11 October 2016
Prishtinë, 11.10.2016 – Në kuadër të vizitave koordinuese lidhur me zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në mes të Odës së Avokatëve të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Policisë së Kosovës për themelimin e mekanizmit koordinues për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare (ex-officio), kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli nën përcjelljen e Drejtorit Ekzekutiv, z. Yll Zekaj dhe Zyrtarit për Komunikim, z. Flamur Ramadani takuan Zëvendës Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha dhe Shefin e stafit të Drejtorit të Përgjithshëm, z. Muhamet Berisha.
Kryetari Havolli u shpreh i kënaqur lidhur me bashkëpunimin e deritashëm me Policinë e Kosovës, në fusha që ndërlidhen me sferën e avokatisë në Kosovë.
Kryetari i OAK-së dhe Zëvendës Drejtori i Policisë diskutuan lidhur me zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit e cila është arritur me qëllim të zbatimit në praktikë të drejtës për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në pajtim me ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe me instrumentet ndërkombëtare.
Duke parë të rëndësishme zbatimin e kësaj marrëveshje, kryetari Osman Havolli paraqiti shqetësimet lidhur me respektimin e kësaj marrëveshje nga ana e Policisë në terren, duke thënë se angazhime për caktimin e avokatëve ex-officio nga ana e Policisë, ka mos përputhje në mes regjioneve në tërë Kosovën, që sipas tij problem mjaftë i madh është në rajonin e Prishtinës në të cilën angazhimet ex-officio janë evidente më të ulët se në regjionet tjera më të vogla. Andaj, ai kërkojë që të zbatohet marrëveshja për angazhimin e avokatëve përmes Odës së Avokatëve të Kosovës, e cila sipas kryetarit Havolli do të eliminonte shumë parregullësi të krijuara në këtë sistem.
Në anën tjetër, Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha njoftoj kryetarin Havolli për hapat me të cilat i ka ndërmarr Zyra Qendrore e Policisë së Kosovës në zbatimin e kësaj marrëveshje. Ai tha se janë njoftuar të gjitha njësitet e Stacioneve Policore në Kosovë për këtë marrëveshje dhe njëherit është kërkuar zbatimi i saj. Për shqetësimet e ngritura nga ana e kryetarit të OAK-së, zv/Drejtori Rexha theksoi se do të bëhet përpjekje për ri inspektim të brendshëm për problemet e shfaqura rreth ngecjes së zbatueshmërisë së marrëveshjes së përbashkët të nënshkruar me institucionet e drejtësisë në Kosovë.