03 March 2016
Prishtinë, 03.03.2016 – U mbajt takimi i parë i anëtarëve të Komisionit Disiplinor të të shkallës së parë të Odës së Avokatëve të Kosovës, me qëllim të njohjes më për së afërmi rreth zhvillimeve të mëtutjeshme dhe arritjen e koordinimit sa më të mirë mes anëtarëve të këtij komisioni.
Hapja e takimit u bë nga kryetari i OAK-së, Osman Havolli i cili shprehi gatishmërinë e OAK-së për mbështetje të Komisionit Disiplinorë në punën e tyre të paanshme dhe të drejtë. Qëllimi kryesor i takimit të anëtarëve të Komisionit Disiplinor të OAK-së ishte zgjedhja e Kryetarit të Komisionit Disiplinor të OAK-së, dhe në këtë kuadër, në mesin e dhjetë anëtarëve të Komisionit Disiplinor të OAK-së, kryetar u zgjodh me shumicë votash avokati, Kadri Sylaj nga Gjilani.
Në këtë takim u diskutua edhe për të arriturat e deri tanishme të Komisionit Disiplinor të OAK-së, punën efikase dhe të pa ndikuar deri më tani, si dhe sfidat me të cilat është ballafaquar dhe mund të hasen edhe në punën e ardhshme të këtij komisioni.
Anëtarët e Komisionit Disiplinor shtruan një mori çështjesh që kanë të bëjnë me efikasitetin dhe zbatimin më praktik të Rregullores për Procedurën Disiplinore të OAK-së dhe harmonizimi e saj me aktet tjera normative të OAK-së
Si rezultat i këtij takimi u propozua edhe mbajtja sa më e shpejtë e Kuvendit të Punës dhe hyrja në fuqi e draft rregullores e cila rezultoi nga punëtoria e përbashkët e dy Komisioneve Disiplinore të OAK-së e mbajtur në “Hotel Sharr” në Prevallë me 24-26 korrik 2015, pasi që rregullorja aktuale e Procedurës Disiplinore të OAK-së konsiderohet si e mangët dhe e pakoordinuar me aktet tjera normative të OAK-së.