27 April 2018
Mitrovicë, 27.04.2018 – Sot për një vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë ishte Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli dhe Kryetari i Degës Regjionale në Mitrovicë z. Vehbi Beqiri së bashku me Prokurorin Disiplinor të OAK-së z. Florim Shefqeti.
Takimi u mbajtë në selinë e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës. Në këtë takim u diskutuan çështjet në raport Prokurori dhe Avokati.
Kryeprokurori Shyqyri Syla theksoj se, çështjet e ngritura nga Oda e Avokatëve të Kosovës në raport me Prokurorinë, e të cilat kanë pas të bëjnë më çështjen e përfaqësimit dhe mbrojtjes sipas detyrës zyrtare janë tejkaluar falë bashkëpunimit të mirëfillt në mes të OAK-së dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Kryeprokurori theksoj, se kanë qenë evidente këto paqartësi të natyrës tekniko-funksionale, të cilat falë bashkëpunimit të vazhdueshëm të Këshillit Drejtues të OAK-së dhe Kryetarit të saj, janë marrë për bazë nga KPK ashtu që tani ato janë tejkaluar dhe tani e tutje çështja e formularëve dhe pagesave të avokatëve në rastet e përfaqësimit sipas detyrës zyrtare është duke u realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kryetari Havolli, shprehu falenderimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë z. Shyqyri Syla për një bashkëpunim profesional dhe funksional, dhe shprehu qëndrimin se Këshilli Drejtues i OAK-së, si organ vendimmarrës është i përkushtuar për një bashkëpunim sa më të përafërt, dhe se Këshilli Drejtues është duke i përcjellë të gjitha dukuritë të cilat lidhen me funksionimin sa më të mirë të Prokurorisë në raport me Avokatinë.
Kryetari i OAK-së dhe Kryeprokurori i PTH Mitrovicë, u pajtuan se takimet e nivelit të tillë qëndror në aspektin funksional do të jenë të rregullta, me kërkesë që në takimet e radhës të identifikohen dhe trajtohen të gjitha çështjet me interes të dyanshëm.