KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Kryetari i Odës së Avokatëve takoi Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë

30 September 2016

ekipi

Prishtinë, 30.09.2016 – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli është pritur në takim nga Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi me të cilin ka biseduar lidhur me krijimin e një ambienti të bashkëpunimit në ofrimin e shërbimeve juridike nga ana e avokatëve e të dyja vendeve.

Kryetari Havolli njoftoj Ambasadorin e Shqipërisë, Minxhozi për idenë për organizimin e një mbledhje të përbashkët e Këshillave Drejtuese të të dy Odave të Avokatëve, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë me qëllim të afrimit të qëndrimeve dhe unifikimit të çështjeve thelbësore të avokatisë në të ardhmen.

Havolli kërkoj nga Ambasadori i Shqipërisë që të angazhohet në arritjen e një marrëveshjeje në mes Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë dhe Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri për përfaqësim të avokatëve në mes të të dyja shteteve, pasi sipas tij, reciprociteti i cili është i paraparë me Ligjin e avokatisë në të dyja vendet, po e pamundëson një gjë të tillë.

Në anën tjetër, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi mirëpriti idenë e një takimi të përbashkët mes dy Odave të Avokatëve, e cila sipas tij, do të ndikoj në thellimin e bashkëpunimit dhe përafrimin e fushave të përbashkët të avokatisë dhe ngritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve për qytetarët e të dyja vendeve.

Më tutje, Ambasadori Minxhozi mbështeti iniciativën e kryetarit Havolli për nënshkrimin e një marrëveshje mes dy vendeve për heqjen e barrierës dhe për përfaqësim të dyanshëm të avokatëve Kosovë-Shqipëri, duke thënë se do të bëjë përpjekje që kjo ide të realizohet, duke parë të rëndësishme, para së gjithash interesin e të dy Odave të Avokatëve dhe mbi të gjitha interesin e qytetarëve të të dyja shteteve për përfaqësim nga avokatët. Ai për këtë shprehu gatishmërinë e organizimit të një vizitë në institucionet e drejtësisë në Shqipëri dhe njëherit kërkoj që një vizitë e tillë të organizohet edhe në Kosovë me qëllim të koordinimit të përbashkët për konkretizimin e marrëveshjes së iniciuar.