11 June 2016
Oda e Avokatëve të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Ministrinë e Drejtësisë me rastin e 43 vjetorit organizuan “Ditën e Avokatisë 2016” dhe Konferencën me avokatë dhe juristë nga diaspora. Manifestimi është mbajtur në Prishtinë me datë 10 dhe 11 qershor 2016 në “Swiss Diamond”, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, gjyqtar, prokuror, avokatë dhe juristë nga diaspora, anëtarë të rrjeteve profesionale, me qëllim të krijimit të kontakteve mes avokatëve e juristëve nga diaspora dhe atyre nga Kosova, si dhe gjetja e mundësive të bashkëpunimit.
Në hapje të manifestimit kanë prezantuar shumë personalitete të cilët nderuan Odën e Avokatëve të Kosovës me fjalën e tyre, duke përfshirë; Zëvendëskryeministri dhe njëherit Ministër i Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi, Ministër i Diasporës, z. Valon Murati, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi, Kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksander Lumezi, Anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë se Shqipërisë z. Virgjil Karaja si dhe Ambasadori i misionit të OSBE në Kosovë, z. Jean-Claude Schlumberger.
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli në fjalën e tij hapëse vlerësoi lart përpjekjet dhe kontributin e shumë avokatëve në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Ndër të tjera, ai tha se Oda e Avokatëve të Kosovës, e monitoruar nga institucionet ndërkombëtare qëndron e para në relacion me shtetet e tjera në rajon për aktivitetet dhe mekanizmat që i ka zhvilluar. Duke folur për sfidat e avokatisë në Kosovë, kryetari Havolli tha se ne jemi të vetëdijshëm edhe për sfidat të cilat jemi përballur dhe vazhdojmë të përballemi në zbatimin e kuadrit ligjor, por Ju garantojmë se do të punojmë në respektim dhe frymën e ligjit, do të përkujdesemi për krijimin e politikave efektive, transparencë, bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për të mbrojtur interesat e të gjithë qytetarëve, ashtu siç na obligon rendi Kushtetues i Republikës së Kosovës, Marrëveshjet dhe Traktatet Ndërkombëtare, dhe në këtë mënyrë do të reflektojmë përgjegjësi të nivelit dhe kulturë të lartë juridiko – profesionale.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri dhe njëherit Ministër i Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi vlerësoi lartë kontributin e avokatisë që sipas tij, avokatia në Kosovë ka arsye të ndihet krenare me punën dhe aktivitetin e vet për katër dekada në Republikën e Kosovës, ka mbrojtur me dinjitet jo vetëm palët dhe se të gjithë avokatët e mirë të Republikës së Kosovës tani dhe më herët, e kanë bërë punën për ligjin, për lirinë dhe të drejtat e njeriut.
Ndërsa, Ministri i Diasporës, z. Valon Murati, pasi uroi Ditën e Avokatisë, duke u dëshiruar mirëseardhje edhe juristëve nga diaspora, përçoi mesazhin e bashkëpunimit jo vetëm mes juristëve, por edhe me institucionet e Republikës së Kosovës në sfidat që vijnë. Ministri Murati theksoi se Atdheu ynë i përbashkët ka ende shume sfida, të cilat mund të kalohen me një vullnet të përbashkët dhe duke i shfrytëzuar potencialet reciproke. Pra, atdheu dhe dashuria e përkushtimi për të janë pika kyç që na lidhin dhe na shtyjnë të gjejmë modalitete të bashkëpunimit në këto ditë sa do të mbahet konferenca.
Kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksander Lumezi uroj strukturën drejtuese, avokatët mbrojtës dhe të gjithë punonjësit e Odës për punën fisnike për të cilën siguroj mbështetje të plotë nga Institucioni i Prokurorit të Shtetit. Lumezi në fjalën e tij theksoi se dita e sotme është e shënuar jo vetëm për juve avokatë që mbani mbi supe shpresën e qytetarëve sa herë që ata kanë nevojë për shërbimet tuaja në mbrojtje të të drejtave të tyre, por edhe për neve akterët tjerë të drejtësisë, prokurorinë, gjykatën, Ministrinë e Drejtësisë dhe të gjithë profesionistët tjerë ligjor. Ai më tutje shtoi se ne kaluam së bashku një rrugë të gjatë për të arritur deri te kjo ditë ku ushtrojmë funksione të ndryshme dhe gjërat shpesh i shohim nga perspektiva të ndryshme, por jam i sigurt se ndajmë shumë gjëra të përbashkëta.
Manifestimi është karakterizuar edhe me dhënien e betimit të avokatëve dhe praktikantëve të avokatisë të cilët kanë dhënë betimin para Zëvendëskryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Isamedin Dedinca dhe para audiencës në sallë.
Në kuadër të këtij manifestimi, Komiteti për Çështje Gjinore i OAK-së i mbështetur nga OSBE kanë organizuar takim me në mes të avokatëve mentore dhe studenteve të mentoruara. Në këtë takim morën pjesë kryetari i OAK-së, z. Osman Havolli, Kryetarja e Komitetit për Çështje Gjinore, znj. Albana Kelmendi, kryetarja e Degës Regjionale në Prishtinë, znj. Merita Stublla Emini, Drejtori Ekzekutiv, z. Yll Zekaj si dhe përfaqësuesja e OSBE-së, znj. Jasmina Gojani. Gjatë këtij takimi u shtruan shumë çështje për diskutim që ndërlidhen me fuqizimin e femrës juriste në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Drejtuesit e Odës së Avokatëve të Kosovës kërkuan nga studentet pjesëmarrëse kurajo dhe guxim në tejkalimin e sfidave eventuale që mund të paraqiten në të ardhmen.
Po ashtu, janë organizuar edhe dy gjykime të improvizuar me praktikantet e avokatisë në lëmin penale dhe civile, të cilët treguan shkathtësitë e tyre para audiencës së gjerë. Kryetari i OAK-së, z. Osman Havolli vlerësoj përgatitjen e praktikantëve në këto gjykime simuluese dhe përshendeti profesionalizmin e treguar në këto gjykime simuluese. Zëvendëskryetari i OAK-së, z. Isamedin Dedinca njëherit edhe trajnues në dy raste simuluese, ndau certifikatat. Të pranishmit në këtë aktivitet ishin mysafir, avokatë, praktikantë, përfaqësues të OAK-së si dhe familjar. Gjykimi i improvizuar është mbajtur në Gjykatoren e Fakultetit Juridikë të Kolegjit “Juridica” në Prishtinë.
Gjatë manifestimit dy ditor të Ditës së Avokatisë, janë mbajtur konferencat me panel-diskutime, për të cilat edhe janë nxjerrur konkluzionet dhe rekomandimet nga çështjet e trajtuara juridike.
Temat e konferencës ishin: