11 March 2016
Mitrovicë, 11.03.2016 – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli dhe zëvendëskryetari, Isamedin Dedinca nën shoqërimin e kryetarit të Degës Regjionale në Mitrovicë, Vehbi Beqiri kanë zhvilluar takim me anëtarësinë regjionale në Mitrovicë, me qëllim të identifikimit të punëve dhe aktiviteteve të mëtejme të Odës së Avokatëve të Kosovës, në raport me Degën Regjionale në Mitrovicë.
Në takimin e drejtuesve të OAK-së dhe anëtarësisë regjionale në Mitrovicë u diskutuan një mori çështjesh që ndërlidhen me realizimin e të drejtave të avokatëve, karshi gjykatave në këtë regjion. Një nga shkaqet e problematike të shfaqura nga ana e avokatëve ishte mungesa e hapësirës brenda objektit të Gjykatës në Vushtrri, ku në Gjykatë gjendja aktuale është e pa përballueshme për funksionim sa më të mirë dhe ofrim të shërbimeve ndaj qytetarit.
Në bashkëbisedim e sipërm u paraqit edhe problemi me caktimin e përfaqësuesit të përkohshëm, sidomos në lëmin civile, dhe për çështje, të pranishmit në takim me qëllim të efikasitetit dhe transparencës, u pajtuan që të procedohet sipas listës së OAK-së për caktimin e avokatëve.
Shqetësim u paraqit edhe çështja e intervistimit në polici, konkretisht në rastet për të mitur, ku në këto raste policia kërkon sigurimin e avokatit mbrojtës për intervistim gjatë orëve të vona të natës. Duke marrë parasysh se procedura për të mitur është e ndërlikuar dhe e ndjeshme, u kërkua që rastet e tilla për të mitur në polici të bëhen në kushte dhe rrethana të posaçme dhe aq me pak në orët e vona, pasi gjendja e të miturit në pikëpamje psiko fizike nuk e lejon një çështje të tillë për trajtim.
Njëherit në këtë takim u kërkua që avokatet e Vushtrrisë të kenë të drejtë të përfaqësojnë në krimet e rënda në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, me qenëse aktivitetet i zhvillojnë në të njëjtin institucion dhe këtë mënyrë të evitohet pabarazia.
Ngritja e profesionalizmit profesional të avokateve në gjykata dhe mbrojtja dinjitoze e qytetarit ishte njëra ndër çështjet e diskutuara në këtë takim regjional në Mitrovicë.
Në këtë takim morën pjesë 26 avokatë të regjionit në Mitrovicë.