28 March 2018
Prishtinë, 28 mars 2018 – Dega Regjionale e OAK-së në Prishtinë në bashkpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) e mbështetur nga Programi “Kërko Drejtësi” mbajtën takimin e përbashkët me temën “Mjetet efektive juridike në procedurën administrative”.
Diskutimi u hap nga Kryetari i Deges Regjionale të OAK-së në Prishtinë z. Nasuf Hasani i cili theksoi se e drejta e ushtrimit të mjeteve juridike është e drejtë e garantuar edhe nga Kushtetuta e Kosoves, më tutje ai hapi diskutimin duke thënë që sot ekzistojnë një numër mjaft i madh i kontesteve administrative të cilat fillojnë nga administrata.
Kryetari i OAK-së z. Havolli shtoi se fusha administrative është një fushë mjaft sfiduese për të cilën kërkohet një angazhim maksimal, kjo duke u munduar t’i identifikojmë problemet kyqe me të cilat përballet dhe më pas të diskutohet se si të vihet deri te zgjidhja e mundshme e tyre.
Gjatë diskutimit znj. Kaltrina Ajvazi nga IKD e njejta prezantoi të gjeturat e raportit të tyre: “Mjetet Efektive juridike në Drejtësinë Administrative”. Të gjeturat e këtij raporti tregojnë se përkundër një kuadri relativisht të mirë ligjor dhe mekanizmave për administrimin e drejtësisë administrative, qytetarët e Kosovës përballen me mungesën e qasjes efektive dhe efikase në drejtësinë administrative.
Gjykatësit kanë krijuar një praktikë jo të mirë duke dërguar për rishqyrtim çdo rast që ata marrin, tek organet administrative, pa e vlerësuar fillimisht nëse ata kanë mundësi që të vendosin vetë në mënyrë meritore.
Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit nga Departamenti për Çështje Administrative znj. Delushe Halimi më tutje shtoi se “Duke u bazuar në Ligjin për Konfliktin Administrativ, gjyqtarët mund të gjykojnë vet çështjen në mënyrë meritore por ata nuk janë të obliguar ta bëjnë këtë, e për më tepër duke marrë parasysh vështirësitë që i hasin përshkak të mungesës së dëshmive”.
“Duke u bazuar në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjatë shqyrtimit të rasteve gjykatat duhet t’i shmangin situatat të cilat tejzgjasin rastet” theksoi z.Ehat Miftaraj nga IKD.
Në këtë çështje znj. Delushe Halimi mendon se problemi qëndron në organet administrative, kjo sepse kur gjykata i’a kthen çështjet organeve administrative, udhëzimet në vendim janë të qarta, ndërsa organet administrative i shpërfillin ato.
Avokati Adem Vokshi theksoi se problemi i mos shqyrtimit të lëndeve vjen si rezultat i mos ofrimit të dokumentacionit të nevojshëm nga ana e palëve në procedurë dhe sipas tij gjykata duhet të ketë të drejtë të vendosë çështjen në menyrë meritore edhe në mungesë të tyre.
Minire Begaj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale shtoi se "mos zbatimi i vendimeve gjyqësore nga organet e administratës është rezultat i papajtueshmërisë së këtyre vendimeve gjyqësore me realitetin dhe mundësinë e zbatimit praktik të tyre”.
Si përfundim, të gjithë ishin të pajtimit se drejtësisa e vonuar është drejtësi e mohuar, dhe duke marrë parasysh rastet e ndjeshme në procedurën administrative, duhet të ketë ndryshime në këtë drejtim. Numri i gjyqtarëve në departamentin administrativ të Gjykatës Themelore duhet të rritet dhe zyrtarët në organet administrative duhet të trajnohen në mënyrë profesionale, ishin disa nga sugjerimet e pjesëmarrësve në këtë takim.