërkombëtare në të cilat trajtoheshin temat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me profesionin ligjor, punimet dhe aktivitetet tjera të organizuara nga seksionet tjera të Odës Amerikane të Avokatëve, të cilat për nga përmbajtja, folësit dhe zbatueshmëria ishin me rëndësi për Odën e Avokatëve të Kosovës, pastaj takimet bilaterale me gjyqtarë federal, prokurorë federal dhe avokatë të Shteteve të Bashkuara si dhe avokatë të tjerë nga mbarë bota në të cilat u diskutua për iniciativa të ndryshme bashkëpunimi.

Përkundër faktit që shumica e takimeve bilaterale u zhvilluan në margjinat e takimit vjetor të Odës Amerikane të Avokatëve, disa takime bilaterale me rëndësi u zhvilluan pas përfundimit formal të punimeve të takimit vjetor të Odës Amerikane të Avokatëve. Takimet bilaterale ishin tejet premtuese pasi që në këto takime u diskutuan iniciativa konkrete të cilat do të fuqizojnë bashkëpunimin e Odës së Avokatëve të Kosovës me aktorë të ndryshëm të sistemit të drejtësisë të Shteteve të Bashkuara.

Në kuadër të kësaj vizite, me 30 korrik 2015, delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës morën pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i Odës Amerikane të Avokatëve, William C. Hubbard, në nder të mysafirëve të shquar të cilit përfshinin përfaqësues të Odave të Avokatëve nga mbarë bota. Në këtë darkë ceremoniale delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës kishte nderin të ndante tavolinën me znj. Linda A. Kline, Partnere Menaxhuese në firmën Baker, Donelson, Bearman, Caldwell & Berkowitz, e cila ishte përzgjedhur si Presidente e Nominuar e Odës Amerikane të Avokatëve për vitin 2015-2016. Në po të njëjtën darkë, përfaqësuesit e Odës së Avokatëve të Kosovës kishin mundësi të bisedonin edhe me z. Wendell G. Large, Partner Menaxhues në Richardson, Whitman, Large & Badger, i cili është anëtar i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane të Avokatëve. Sara Stanford, Nën-Kryesuesja e Seksionit për të Drejtën Ndërkombëtare të Odës Amerikane të Avokatëve shprehi gatishmërinë për të ndihmuar Odën e Avokatëve të Kosovës në projekte që pasojnë në periudhën 2016-2017. Për më shumë, gjatë kësaj darke kryetari Dobruna pati mundësinë të zhvillojë një takim të shkurtër rasti me zëvendëskryetarin e Odës së Avokatëve të Japonisë, z. Katsuyoshi Suzuki. Gjatë bisedës me znj. Kline dhe z. Large, delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës u përqendrua në nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy Odave, qoftë nëpërmjet Iniciativës për Sundim të Ligjit të Odës Amerikane të Avokatëve, qoftë në raporte të drejtpërdrejta bilaterale. Me këtë rast kryetari Dobruna i njoftojë bashkëbiseduesit me arritjet e Odës së Avokatëve të Kosovës për reformimin e profesionit ligjor, gjithnjë duke nënvizuar ndihmën e dhënë nga Oda Amerikane e Avokatëve në këtë proces. Në anën tjetër, në takimin e rastit me z.. Suzuki, kryetari Dobruna shfaqi gatishmërinë e Odës së Avokatëve të Kosovës për bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Japonisë dhe, me këtë rast, ftojë z. Suzuki për një vizitë pune në Kosovë.

Po me datë 1 gusht 2015, Presidenti i Odës Amerikane të Avokatëve organizojë një koktej ceremonial për të gjithë mysafirët e takimit vjetor 2015 të Odës Amerikane të Avokatëve, i cili u mbajt në mjediset e Institutit të Artit në Chicago. Në këtë koktej, delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës zhvillojë një sërë takimesh rrjetëzuese me kolegë nga rajoni dhe bota, përfshirë por duke mos u kufizuar me përfaqësuesit e Odave të Avokatëve të Kroacisë, Austrisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Shri Lankës etj. Me kolegët nga rajoni, kryetari Dobruna theksojë nevojën e bashkëpunimit nëpërmjet forumit të sapokrijuar BRRLN, ndërsa me kolegët nga bota u diskutuan mundësit për shkëmbim vizitash pune.

Ndërsa, me datë 4 gusht 2015, delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të punimeve të Takimit Vjetor 2015 të Odës Amerikane të Avokatëve në të cilën folëse kryesore ishte Loretta Lynch, kryeprokurore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fjalimin e vet kryesor, Kryeprokurorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës foli për tensionet e fundit ndërmjet komuniteteve në baza racore të cilat janë shkaktuar nga incidentet që përfshinin pjesëtarët e pakicës afro-amerikane me autoritetet policore. Për më shumë, gjatë fjalimit të saj, znj. Lynch tregoi për iniciativat e Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara për të luftuar paragjykimet racore të pjesëtarëve të policive lokale dhe për të ndjekur penalisht policët që kanë tejkaluar autorizimet e tyre ligjore gjatë ushtrimit të mandatit të tyre.

Për më shumë, në fjalimin e saj znj. Lynch përmendi edhe iniciativën e vet për koordinimin ndër-institucional për luftimin e trafikimit me njerëz. Në këtë drejtim, znj. Lynch përmendi që kjo iniciativë ka prodhuar rezultate të kënaqshme në gjashtë qytete ku është zbatuar si pilot projekt pasi që numri i lëndëve të paraqitura dhe aktakuzave të ngritura nga prokurorët është dyfishuar. Në fund, znj. Lynch foli edhe për përpjekjet e Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara për luftimin e krimit kibernetik i cili po cenon ekonominë amerikane.

Delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës me 31 korrik 2015, mori pjesë në Tryezat e Rrumbullakëta të Mysafirëve të Shquar të cilat ishin organizuar nga Seksioni për të Drejtën Ndërkombëtare të Odës Amerikane të Avokatëve. Në këto tryeza u diskutuan problemet kryesore të profesionit ligjor në mbarë botën me theks të veçantë në rënien e profesionit ligjor, qasjen në drejtësi, ndikimin e teknologjisë në profesionin ligjor, avokatinë dhe politikën si dhe tema të ndryshme nga drejtësia penale. Tryeza e parë e rrumbullakët u organizua në këtë forum ishte me temën “A është me të vërtetë në rënie profesioni ligjor ?”. Në këtë tryezë, e cila u moderua nga Marcelo Bombau, Kryesues i Seksionit për të Drejtën Ndërkombëtare të Odës Amerikane të Avokatëve, temën e lartpërmendur e shtruan për diskutim, Christine McLintock, Kryetare e Shoqërisë Ligjore të Skocisë dhe z. Edwin Upenieks, Kryetar i Odës së Avokatëve të Ontario-së. Në këtë tryezë folësit adresuan problemet kryesore që po shkaktojnë rënien e numrit të studentëve në fakultete juridike si dhe largimin e avokatëve nga firmat e mëdha të avokaturës të cilat janë transformuar në korporata me mijëra avokatë. Një tjetër aktivitet që u mbajt si pjesë e Tryezës së Rrumbullakët të Mysafirëve të Shquar ishte edhe tryeza mbi “Adresimin e Qasjes në Drejtësi”, e cila u moderua nga Steven Richman, Zyrtar për Anëtarësi i Odës Amerikane të Avokatëve. Prezantimet kryesore për këtë temë u paraqitën nga znj. Catherine Dixon, Drejtoresh Ekzekutive e Shoqërisë Ligjore të Anglisë dhe Uellsit dhe z. Jonathan Smither, Kryetar i Shoqërisë Ligjore të Anglisë. Në këtë tryezë folësit treguan se si kostoja e lartë e shërbimeve ligjore ka bërë që sistemi i drejtësisë në disa vende perëndimore të mos jetë në shërbim të apo i qasshëm për qytetarët me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Është pikërisht ky trend, sipas folësve, që ka shkaktuar nevojën e krijimit të kuazi-juristëve dhe mekanizmave tjerë alternativ për zgjidhjen e mos-marrëveshjeve nga persona që ose nuk janë plotësisht të kualifikuar si avokatë/juristë ose persona që fare nuk janë avokatë/juristë. Si pasojë e këtij trendi folësit nënvizuan nevojën e rregullimit të këtyre profesioneve të reja që po kanë tendenca të ushtrojnë profesionin ligjor. Tryeza e Rrumbullakët me temën “Ndikimi i Inovacionit dhe Automatizimit të Shërbimeve Ligjore” u moderua nga Sara Stanford, Nën-Kryesuesja e Seksionit për të Drejtën Ndërkombëtare të Odës Amerikane të Avokatëve, ndërsa temën për diskutim e shtrojë znj. Louise Lecanda, Anëtare e Bordit Menaxhues dhe Kryesuese e Komitetit Ndërkombëtar e Shoqatës së Firmave Juridike Daneze. Në këtë tryezë temë kryesore e diskutimit ishte ndikimi i teknologjisë në punën e avokatëve, mirëmbajtja e dokumenteve dhe komunikimi avokatë-klientë në botën e serverëve virtual cloud si dhe efekti i bashkimeve të firmave të mëdha të avokatëve në dritën e zhvillimeve teknologjike. Pyetja kryesore që u ngrit gjatë kësaj tryeze ishte mirëmbajtja e etikës dhe përgjegjësive ligjore të avokatëve në një mjedis të avancuar teknologjik në të cilin roli i avokatëve dhe klientëve nuk është siç ka qenë më parë.

Udhëkryqet e Ligjit dhe Politikës ishte tryeza e radhës me folës kryesor ishin, Lisa Savitt, Kryesuese e Nominuar e Seksionit për të Drejtën Ndërkombëtare e Odës Amerikane të Avokatëve, z. Axel Filges, Kryetar i Odës Gjermane të Avokatëve dhe Huen Wong, Kryetar i Odës Ndër-Pacifike të Avokatëve. Tema e shtruar adresoi rolin e avokatëve në avokim publik për adresimin e çështjeve me interes publik, siç janë jo-toleranca në ngritje kundër grupeve të caktuara racore dhe etnike në botë, si dhe adresimi i këtyre temave nëpërmjet nismave ligjore dhe/apo punës pro-bono për grupet e nën-privilegjuara. Për çështjet e ndryshme nga e drejta penale folën, z. Alistair McDonald, Kryetar i Këshillit të Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit dhe Carlos Lopez Lopez, Krytar i Shoqatës Inter-Amerikane të Avokatëve, u përqendruan në çështjet e cilësisë dhe efikasitetit të përfaqësimit, punën pro bono dhe qasjen e barabartë në drejtësi.

Ndër të tjera, me 30 korrik 2015, Shoqëria Ligjore e Anglisë dhe Uellsit organizoi një tryezë të rrumbullakët në lidhje me sfidat në lidhje me rregullimin të juristëve të parregulluar në juridiksionet e ndryshme në botë. Kjo tryezë u mbajt në një mjedis joformal në rezidencën e Konsullit të Lartmadhërisë së Saj, Mbretëreshës, në Chicago të Shteteve të Bashkuara. Në këtë tryezë u diskutua për problemin e automatizimit të shërbimeve ligjore dhe rregullimin e kategorive të reja të ofruesve të shërbimeve ligjore të cilët nuk janë të rregulluar nga odat e avokatëve. Në lidhje me këtë, diskutimi kryesisht u përqendrua tek kompanitë që ofrojnë shërbime të automatizuara ligjore nëpërmjet programeve kompjuterike dhe të cilat janë kryesisht të përqendruara në përpilimin e kontratave dhe dokumenteve tjera të standardizuara. Një temë tjetër me rëndësi që u diskutua gjatë kësaj tryeze ishte edhe rregullimi i juristëve që ofrojnë shërbime ligjore por që nuk janë anëtar të odave të avokatëve. Sa i përket kësaj teme, u nënvizua fuqizimi i organizimit të juristëve të brendshëm të kompanive të cilët vazhdimisht po marrin rol më të rëndësishëm në procesin e këshilldhënies ligjore dhe përfaqësimit të kompanive para autoriteteve publike. Në lidhje me këtë u shtrua nevoja e rregullimit të tyre brenda sistemit të odave kombëtare të avokatëve në secilin juridiksion.

Më 31 korrik 2015, seksioni për Drejtësi Penale organizojë tryezën e rrumbullakët në lidhje me përgjegjësinë penale të personave juridik për kontraktorët dhe nën-kontraktorët e tyre që shkelin ligjin jashtë kufijve të Shteteve të Bashkuara. Kjo temë u prezantua nga folësit Andrew S. Boutros, Prokuror Federal i Shteteve të Bashkuara nga Qarku Verior i Illinois, Virginia M. Kendall, Gjyqtare Federale, Gjykata e Qarkut për Qarkun Verior të Shteteve të Bashkuara, T. Markus Funk, Partner në zyrën e avokatisë Perkins Coie, dhe Gil M. Soffer, Partner Menaxhues në zyrën e avokatisë, Katten Muchin Rosenman. Në këtë tryezë u diskutua në lidhje me ligjet penale të Shteteve të Bashkuara që kanë zbatueshmëri jashtë kufijve shtetëror. Përkatësisht, një ndër temat kryesore që u trajtua nga ky panel ishin ligjet që kërkojnë zbulimin e të gjithë zinxhirëve të furnizimit të mallrave dhe shërbimeve që përdoren nga kompanitë amerikane me qëllim të konfirmimit se kontraktorët dhe nën-kontraktorët e kompanive amerikane nuk janë të përfshirë apo nuk përfitojnë nga puna skllavëruese, puna e të miturve, apo puna nga grupe që janë të përfshira në veprimtari kriminale. Ky panel tërhoqi vëmendjen e shumë avokatëve të huaj pasi që folësit po ashtu u përqendruan në mënyrën e hetimit të brendshëm të këtyre rasteve në bashkëpunimin me avokatë vendor si dhe format e ushtrimit të juridiksionit të prokurorëve nga Shtetet e Bashkuara në rastet kur fillon ndjekja penale nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara.

Më tutje, me 31 korrik 2015, gjithashtu seksioni për Drejtësi Penale organizojë tryezën e rrumbullakët me temën “Hetimet e Brendshme: Orientimi rreth minave etike”. Kjo tryezë moderohej nga Patrick Fitzgerald, ish Kryeprokuror Federal i Qarkut Verior të Illionois i cili aktualisht punon si partner në zyrën prestigjioze të avokatisë Skadden Arps dhe i cili shërbeu si Prokuror Special për hetimin e skandalit të publikimit të emrit të një ish agjente të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës nga zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë nën Presidentin George W. Bush. Në këtë tryezë temë kryesore ishte përgjegjësia penale e personave juridik në rastet e dyshimit për kryerjen e një vepre penale nga personat përgjegjës apo punëtorët e personit juridik. Përkatësisht, folësit – të cilët përfshinin avokatë me renome në këtë fushë si dhe juristë të kompanive multi-nacionale me seli në Shtetet e Bashkuara – treguan për praktikat më të mira për krijimin e sistemeve për trajtimin e keqpërdorimeve të ndryshme që mbartin përgjegjësi penale brenda kompanive si dhe bashkëpunimin me autoritetet e ndjekjes penale. Një temë me interes të posaçëm që u diskutua në këtë tryezë ishte raporti ndërmjet juristëve të brendshëm të kompanisë me menaxhmentin e kompanisë në kuptim të privilegjit avokat-klient. Në lidhje me këtë folësit konstatuan që njëra prej arsyeve kryesore pse kompanitë e mëdha në këto raste angazhojnë avokatë të jashtëm për të kryer hetimet është për të përfituar nga raporti i privilegjuar avokat-klient i cili u mundëson kompanive që jo të gjitha të dhënat e hetimeve të brendshme t’i ndajnë me autoritetet e ndjekjes penale.

Në vazhdën e vizitës, me datë 2 gusht 2015, delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temën “Avokatët Suprem: Avokatët e Shtetit reflektojnë mbi Gjykatën Supreme, ashtu siç ka qenë, është, dhe do të jetë”. Kjo tryezë që – bashkojë katër Avokatë Shtetëror që përfaqësojnë interesat e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara para Gjykatës Supreme – ofronte një mundësi unike për diskutimin e vendimeve dhe praktikave të Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara në të kaluarën, aktualisht dhe në të ardhmen. Gjatë prezantimeve të tyre, Avokatët Shtetëror, z. Donald B. Verilli, z. Drew S. Days, z. Kenneth Winston Starr, dhe z. Ted Olson, u përqendruan në vendimet e Gjykatës Supreme në lidhje me luftën kundër terrorizimit, mbrojtjen e privatësisë, ngadalësimin e ngrohjes globale, zhvillimin ekonomik, imigrimin dhe kujdesin shëndetësor.

Ndërsa, me datë 3 gusht 2015, delegacioni i Odës së Avokatëve mori pjesë në drekën e punës ku mysafire speciale ishte znj. Mari Carmen Aponte, Ambasadore e Shteteve të Bashkuara në El Salvador. Kjo drekë pune ishte e organizuar nga Iniciativa për Sundimin e Ligjit të Odës Amerikane të Avokatëve, ndërkaq delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës kishte rast të ndante tavolinën dhe të takohej edhe me Drejtorin Ekzekutiv të Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, z. Mark Ellis. Gjatë kësaj dreke pune Ambasadorja Aponte tregojë përvojën e saj në lidhje me zbatimin e reformës ligjore në El Salvador me ndihmën e Iniciativës për Sundim të Ligjit të Odës Amerikane të Avokatëve, duke nënvizuar sukseset dhe sfidat e operimit në një mjedis jo stabil.

Takimet Bilaterale me Gjyqtarë Federal, Prokurorë Federal dhe Avokatë të Shteteve të Bashkuara

Takimi me John R. Tunheim, Gjyqtar Federal

Delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës me datë 1 gusht 2015, pati takim pune me z. John R. Tunheim, Gjyqtar Federal i Qarkut në Minesota të Shteteve të Bashkuara. Në këtë takim kryetari Dobruna diskutojë me z.. Tunheim në lidhje me iniciativën e bashkëpunimit të Odës së Avokatëve të Kosovës me Odën e Avokatëve në Minesota. Për më shumë, gjatë këtij takimi z. Tunheim shprehi interesimin e tij të vizitojë Odën e Avokatëve të Kosovës, qoftë gjatë punimeve të Kuvendit Vjetor të OAK-së apo për të marrë pjesë në ndonjë seminar me temë zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Në lidhje me këtë, kryetari Dobruna i propozojë z. Tunheim që të merr pjesë në tryezën e rrumbullakët që Oda e Avokatëve të Kosovës mund ta organizojë në fund të vjeshtës 2015 në lidhje me sfidat e ballafaqimit të avokatisë së Kosovës me Tribunalin Special të sapo krijuar. Z. Tunheim parimisht pranojë ftesën me rezervimin se konfirmimin përfundimtar mund ta jap posa të jenë të ditura datat e sakta të kësaj tryeze tentative.

Darkat e Punës me Andrew Butros, Prokuror Federal

Takimet e delegacionit të Odës së Avokatëve të Kosovës kanë vazhduar edhe me datë 4 dhe 5 gusht 2015, ku u zhvillua darkë pune me z. Andrew Butros, Prokuror Federal nga Qarku Verior i Illinois. Me z. Butros u diskutuan disa tema, përfshirë edhe ballafaqimin e sistemit të drejtësisë me krijimin e Tribunalit Special si dhe për kapacitetet e avokatëve të Kosovës për të përfaqësuar me raste të rënda që përfshijnë krime ekonomike dhe korrupsion publik. Z. Butros shfaqi interesimin e tij që të vizitojë Odën e Avokatëve dhe të marrë pjesë në çfarëdo tryeze që organizohet nga Oda e Avokatëve të Kosovës në lidhje me temat e lartpërmendura. Për më shumë, gjatë këtyre takimeve z. Butros ftojë Dastid Pallaskën që të jetë autor i kapitullit për Kosovën i një libri të edituar nga z. Butors, që pritet të publikohet nga Oxford Press, në lidhje me luftimin e korrupsionit në vende të ndryshme të botës.

Darka e Punës me T. Markus Funk, Partner në firmën e avokatëve Perkins Coie

Takime tw tilla kanw vazhduar edhe me 1 gusht 2015, ku delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës u ftua në darkë pune me avokatin T. Markus Funk, Partner në firmën e avokatisë Perkins Coie. Z. Funk i cili në cilësinë e tij si Prokuror Federal kishte punuar në Kosovë në periudhën 2005-2006 shprehi interesim të madh për bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës. Në lidhje me këtë z. Funk shprehi gatishmërinë e tij që me fondet e siguruara nga ai vet të viziton Kosovën për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara nga Oda e Avokatëve e Kosovës në lidhje me Tribunalin Special të sapokrijuar. Për më shumë, z. Funk ofrojë ndihmën e vet në lidhjen e avokatëve amerikan me kolegët nga Kosova për të krijuar ekipe avokatësh mbrojtës për Tribunalin Special.

Darkat e Punës me Richard J. Mason, Partner në firmën e avokatëve McGuire Woods

Më 4 gusht 2015 delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës u takua me Richard J. Mason, Partner në firmën e avokatëve “McGuire Woods” dhe ekipin e tij. Gjatë takimit z. Mason u interesua shumë për nivelin e etikës së avokatëve në Kosovë dhe trajnimet e vazhdueshme për etikë që mbahen nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Për më shumë, gjatë këtij takimi delegacioni i Odës së Avokatëve të Kosovës njoftoi z. Mason me reformat që Oda e Avokatëve të Kosovës ka kryer në procesin disiplinor të vet. Z. Mason shprehi gatishmërinë e firmës së tij për të ndihmuar Odën e Avokatëve të Kosovës me avancimin e reformave. Në këtë drejtim, z. Mason ofrojë ndihmën e partnerit të tij Thomas E. Spahn i cili është një ndër specialistët më të shquar të etikës së avokatëve në Shtetet e Bashkuara. Në lidhje me këtë, z. Mason dhe z. Spahn presin ftesën e Odës së Avokatëve të Kosovës për ndihmë në ndonjë sferë të caktuar në lidhje me etikën e avokatëve dhe/apo procesin disiplinor.