16 February 2017
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Me rastin e përvjetorit të nëntë të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 shkurtin, kam nderin dhe kënaqësinë që, në emër të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe të të gjithë avokatëve në Republikën e Kosovës, të iu dërgoj gjithë popullit të Kosovës, urimet më të ngrohta dhe më miqësore për këtë ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët.
Akti solemn dhe historik i 17 shkurtit jo vetëm që shënoi sendërtimin e idealeve të shumë gjeneratave, njëkohësisht shënoi edhe fillimin e realitetit të ri të shtetit më të ri të kontinentit më të vjetër. Andaj, secili qytetar i Kosovës, secila familje kosovare duhet ta festojë me krenari të madhe këtë ditë historike për vendin tonë, këtë ditë të gëzimit, të krenarisë, të vlerave, të respektimit të së kaluarës, të zotimit për punë dhe për vizionin tonë për të ardhmen.
Le të shërbejë kjo festë si mesazh i paqes, lirisë dhe tolerancës së ndërsjellë, në realizimin e synimeve tona.
Urime nëntë vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës !
Në emër të avokatëve të Republikës së Kosovës,
Osman Havolli
Kryetar
Prishtinë,
Me 16 shkurt 2017