KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Kryeprokurori z. Imer Beka priti në takim Përfaqësues nga OAK, në lidhje me lehtësimin e procedurave për pajisjen e formularëve në rastet e përfaqësimeve ex-officio në Polici

19 September 2017

ekipi

Kryeprokurori z. Imer Beka priti në takim përfaqësues nga OAK të prirë nga UD Kryetari i Degës Regjionale të OAK-së në Prishtinë z. Skender Musa, Drejtorin Ekzekutiv të OAK-së z. Yll Zekaj, z. Shpëtim Sadiku dhe z. Afrim Tasholli avokat nga Lipjani dhe z. Besim Abdullahu Zyrtar për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare në OAK. Në takim morën pjesë edhe Prokurori z. Ibrahim Berisha dhe zyrtari i financave i PTH-Prishtinë, z. Flakëron Abazi.

Takimi u aranzhua me kërkesë të avokatëve nga Lipjani të cilët kanë kërkuar mundësitë e thjeshtëzimit të procedurave për pajisjen me formularët përkatës me qëllim të kompenzimit nga përfaqësimet sipas detyrës zyrtare në Polici.

Kryeprokurori z. Beka, u informua për vështërsitë me të cilat ballafaqohen avokatët, në rastet e përfaqësimit në polici sipas detyrës zyrtare, përkatësisht pajisjen me formularët të cilët duhet të nënshkruhen nga Prokurorët në mënyrë që për shërbimin e dhënë sipas detyrës zyrtare, avokatët të realizojnë kompenzimin që u takon sipas ligjit.

Avokatët nga Lipjani njëzëri kanë paraqitur qëndrimin e tyre me shkrim dhe kanë njoftuar paraprakisht Institucionet Relevante, se do të bojkotojnë angazhimin e tyre sipas detyrës zyrtare në Polici nga data 21.09.2017 derisa të plotësohen kërkesat e ndër to edhe që:

· Formulari të plotësohet në ditën në të cilën angazhohet avokati në Polici, ose faturat e avokatëve të dorëzohen në Prokurori së bashku me procesverbalin e intervistimit në Polici pa formular, ndërsa me këtë cështje të merret administrata brenda Prokurorisë.

· Të bëhet kompenzimi edhe për rastet kur nuk ngritet kallëzimi penal dhe rasti mbyllet me raport të vecant sipas rekomandimit të Prokurorit.

· Kompenzimi për përfaqësimin e dhënë ex-officio sipas kërkesës së Policisë apo Prokurorisë, gjatë intervistimit të të dëmtuarit apo dëshmitarit, në rastet kur ata kërkojnë avokat me shpenzime publike.

Kryeprokurori Beka, pasi u informua në detaje në lidhje me këto cështje nga përfaqësuesit e OAK-së, u zotua se shumë shpejt do të ndërmerren hapa konkret nga Prokuroria Themelore në bashkëpunim me Këshillin Prokurorial të Kosovës, për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe do të lehtësojë këto procedura teknike në mënyrë që në të ardhmen të mos paraqiten situata të tilla.

Përveq tjerash në takim u diskutua edhe problematika e ndalimit të telefonave të avokatëve në hyrje të objektit të Prokurorisë, e cila është praktikë vetëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Kryeprokurori Beka theksoj se kjo situatë ka ardhur në shprehje pas disa rasteve të keqpërdorimit të telefonave nga ana e disa avokatëve. Përfaqësuesit e OAK-së kërkuan që për rastet individuale të njoftohet Zyra e Prokurorit Disiplinor e OAK-së dhe të heqet praktika e ndalimit të telefonave edhe për avokatët e tjerë.

Të dyja palët u pajtuan se do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe më tutje, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe obligimeve të palëve respektive.