21 February 2017
Prishtinë, 21.02.2017 – Kryetarja e Komitetit për Çështje Gjinore e Odës së Avokatëve të Kosovës, znjsh. Edita Kusari dhe përfaqësuesja e OSBE-së në Kosovë, znj. Jasmin Gojani takuan Dekanin e Fakultetit Juridik të UP-së, z. Haxhi Gashi dhe Prodekanin, z. Besfort Rrecaj me qëllim të shpalosjes së programit të mentorimit, projekt i cili është lansuar dhe aplikuar edhe më parë nga OSBE në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës.
Kryetarja e Komitetit për Çështje Gjinore e OAK, znjsh. Edita Kusari gjatë takimit njoftoi përfaqësuesit e Fakultetit, z. Haxhi Gashi dhe z. Besfort Rrecaj rreth shpalljes së konkursit nga Oda e Avokatëve të Kosovës për esenë më të mirë nga studentet e Fakultetit Juridik të UP-së e cila do të mbahet me rastin e manifestimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 marsin. Për studenten që do të prezantojnë esetë më të mira, shpërblimi do të jetë në të holla për vendin e parë, të dytë dhe të tretë, kurse për sa i përket temave, ato do të përcaktohen nga OAK, ku dhe do të vlerësohen nga një panel profesional. Kjo iniciativë e bashkëpunimit të ndërsjellët u mirëprit dhe njëherit u cilësua si një mundësi e mirë për aftësimin profesional të studenteve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Në anën tjetër, përfaqësuesja e OSBE-së, z. Jasmin Gojani sqaroi për të pranishmit se studentet të cilat kanë të drejtë të jenë pjesë e këtij projekti, duhet të jenë vijues të studimeve Master të Fakultetit Juridik, dhe nga ky projekt do të përfitojnë dhjetë studente. Qëllimi i këtij programi është që studentet të bashkëpunojnë me avokate, të mbajnë praktikën tek avokatet dhe të përfitojnë nga përvoja e tyre në aspektin profesional.
Programi i mentorimit bazohet në bashkëveprim një-me-një ndërmjet mentorëve dhe të mentoruarve. Kontakti personal do të jetë forma më e zakonshme e kontaktit në mes të mentorëve dhe të mentoruarve, por ata gjithashtu do të mbajnë kontakte të rregullta nëpërmjet e-mailit, telefonit, Facebook-ut apo mediave të tjera sociale. Mentorët do të shërbejnë si trajnerë dhe këshilltarë, duke ndihmuar avokatët e rinj dhe studentët e drejtësisë që të zgjerojnë rrjetet e tyre dhe të përgatiten për kalimin nga studimet e ligjit në praktikën e ligjit. Qëllimi i marrëdhënieve është që të ndihmohen të mentoruarit që të zhvillojnë plotësisht potencialin e tyre profesional.