25 March 2016
Prishtinë, 25.03.2016 – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli nën përcjelljen e anëtarëve të Këshillit Drejtues, pritën në takim delegacionin e Odës së Avokatëve të Serbisë, i kryesuar nga kryetari, z. Dragoljub Djordjevic me të cilët kanë biseduar lidhur me krijimin e bashkëpunimit reciprok në mes dy institucioneve të avokatisë.
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli falënderoj homologun e tij nga Serbia, z. Djordjevic për vizitën në Kosovë dhe njëherit u shpreh se bashkëpunimi në mes dy institucioneve është relevantë për shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e kualiteteve në përfaqësimet e klientëve dhe tejkalimin e barrierave të ndryshme në profesion.
Në anën tjetër, kryetari i Odës së Avokatëve të Serbisë, z. Dragoljub Djordjevic, theksoi të rëndësishme krijimin e bashkëpunimit reciprok institucional, e cila sipas tij, do të ndikojnë në të mirë të qytetarëve të Serbisë dhe atyre të Kosovës rreth përfaqësimeve sa më dinjitoze para organeve të drejtësisë.
Krerët e dy Odave, kanë diskutuar edhe rreth fushës së legjislacionit, e cila do i paraprij me koordinimin e aktiviteteve dhe mbështetjes mes dy Odave të Avokatëve, që sundimi i ligjit të jetë prioritet për shoqërinë.