KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

OAK-OSBE certifikuan të mentoruarat dhe lansuan programin e mentorimit për vitin 2016 - 2017

20 April 2016

ekipi

Prishtinë, 20.04.2016 - Komiteti për Çështje Gjinore i Odës së Avokatëve të Kosovës në bashkëpunim me OSBE organizuan ceremoninë e certifikimit të programit pilot të mentorimit për vitin 2015-2016 dhe lansimin e programit të mentorimit për vitin 2016 – 2017.

Në këtë konferencë morën pjesë kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli, Kryetarja e Degës Regjionale të OAK-së në Prishtinë, znj. Merita Stublla Emini, përfaqësuesi i OSBE në Kosovë, z. Steven Fenner, dekani i Fakultetit Juridik të UP-së, z. Haxhi Gashi, përfaqësuesja e Formumit të Gruas të Gjyqtarëve dhe Prokuroreve, znj. Laura Pula, kryetarja e Komitetit për Çështje Gjinore të OAK-së, znj. Albana Kelmendi, kryetarja e Odës së Noterisë, znj. Arbena Shehu dhe kryetarja e Odës së Përmbaruese të Kosovës, znj. Emini Sherifi Lubeniqi.

Penalistët në këtë konferencë vlerësuan bashkëpunimin e ndërsjellë në kuadër të programit të mentorimit për Odën e Avokatëve të Kosovës i cili lidh juristët e rijnë dhe studentët e Fakultetit Juridik në vitin e fundit të studimeve me juristët me përvojë.

Duke u bazuar në këtë program, të pranishmit theksuan se programi ka për qëllim të mundësoj të diplomuarve të rinj të juridikut të kuptojnë më mirë sfidat dhe mundësitë në profesionin ligjor, dhe përshpejtimin e mësimeve të tyre duke u mbështetur nga avokatët me përvojë. Ndër të tjera, nga pjesëmarrësit u inkurajuan marrëdhëniet jo-formale profesionale në mes të avokatëve me përvojë dhe juristëve më ma pak përvojë, apo studentëve e drejtësisë në vitin e fundit, për të ndihmuar ata që të fitojnë njohuri për profesionin ligjor dhe që të përgatiten më mirë për ushtrimin e praktikës ligjore.

Gjatë kësaj konference janë shpërndarë edhe certifikata për kandidatet e mentoruara gjatë vitit 2015 dhe atë për studentet: Rreze Hoxha, Edona Sina, Dorentina Fetahaj, Mimoza Shala, Blerina Kurtaj dhe Yllka Preteni. Ndërsa, për avokatet të cilat kanë qenë pjesë e mentorimit të studenteve për vitin 2015 u janë ndarë falënderime nga Komiteti për Çështje Gjinore të OAK-së në bashkëpunim me OSBE për avokatët; Merita Stublla Emini, Fehmije Gashi Bytyqi, Xhylizare Selimi Dushi, Flutra Hoxha Latifi. Në këtë kuadër iu është ndarë falënderim për kontributin e dhënë në këtë proces edhe koordinatores së Qendrës Trajnuese për Avokatë, znjsh. Albulena Ukimeraj.

Programi i mentorimit ka gjetur përkrahje për implementim edhe për vitin 2016, përmes se cilës janë përzgjedhur njëmbëdhjetë kandidate studente të Fakultetit Juridik të Universitetit të UP-së të cilat do të mentorohen nga avokatet femra të Odës së Avokatëve të Kosovës për gjatë vitit 2016.

Programi i mentorimit bazohet në bashkëveprim një-me-një ndërmjet mentorëve dhe të mentoruarve. Kontakti personal do të jetë forma më e zakonshme e kontaktit në mes të mentorëve dhe të mentoruarve, por ata gjithashtu do të mbajnë kontakte të rregullta nëpërmjet e-mailit, telefonit, Facebook-ut apo mediave të tjera sociale. Mentorët do të shërbejnë si trajnerë dhe këshilltarë, duke ndihmuar avokatët e rinj dhe studentët e drejtësisë që të zgjerojnë rrjetet e tyre dhe të përgatiten për kalimin nga studimet e ligjit në praktikën e ligjit. Qëllimi i marrëdhënieve është që të ndihmohen të mentoruarit që të zhvillojnë plotësisht potencialin e tyre profesional.

Plani mentorimit është dizajnuar për të plotësuar, marrëdhëniet jo-formale të cilat spontanisht do të zhvillohen në mes të mentorëve dhe të mentoruarve. Mentorët dhe të mentoruarit do të inkurajohen që të kanë kontakte të rëndësishme me njëri-tjetrin nëpërmjet ndërveprimeve të shpeshta në punë dhe përmes aktiviteteve sociale dhe profesionale. Përveç kësaj, OSBE-ja do të organizojë pesë punëtori për të diskutuar tema të veçanta dhe progresin e arritur. Punëtoritë do të mbahen në temat e mëposhtme: 1. Punëtoria hyrëse orientimi; 2. Rregullat e sjelljes profesionale dhe Kodi i Etikës së Avokatëve; 3.Menaxhimi i zyrës së avokatisë dhe puna me klientët; 4. Aftësitë bazike praktike; 5. Zhvillimi i karrierës.