19 December 2016
Prishtinë, 19.12.2016 - Oda e Avokatëve të Kosovës me datë 18 Dhjetor 2016 ka humbur anëtarin e saj, avokatin, Nexhmi Krasniqi. Varrimi i të ndjerit është bërë me datë 19 Dhjetor 2016 (E Hënë), në ora 14:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë.
Me këtë rast, Dega Regjionale e OAK-së në Prishtinë ka organizuar mbledhjen komemorative me datë 19 Dhjetor 2016, në ora 11:30 në Zyret e OAK-së. Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli, Zëvendës kryetari i Degës Regjionale të OAK-së në Prishtinë, z. Skender Musa, i përcjellur nga kryesia e Degës, avokatë, familjar, miq dhe dashamirë të tjerë të avokatit të ndjerë, Nexhmi Krasniqi.
Nexhmi Krasniqi ka lindur më 14 Korrik 1957 në Fshatin Majac, Komuna Podujevë. Studimet i përfundoi në Universitetin e Prishtinë – Fakulteti Juridik me datë 17 Qershor 1988, kurse provimin e Jurisprudencës e ka dhënë me datë 10 Prill 2010 në Prishtinë. Avokati, Nexhmi Krasniqi është regjistruar në Odën e Avokatëve të Kosovës me 13 Tetor 2010 me seli të zyrës në Prishtinë.
Largimi i tij i papritur është një humbje e madhe për tërë familjen dhe për të gjithë ata që e njihnin atë.
Oda e Avokatëve të Kosovës dhe Dega Regjionale në Prishtinë shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve dhe kolegëve të tij.
Fjala e zëvendës kryetarit të Degës Regjionale të OAK-së në Prishtinë me rastin e mbledhjes komemorative për avokatin e ndjerë, z. Nexhmi Krasniqi
Zonja dhe zotërinjtë,
Familjar, koleg dhe miq të Avokatit tani të ndjerë, Nexhmi Krasniqi,
Me dhimbje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e hershme të kolegut tonë, Nexhmi Krasniqi nga Prishtina.
Oda e Avokatëve të Kosovës, respektivisht Dega Regjionale e Avokateve të Prishtinës, humbi një koleg shumë të mirë, të zellshme dhe të ndershme, e cila humbje e madhe sigurisht, së pari i përket më të dashurve dhe familjarëve të saj, por se lirisht mund të themi se dhembjen për humbjen e tij e ka kapluar edhe këtë institucionin tonë.
E nderuara familje e Avokatit, Nexhmi Krasniqi,
Sigurisht që ju, më shumë do ta ndjeni humbjen e tij, pra të kryefamiljarit, Babait, vllaut, gjyshit, por tani ndjej vetën krenar që e patët si të tillë, e cila krenari reflektohet edhe te Ne avokatët.
E pamundur është të thuhen të gjitha tani në këtë momente pikëllimi.
Por, më lejoni për fund, duke e mbyllë këtë fjalë rasti që juve, familjarëve, avokat, dhe miq të tij, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e hershme të tij.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës.
Avokat, Skender Musa – Zv/Kryetar
Dega Regjionale e OAK-së në Prishtinë
Prishtinë,
19.12.2016